Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka reaguar nga Vlora për gjendjen e amortizuar të Muzeut Kombëtar të Pavarësisë.

Duke publikuar pamje nga godina historike, Zhupa denoncoi krisjet në mure dhe rrezikun e degradimit të mëtejshëm deri në shembje të një prej simboleve më të rëndësishme të identitetit kombëtar. Ajo i bëri thirrje Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës që të nisë menjëherë restaurimin e muzeut, në mënyrë që gjatë sezonit turistik Shqipëria të prezantohet me dinjitet para qytetarëve dhe vizitorëve të huaj.

Reagimi i plotë i Ina Zhupës:

Ndodhem në qytetin e Vlorës, mbrapa meje është Muzeu Kombëtar i Pavarësisë. Një simbol kombëtar identitetit shqiptar, historisë shqiptare.

Siç mund ta shikoni, fatkeqësisht ky muze ka pësuar krisje kudo nëpër muret e tij, ballkoni është totalisht i pa aksesueshëm dhe i pa vizitueshëm nga banorët dhe rrezikon shëmbjen.

Kjo nuk është fytyra e shtetit shqiptar, ky nuk është dinjiteti që duhet të kenë shqiptarët të prezantuar në raport me veten e tyre por edhe me turistët që vijnë.

Ndaj sot nga Vlora i bëj thirrje Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës që menjëherë të nisë restaurimin e kësaj godine historike, të vërë paratë e duhura, të vërë njerëzit e duhur që të kenë mundësi që gjatë sezonit turistik të kemi dinjitet në simbolin më të rëndësishëm të identitetit kombëtar.