PRISHTINË - Kryeministri Isa Mustafa bashkë me Ministrin e Financave kanë vizituar sot Administratën Tatimore në Prizren dhe Doganën në Vërmicë, për t'iu dhënë mbështetje në reformat e nisura dhe për të biseduar për ndërtimin e politikave fiskale.
Sipas KosovaPress, Mustafa tha se, ata si ekzekutiv do të përkrahin reformat e mëtejshme edhe të ATK-së edhe doganave në mënyrë që të arrijnë të zvogëlojnë evazionin fiskal dhe të bëjnë një shtrirje më të mirë të politikave tatimore dhe të doganave.
Mustafa theksoi se personeli që punon në ATK dhe Dogana është i përgatitur mirë, është rritur përgjegjësia, përderisa doganat kanë një trend pozitiv nga viti në vit i grumbullimit të të ardhurave në kufi.
Ndërsa, Ministri i Financave Avdullah Hoti tha se, do të punojnë në rritjen e të ardhurave, por jo duke shkelur bizneset, por duke u krijuar kushte sa më të mira në mënyrë që të rritet biznesi.
Kreu i Qeverisë Isa Mustafa takoi edhe drejtuesit e Administratës Tatimore të Rajonit të Prizrenit, me të cilët ka biseduar rreth zvogëlimit të evazionit fiskal./ATSH/