TIRANE - Ish ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj dhe deputeti socialist, ish kryeministër Pandeli Majko përcollën sot urimet e tij për shqiptarët që në zgjedhjet lokale të Maqedonisë fituan përballë kandidatëve të tyre maqedonas.

“Kam një urim të përzemërt sot për të gjithë shqiptarët që u zgjodhën për të drejtuar pushtetin vendor në viset shqiptare të Maqedonisë. Një urim të veçantë e kam për Kryetaren e re të Tetovës, Zonjën Teuta Arifi. Besimi që i dhanë qytetarët e Tetovës një Zonjë për t'i udhëhequr u bën nder në radhë të parë atyre që e kanë votuar, por u bën nder edhe të gjithë shqiptarëve kudo janë. Ky është një akt kuptimplotë emancipimi dhe moderniteti. Po ashtu, një urim të veçantë e kam edhe për kryetarin e ri të Kërçovës dhe Kryetrin e ri të Strugës. Beteja e tyre elektorale ka qenë fort e vështirë. Shpresoj se përvoja e fituar në bashkimin e forcave nga shqiptaret në këto dy komuna, pavarësisht përkatësisë së tyre partiake, do të shërbejë edhe si një shkollë politike për partite shqiptare atje.”- shkruan Mustafaj në profilin e tij në facebook.

"Në zgjedhjet lokale në Maqedoni fitoi bashkimi i shqiptarëve. Struga u fitua ashtu sic pritej, nga kandidati shqiptar. Kjo që ndodhi për shqiptarët e Maqedonisë nuk është vetëm një fitore zgjedhore. Ajo do të shfaqet si një status i ri për shqiptarët në historinë e re që Kërcova dhe Struga shkruajtën në këto zgjedhje lokale. Ju lumtë vëllezër dhe motra."- shkruan deputeti socialist Pandeli Majko.


(sg/shqiptarja.com)