-Kryeministri Isa Mustafa priti zëvendës ndihmëssekretarin e shtetit të SHBA-së, Hoyt Yee-
PRISHTINË, 12 Shkurt /ATSH/.- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendës ndihmëssekretari amerikan i shtetit të SHBA-së, Hoyt Yee gjatë një takimi të zhvilluar sot u shprehën për fuqizimin e mëtejshëm të partneritetit mes SHBA-së dhe Kosovës.
Njoftimi i dërguar nga Kryeministria kosovare thekson se, gjatë takimit Yee e përgëzoi kryeministrin Mustafa dhe qeverinë e Kosovës për marrëveshjen e arritur në Bruksel për drejtësinë, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të SHBA-ve për procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Kryeministri Mustafa dhe zëvendës ndihmëssekretari Yee, biseduan edhe për prioritetet e ardhshme të qeverisë së Kosovës dhe në veçanti për adresimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kryeministri Isa Mustafa e njoftoi Yee me angazhimet konkrete të qeverisë së Kosovës në luftimin e këtyre dukurive dhe në forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, si dhe në thellimin e reformave për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e ambientit për investimet e huaja duke përfshirë edhe investimet amerikane në Kosovë.
Zëvendës ndihmëssekretari amerikan i shtetit i SHBA-së, Hoyt Yee, rikonfirmoi mbështetjen e gjithanshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, duke përfshirë edhe proceset integruese të Kosovës në strukturat euroatlantike, si dhe në fuqizimin e mëtutjeshëm të partneritetit ndërmjet SHBA-ve dhe Republikës së Kosovës./b.j/k.s/










