Mustafa: Zhvillimi ekonomik është
një prioritet të cilin duhet ta arrijmë

Mustafa: Zhvillimi ekonomik është<br />një prioritet të cilin duhet ta arrijmë
“Zhvillimi ekonomik është një prioritet të cilin duhet ta arrijmë”, u shpreh sot kryeminsitri i Kosovës, Isa Mustafa.

Në një postim në ‘Facebook’, Mustafa thekson se, “Kemi shumë punë për të bërë, na nevojitet përkrahje nga të gjithë. Duhet ta luftojmë korrupsionin, monopolin e disa kompanive publike dhe private dhe të krijojmë hapësirë të barabartë për çdo biznes. Nuk mund të lejojmë që të ngulfaten bizneset e vogla. Atyre do tu hapim mundësi dhe do të krijojmë kushte të barabarta për konkurrencë, nga licencat, doganat, kontrolli i cilësisë, regjimi i çmimeve, sistemi i prokurimit”.

“Krahas kësaj do ta bëjmë të qartë se ngujimi ynë me regjim të vizave na bënë shumë të kufizuar të kontaktojmë dhe të konkurrojmë me ekonomitë e vendeve evropiane. Në këtë situatë ne bëhemi konsumatorë të produkteve të të gjithëve, por produktet tona dhe puna jonë do të mbesin çështje vetëm e ‘pashallëkut tonë’, prandaj edhe ato duhet të marrin vizën evropiane dhe të konsumohen edhe nga të tjerët”, shton Mustafa.

Sipas tij, “qytetarët e Kosovës janë orientuar qartë për lidhje me civilizimin evropian dhe me vendet perëndimore. Kjo derë duhet sa më shpejtë të na hapet, sepse është rrezik që njerëzit, disa për interesa të tyre e të tjerët, nga humbja e shpresës po ia mësyjnë nganjëherë edhe lindjes”.

“Ne do ta ndërtojmë fatin tonë me përgjegjësinë, nuk do të eksperimentojmë me te. Por poashtu, nuk duhet që me fatin tonë të eksperimentojnë as të tjerët, duke na vënë kushte çdo ditë, sepse nuk meritojmë që ne të mbesim popull i ngujuar në Evropë. Askush nuk mund të merr si pretekst ikjen e qytetarëve tanë, për të argumentuar prolongimin e liberalizimit të vizave. Kjo lëvizje jonë është e panatyrshme, por nuk është çështje e panjohur se drejt vendeve perëndimore lëvizin çdo vit edhe qytetarët e vendeve të Shengen-it dhe nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian”, thekson Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.


Ndërsa, shtypi i sotëm i Kosovës shkruan se, qeveritë e Kosovës, të gjitha pa dallim, kanë dështuar të krijojnë politika të suksesshme të punësimit. Ato nuk janë alarmuar asnjëherë nga gjendja në terren dhe nga raportimet zyrtare për shkallën e ulët të papunësisë, për pasojë edhe të varfërisë. Energjinë e tyre menaxhuese ato e kanë shpenzuar në angazhime periferike, kryesisht në politika ditore.

Pjesa më e madhe e projekteve të mëdha kanë dështuar, ndërsa janë lënë anash sektorë që mund të sjellin punësim të shpejt. Për pasojë, papunësia është rritur për shkak të numrit të madh të të rinjve që çdo vit hyjnë në tregun e punës. Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave, në Kosovë punojnë vetëm 28 për qind e personave në moshë pune.

Është dashur që mbi 100 mijë qytetarë, shumica të rinj, të lëshojnë Kosovën brenda dy muajsh që Qeveria e Kosovës të kthejë ekonominë si prioritet të saj. Por edhe projektet madhore që tashmë janë duke u diskutuar nga qeveritarët nuk do të sjellin punësim të menjëhershëm.

Shefi i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter-Olters, në një intervistë për “Kohën Ditore” ka thënë se Kosovës do t’i duhen gjashtë dekada për të arritur nivelin mesatar të ekonomisë së vendeve të Bashkimit Evropian, e për ta shkurtuar këtë periudhë në vetëm 45 vjet i duhet një rritje të paktën prej 5 për qind.

“Nëse e marrim mesataren e rritjes ekonomike të Kosovës në vitet e fundit që ka qenë 3.4 për qind dhe recesionin e ekonomisë së vendeve të BE-së prej 0.1 për qind, atëherë Kosovës i duhen 65 vite për të arritur nivelin e ekonomisë që e kanë vendet e BE-së”, ka thënë ai. “Nëse Kosova ka një rritje ekonomike prej 5 për qind, atëherë do t’ju duhen 45 vite për të arritur nivelin e GDP-së që kanë vendet e BE-së” , citohet ai/ATSH/

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)



 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë, s’lejon votuesit me ID të skaduar, Omonia akuza Ramës: Mbi 6 mijë zgjedhës privohen nga vota

Zgjedhjet në Himarë, s’lejon votuesit me ID të skaduar, Omonia akuza Ramës: Mbi 6 mijë zgjedhës privohen nga vota