Muzhaqi: Mbështesim të rinjtë, së shpejti nis zbatimi i garancisë rinore! Trajnime, kurse profesionale me mbështetjen e shtetit ose punësim për të rinjtë

Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi foli në kuvend për projektligjin për nxitjen e punësimit dhe atë të strehimit social. Në fjalën e saj, Muzhaqi tha se ky është një projektligj i rëndësishëm që synon mbështetjen e të rinjve në situatë vulnerabël, ndërsa projektligji i strehimit social i ndihmon të sigurojnë banesën e tyre të parë.

Ministrja shpjegoi se me miratimin e projektligjit për nxitjen e punësimit sigurohet edhe baza ligjore për ngritjen e skemës së garancisë rinore në vend, e cila adreson nevojat e të rinjve shqiptarë të cilët nuk janë as në punë, as në shkollë dhe as nuk kanë një formim profesional.

Muzhaqi theksoi se programi i  garancisë rinore do të nisë zbatimin vitin e ardhshëm dhe synon formimin dhe aftësimin e të rinjve sipas nevojave të tregut të punës.

Të rinjtë që do të regjistrohen në zyrën e punësimit, brenda 4 muajve do t’u sigurohet një ofertë e vlefshme në përputhje me nevojat individuale, do t’u ofrohet ose trajnim ose edukim i mëtejshëm me mbështetjen e skemës ‘Voucher’ dhe në rastin e të rinjve të arsimuar, por të papunësuar do t’u ofrohet mundësi punësimi.

“Është e trishtë të dëgjosh kolegët në fakt që as nuk dëgjojnë dhe as nuk lexojnë dhe mbi të gjitha përmendin dhe fjalën kozmetikë për një ligj dhe për një skemë reformuese që nuk po e bën vetëm Shqipëria, e bën i gjithë Bashkimi Evropian e për më tepër ka dhe rezultate shumë të mira kur zbatohet. Edhe me qenë se ra fjala, edhe strategji për rininë kemi është 2022-2029, edhe strategji për punësimin dhe aftësimin kemi. Edhe kjo është e miratuar. Duhet t’i lexojmë njëherë strategjitë, t’i kuptojmë edhe masat edhe politikat që ata përcaktojnë se ndryshe pastaj nuk dimë t’i diskutojmë. Dhe kjo është e rëndësishme që ta bëjmë të gjithë ne, sidomos nëse jemi këtu duke bërë një debat konstruktiv.

Unë në ndryshim me kolegët mendoj në fakt që sot është një ditë shumë e rëndësishme, ku ne hedhim një hap shumë të rëndësishëm për të rinjtë shqiptarë, qoftë me projektligjin për nxitjen e punësimit, qoftë me projektligjin për strehimin social, sepse të dyja përbëjnë dy hallka shumë kyçe për mekanizmat që shteti po ngre në mbështetje të të rinjve në vend. Së pari, kur flasim për projektligjin për nxitjen e punësimit ky siguron një bazë ligjore për ngritjen e skemës së garancisë rinore në vend. Skema e garancisë rinore, që nuk po hartohet vetëm nga ne, po hartohet në bashkëpunim me ekspertizën më të mirë të Bashkimit Evropian dhe adreson drejtpërdrejtë nevojat e të rinjve shqiptare të cilët nuk janë as në punë, në shkollë apo duke ndjekur një program trajnimi.

Kjo skemë në vetvete synon, që pasi të identifikohen të gjithë të rinjtë sipas rasteve të tyre individuale, të ketë mundësi që të sigurohet nga ana e shtetit mbështetja dhe një ofertë e vlefshme punësimi, shkollimi apo formimi profesional, brenda 4 muajve të përfshirjes se një të riu në skemë. Dhe aktualisht qëndron se janë rreth 130.000 të rinj, ose 27% e numrit total të të rinjve në vend, që i përkasin kësaj kategorie, normë kjo, ndryshe nga çfarë u tha këtu që është më u ulët se mesatarja e vendeve të Ballkanit perëndimor, përtej kësaj mbetet pak më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, prandaj dhe është e rëndësishme që ta adresojmë sot.

Këto të rinj përbëjnë dhe pjesën me të cënueshme dhe janë në kushte më të vështira të të gjithë të rinjve në vend, prandaj dhe programi i garancisë rinore, i cili do të fillojë zbatimin vitin e ardhshëm,  përbën një nga programet me ndikimin më të drejtpërdrejtë dhe me të gjerë në numër përfituesish të përgatitura ndonjëherë për të rinjtë, duke iu përgjigjur edhe nevojave kryesore të artikuluara nga vetë ata, atë të formimit dhe aftësimit sipas nevojave të tregut të punës dhe sigurimin e punësueshmërisë së tyre", tha Muzhaqi.

Ministrja Muzhaqi u ndal edhe tek Programi i Kodimit, në kuadër të të cilit qeveria jep mbështetje për të rinjtë, në masën 100% por edhe 50%. Ndalur në shifra, Muzhaqi tha se në 5 muaj ka pasur mbi 3000 aplikime, prej të cilave 524 të rinj kanë filluar tashmë kurset e programimit dhe kodimit.

"E në këtë kuadër, meqenëse folëm më parë për inteligjencën artificiale, për kodimin, programimin dhe për të gjithë fushat e të ardhmes, duhet t’ju them që ne kemi një tjetër program që ka nisur zbatimin në janar të vitit 2023 dhe është në linjë me parashikimet e këtij projektligji. Programit i Kodimit për të rinjtë i mundëson çdo të riu mbi 16 vjeç ndjekjen e kurseve intensive të formimit profesional për zhvillimin e aftësive dhe kompetencave digjitale. Me anë të këtij programi, qeveria shqiptare ofron 100% mbështetje për ndjekjen e kurseve të programimit, për punëkërkuesit e papunë, dhe një mbulim 50% të pagesës së kursit, në linjë me konceptin Voucher ose të kuponit të prezantuar në këtë projektligj, për të gjithë studentët apo të rinjtë në marrëdhënie pune që duan të thellojnë njohuritë e tyre në fushat e programimit dhe kodimit apo duan edhe të ndryshojnë drejtimin e karrierës në përputhje me zhvillimet e tregut të punës.

Ky program është mirëpritur nga të rinjtë, siç vërtetohet edhe nga shifrat, se shifrat flasin më mirë se fjalët. Edhe në fakt për 5 muaj kemi pasur mbi 3000 aplikime, prej të cilave 524 të rinj kanë filluar tashmë kurset e programimit dhe kodimit dhe për t’u përfshirë në fushat e të ardhmes, jo vetëm të Shqipërisë por të gjithë botës”, tha Muzhaqi.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ PS rikthen çështjen e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, Balla ftesë Bardhit të ulen për bisedime! Berisha sulmon sërish policinë: Ndihem muxhahedin, Çuçi të dorëhiqet


SI.E./KT/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja