PRISHTINË - Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka mohuar kategorikisht raportimet se Lista Srpska ka kushtëzuar shkarkimin e ministrit Aleksandër Jabllanoviq me emërimin e zëvendësshefit të AKI-së nga komuniteti serb.
Sipas KosovaPress, ai thotë se nuk ka asnjë të vërtetë këtu dhe se çështja e emërimit të zëvendësshefave në AKI, është e qartësuar me Kushtetutë dhe me ligjin mbi AKI-në.
Mirëpo, ai nuk ka dhënë shenja nëse do ta shkarkoj ose jo, ministrin Jabllanoviq, i cili i quajti egërsira nënat gjakovare, çështje për të cilën u organizuan protesta të dhunshme.
Lidhur me deklaratat e ministrit Jabllanoviq, Mustafa thotë se çështja do të trajtohet mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve dhe në qoftë se janë shkelur ato, atëherë do të veprohet.
Sipas kreut të ekzekutivit, objektivi i tyre është që të ushtrojnë sovranitetin në tërë territorin e vendit, sepse është e lehtë të nënshkruash një vendim për të shkarkuar një ministër, por do të ishte i vështirë menaxhimi i situatës.
"Objektivi ynë është që të ushtrojmë sovranitetin në tërë territorin e vendit, të krijojmë ura bashkëpunimi me të gjitha viset e Kosovës edhe në veri edhe në jug. Gjithashtu, të krijojmë ura edhe me komunitetet, në mënyrë që ata t'i integrojmë, që mos të merremi shumë gjatë me problemet e ndarjes që kemi dhe kjo do të na ndihmoj që t'i përballojmë edhe këto kërkesa", tha ai.
Mustafa është pyetur edhe rreth mundësisë që të diskutohet në dialogun e Brukselit çështja e Trepçës, Postës apo prona të tjera, por kreu i ekzekutivit është përgjigjur shkurt, duke thënë se, kjo nuk do të ndodh në asnjë rast.
Mustafa u pyet edhe për migrimin ilegal, ndërsa shprehu shqetësimin se edhe politika që po përdor Serbia është për shpopullimin e Kosovës nga të rinjtë, çka qytetarët e Kosovës po e pranojnë./ATSH/