/ATSH-B.Jashari/.- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar mbrëmë Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër "DokuFest", që zhvillohet tradicionalisht në Prizren.
Kryeministri Mustafa është takuar me drejtuesit e Festivalit, drejtorin ekzekutiv Eroll Bilibani dhe drejtorin artistik Veton Nurkollari si dhe pjesën tjetër të stafit të DokuFest-it. Më pas ka vizituar ambientet ku shfaqen filmat dokumentarë dhe të shkurtër si dhe pjesa tjetër e aktiviteteve në kuadër të DokuFest 2015.
Në një deklaratë për gazetarët, kryeministri Mustafa ka vlerësuar rëndësinë e madhe që ka për kulturën, për Prizrenin dhe për tërë Kosovën ky Festival. "Është një ngjarje shumë e rëndësishme kulturore, e cila ka zënë fill dhe po zhvillohet në mënyrë të mrekullueshme falë dy faktorëve. Së pari Prizrenit, si një qytet dhe një vend i cili është shumë sfidues jo vetëm për kosovarët por edhe për evropianët dhe qytetarët e tjerë dhe një ekipi të mrekullueshëm të njerëzve të cilët po punojnë këtu dhe po japin kontributin dhe energjinë e tyre duke treguar një kreativitet të hatashëm, Ata po i japin emër të mirë jo vetëm Prizrenit por edhe Kosovës, në një ngjarje të rëndësishme kulturore", tha kryeministri Mustafa.
Ai theksoi se është detyrë e qeverisë dhe e Ministrisë së Kulturës, që të përkrah këtë ngjarje kulturore. "Do të bëjmë përpjekje që në të ardhmen të jemi së bashku dhe qeveria ta jap kontributin e vet sepse këtë e meriton DokuFest-i, e meriton edhe Prizreni dhe veçmas ekipi, i cili po punon dhe po bënë një angazhim të mirë", u shpreh kryeministri kosovar.
Drejtori artistik i DokuFest-it, Veton Nurkollari, e ka vlerësuar lart përkrahjen që kryeministri Mustafa ka ofruar për DokuFest-in gjatë kësaj vizite. "Unë e vlerësoj lart, na ka bërë të ndihemi tepër mirë, jo vetëm për vizitën por edhe për shprehjen e përkrahjes për DokuFest-in dhe për qytetin e Prizrenit, për tërë atë që po ndodhë këtu", u shpreh Nurkollari.
Nga 8 deri 16 gusht, në qytetin e Prizrenit në Kosovë mbahet DokuFest, festivali tradicional ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër.
Tema qendrore e Fstivalit në këtë vit është migrimi.
Shumë nga pjesëmarrësit e vizitorët e DokuFest nga vende të ndryshme të botës janë mirëpritur e vendosur nëpër shtëpitë e prizrenasve.
DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë