Mustafa-Thaçi:Protesta synonte 
 marrjen e pushtetit me dhunë
VD/Arrestimi i Ahmetit

Mustafa-Thaçi:Protesta synonte <br /> marrjen e pushtetit me dhunë<br />VD/Arrestimi i Ahmetit
PRISHTINE - Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe aleati i tij në qeveri, zv/kryeministri Hashim Thaçi e cilësuan si një tentativë për të marrë pushtetin me dhunë protestën e sotme të organizuar nga ana e opozitës që kërkojnë largimin e ministrit serb Aleksandar Jabllanoviç dhe për çështjen e shtetëzimit të Trepçës.

Mustafa e Thaçi në një konferencë për shtyp, pas qetësimit të situatës, kanë thënë se opozita ka keqpërdorur ndjenjat e një pjese të qytetarëve për qëllimet e saj politike.

“Protesta e sotme e motivuar politikisht i ka bërë keq shtetit tonë të ri. Dënon instrumentizimin e protestës së sotme dhe përdorimin e nxënësve. Protesta nuk duhet të përdoret për përfitime politike. Sot kemi pasur dhunë me të cilën donin të merrnin pushtetin”, tha Isa Mustafa.Fjala e plotë e Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa
 
“Protesta është mjet demokratik por këto protesta nuk kanë pasur objektiva qytetarë po objektiva politike. Dialogu komunikimi duhet të zhvillohet në parlament jo në sheshe. Dhuna është mjet i papranueshëm e nuk do të dorëzohemi.

Falënderim për policët për sjelljen e tyre, kanë vepruar me shumë sakrificë, e shpëtuan Kosovën nga më e keqja. Filluan sulmet duke lënduar me dhjetëra policë që kanë bërë betimin për të mbrojtur vendin. Duan të marrin pushtetin me dhunë, pushteti fitohet me votë jo me akte të dhunë. Vetëm vota e përcakton qeverinë, ultimatumet e rrugës nuk do të kenë sukses. Ata që prodhojnë dhunë janë injorantë, qytetarët të besojnë në institucione. Nuk duhet të kemi pamje të tilla në kryeqytetin tonë” tha Hashim Thaçi. Fjala e plotë e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi



Ora 20:00 Kurti: Faji i qeverisë, protestat do të vazhdojnë
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka paralajmëruar vazhdimin e protestave deri në shkarkimin e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviç dhe përderisa të mos nxirret ligji për Trepçën. Ai nuk ka treguar se kur do të organizohet protesta e ardhshme, por ka thënë se do të koordinohet edhe me subjektet dhe shoqatat tjera që i mbështesin këto protesta. Këto komente, Kurti i ka bërë gjatë një konference për media pas protestave të martës në Prishtinë, të cilat përfunduan në dhunë prej disa orëve mes protestuesve dhe policisë.Për këtë situatë Kurti ka fajësuar policinë dhe krerët e qeverisë së Kosovës si urdhërdhënës. 

Ora 19:00 Maxhuni:U përdorën plumbat e gomës, janë 56 policë të lënduar
Drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni gjatë një konference të përbashkët me  kryeprokurorit të Shtetit Sylë Hoxha konfirmoi se në protestë janë përdorur edhe plumba gome, por sipas tij, intervenimi i Policisë ishte në proporcion me eskalimin e situatës.
 
Ai shtoi më tej se janë 56 policë janë të lënduar, dy prej tyre më rëndë, ndërsa janë 120 protestues  të cilët janë shoqëruar në ambientet e policisë së Kosovës ndaj të cilëve do të merren edhe masat përkatëse.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit të Kosovës, Sylë Hoxha tha se të gjithë ata që kanë shkelur rendin dhe ligjin do të ndiqen penalisht pa përjashtuar askënd.



Prishtinë, përleshje të dhunshme mes policisë e protestuesve FOTO 
Protesta e dytë për shkarkimin e ministrit serb Aleksandar Jabllanoviç dhe shtetëzimin e Trepçës përshkallëzoi sërish në tension, dhunë dhe përleshje mes forcave të policisë dhe mijëra pjesëmarrësve në demonstratën masive në Prishtinë, duke lënë dhjetëra të plagosur. Policia përdori gaz lotsjellës dhe autoblinda me ujë për shpërndarjen e rreth 15 mijë protestuesve që u mblodhën nga qytete të ndryshme të Kosovës në sheshin “Skënderbej” , pikërisht para godinës së qeverisë.  Tre parti opozitare, Vetëvendosja, AAK e Ramush Haradinaj dhe Nisma e Fatmir Limajt organizuan këtë protestë në kundërpërgjigje të mos reagimit të Mustafës të cilit iu kërkua shkarkimi nga qeveria e Kosovës i ministrit serb për Kthim dhe Komunitetet Jabllanoviç, i cili ofendoi nënat gjakovare duke i cilësuar egërsira. Po ashtu kërkohet edhe një ligj i veçantë për statusin e minierës së Trepçës për ta kthyer në pronë shtetërore.
 
Protesta e Prishtinës nisi që në fillim me ovacione dhe thirrje të ashpra si “Jabllanoviç jashtë”, “Isë, argat i Serbisë”, “Trepça është e jona, jo e Serbisë” etj.
 


Por si u përshkallëzua dhuna në protestë?
Dardan Moliçaj i Vetëvendosjes ndërsa akuzoi kryeministrin Isa Mustafa për represion dhe masa të dhunshme, iu drejtua policisë nga foltorja e protestës duke i dhënë ultimatum prej 15 minutash për të larguar forcat policore që kishin rrethuar ndërtesën qeveritare dhe për të liruar sheshin “Skënderbej” për protestuesit. Mos realizimi i kësaj kërkese çoi në përleshjet e para fizike mes protestuesve e policisë si dhe në ovacione kundër qeverisë me thirrje “Poshtë Qeveria” .
 
Organizatorët bënë thirrje që “policia mos të godiste qytetarët” ashtu si dhe ndaj protestuesve që të mos gjuanin ndaj efektivëve dhe godinës së qeverisë, po situata kaloi shumë shpejt në kaotike. Ajo që ra në sy, ashtu si edhe në protestën e të shtunës, është fakti se protestuesit mbanin flamurin e Shqipërisë me shqiponjën dykrenore.  
 
Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ka reaguar ndaj ngjarjeve të sotme në Prishtinë, përmes një postimi në Twitter.“Protesta paqësore është një e drejtë demokratike. Shkatërrimi i pronës publike dhe private është një akt kriminal”, shkruan Jacobson.

Dhjetëra të plagosur, mes tyre Albin Kurti dhe dhe Visar Ymeri të Vetëvendosjes

Dhjetëra persona u raportuan të lënduar, mes tyre policë dhe qytetarë. Mes të lënduarve u pa dhe lideri i vetëvendosjes Albin Kurti, i cili u shfaq duke lotuar pasi nuk përballoi dot gazin lotësjellës. Sipas mediave kosovare edhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendjes Visar Ymeri është lënduar dhe mësohet se është transportuar me ambulancë pranë urgjencës.
 
Qeveria e Kosovës: Protesta politike, dënojmë dhunën
Edhe qeveria e Kosovës reagoi nëpërmjet zëdhënësit Arban Abrashi, i cili e cilësoi protestën si një organizim politik dhe se ajo nuk ka lidhje me kërkesat që pretendojnë protestuesit, duke dënuar ashpër aktet e dhunshme dhe përgëzoi policinë për menaxhimin e situatës.
 
Gjatë protestës së të shtunës, kryeministrit Mustafa iu dha ultimatum deri në orën 16:00 të 26 Janarit për shkarkimin e Jabllanoviç, ndërsa me skadimin e këtij afati u organizua protesta e radhës këtë të martë. Sipas vetëvendosjes protestat nuk do të ndalen, ndërsa bashkëorganizatorët kanë deklaruar se protesta nuk është partiake, nuk është as opozitare, por gjithëpopullore.

Policia e Kosovës: U provokuam nga protestuesit
Policia e Kosovës reagoi pas tensionimit të situatës në një deklaratë ku sqarohej se ndërhyrja e tyre erdhi pas provokimit nga ana e protestuesve të cilët nisën sulmin ndaj tyre, e megjithatë sqaruan se siguria e qytetarëve dhe ruajtja e rendit do të ishte prioritet për forcat policore.
 
Pamjet e publikuara nga mediat kosovare shfaqin përshkallëzimin e situatës dhe në rrugët e sheshe të tjera të Prishtinës me dëmtimin e veturave dhe pronave private, ku policia formoi kordonë specialë për mos lejimin e kthimit të protestuesve sërish në sheshin ‘Skënderbej’.
 
protesta kosove

(Pamje e protestës nga lart)

Zhvillimet e protestes ne Kosove ore pas ore

Ora 15:18 Lirohet Shpend Ahmeti
Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti është lënë i lirë pasi u arrestua nga forcat e policisë së Kosovës. 

Ora 15:15 - Arrestohet Shpend Ahmeti
 Policia e Kosovës ka arrestuar kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Sipas mediave kosovare, ai është arrestuar ndërsa i ishte bashkuar protestës në sheshin “Nënë Tereza”.





arrestimi shpend ahmetit

Ora 15:10 Zyrtare: 14 policë edhe 12 qytetarë janë lënduar
Drejtori i Klinikës Emergjente të QKUK-së, Basri Lenjani në një konferencë për shtyp në Qendrën Emergjente ka konfirmuar se zyrtarisht deri më tani në këtë Klinikë janë 14 policë dhe 12 qytetarë të cilët kanë kërkuar ndihmë në këtë klinikë, raporton zeri.info.
 
Sipas Lenjanit, gjendja e të gjithë të lënduarve është jashtë rrezikut për jetë.
Lenojani ka treguar po ashtu se të gjithë të lënduarit janë trajtuar sipas protokolleve dhe se shumica e tyre kanë ardhur me lëndime të ekstremiteteve.
 
Po ashtu Lenjani ka treguar se edhe në Entin e ndihmës së shpejtë ka të lënduar, mirëpo, sipas Lenjanit, besohet se ky numër është më i vogël. 

Ora 14:50 Protestuesit sulmojne policine
Protestuesit kanë nisur të hedhin në masë të madhe bomba  molotovi në drejtim të policisë së Kosovës.

Ora 13:35 Lëndohet gjatë përleshjeve edhe nënkryetari i Vetëvendosjes
Gjatë përleshjeve mes Policisë dhe protestuesve, është lënduar nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri. Ymerin e ka marrë menjëherë autoambulanca për trajtim dhe është dërguar në Emergjencë.

Visar Ymeri

Fotolajm/ Edhe Ibrahim Rugova kërkon shkarkimin e Jabllanoviçit
Disa protestues i kanë vënë në dorë shtatores së ish presidentit Ibrahim Rugova një parullë në të cilën shkruhet “Shkarkojeni Fashistin”. 

ibrahim rugova

Ora 13:38
Qeveria e Kosovës: Protesta organizim politik
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi ka thënë se protesta është organizim politik dhe nuk ka të bëjë fare me kërkesat që i parashtrojnë.
Ai ka deklaruar për Radio Kosovën  se protesta e sotme do të jetë përgjigja më e mirë për vetë organizatorët e protestës, pasi sipas tij, qytetarët nuk do t’i përgjigjen në numër të madh ngase e kanë kuptuar se është thjesht protestë politike.
 



Ora 13:35 Lëndohen disa policë nga gurët
Gazeta Zëri shkruan se në përpjekjen për të larguar protestuesit nga sheshi “Skenderbej” para godinës së qeverisë, kanë pësuar lëndime disa policë.
Sipas raportimeve nga gazetarët e Zërit, policët janë goditur me gurë nga protestuesit duke pësuar lëndime. Një efekti është lënduar në këmbë dhe kanë qenë kolegët e tij që e kanë dërguar me urgjencë brenda qeverisë ku mendohet të jetë shërbimi i mjekëve. Ndërkohë që edhe më herët disa policë të tjerë kanë kërkuar ndihmë si pasojë e lëndimeve.
 
police protesta prishtine

Ora 13:25
Të lënduarit në protestë jashtë rrezikut për jetë
Dy të lënduar kanë mbetur nga protesta e sotme e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Shpend Fazliu, zëdhënës në QKUK, i ka thënë KosovaPress-it, se njëri prej protestuesve është sjellë në qendrën Emergjente vetëm nga gazi lotsjellës, ndërsa tjetri i lënduar nga goditjet që ka marrë. Fazliu, tha për KosovaPress se të dy të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë.

Ora 13:25 Lëndohet edhe Albin Kurti
Nga gazi lotsjellës që policia ka hedhur mbi protestuesit është lënduar edhe kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti. 

albin kurti

Ora 13:20 Shënohen të plagosur, policia arreston një protestues
Gazetari i KTV-së ka raportuar të ketë parë një polic duke tërhequr zvarrë kolegët e tij të cilët pësuan lëndime të rënda nga përleshjet që shpërthyen në protestën e nisur paqësisht. Ndërkaq, po sipas KTV-së një person i cili tentoi të futet brenda qeverisë, u arrestua nga Policia e Kosovës.



Ora 13:14 Një protestues 72 vjeçar dërgohet me urgjencë në QKUK
Një protestues i cili kishte dalë në sheshin “Skënderbeu” ka mbetur i lënduar si pasojë e shtyrjeve dhe gazit lotsjellës që ka hedhur policia e Kosovës. Ai është i datëlindjes 1943 (72 vjeçar), i cili në këto momente është pranuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Mjekët kujdestarë njoftojnë për “Zërin” se gjendja e tij është stabël dhe jashtë rrezikut për jetë.



Ora 13:10 Përleshje me policinë, protestuesit heqin një pjesë të barrikadës para qeverisë
Policia e Kosovës ka nisur të largojë protestuesit nga sheshi “Skënderbeu” në drejtim të sheshit “Nënë Tereza”, pasi që protestuesit nisën të hedhin sende të forta në drejtim të policisë, duke u kthyer në përleshje mes tyre.

Protestuesit kanë thyer një pjesë të barrikadës, mirëpo, menjëherë ka ndërhyrë policia duke përdoru edhe gazin lotsjellës.
Vetëvendosje i ka bërë thirrje policisë që të mos i sulmojë qytetarët.

protesta kosove
Ora 12:45 Protestuesit perleshen me polcine, perdoret gaz lotsjelles
Vetëvendosje vuri ultimatum prej 15 minutash për heqjen e barrikadave të vendosura para godinës së qeverisë në sheshin “Skendërbej”. Pas përfundimit të këtij afati protestuesit nisën përleshjen me policinë ku u desh më tej përdorimi i gazit liotsjellës.  “Policia na e ka marrë Skëndërbeun po Skënderbeu është i joni. Hapni barrikadat. Jabllanoviç jashtë, Trepça është e jona”, ishin thirrjet e protestuesve. 

protesta kosove

Ora 12:42 KFOR-i amerikan në godinën e Qeverisë
Mediat kosovare shkruajnë se pas nisjes së përleshjeve mes policisë dhe protestuesve, rreth 10 makina ushtarake me 50-69 ushtarë amerikanë të KFOR-ti janë futur brenda rrethimit të qeverisë së Kosovës. 

kfro protesta kosove

Ora 12: 28 Vetëvendosje ultimatum Policisë për heqjen e barikadave: 15 minuta kohë
Vetëvendosje i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që t’i heq barrikadat për 15 minuta dhe të futet brenda hekurave të godinës të Qeverisë. Sipas organizatërorë, protesta do të jetë e qetë ndaj dhe ky rrethim është i tepërt.

 
  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf