/ATSH-Flora Nikolla/.- Kreshnik Seseri, ka 18 vite që ka ikur nga Shqipëria. Në vitet e trazuara 97-të, ai shkoi në Amerikë, në 'Idenë' e jetës të tij, me dëshirën për t'ju bashkuar familjes së tij. Kishte ëndërruar gjithnjë të jetonte në Amerikë, dhe sot thotë se, "kur mësohesh të jetosh në kete vend është vështirë  të jetosh në vend tjetër". Pavarësisht të gjithave , Kreshnik Seseri, kujton me nostalgji fëmijërinë e tij në Tiranë dhe beson se gjenerata e tij e cila ka jetuar një periudhë të vështirë, ka qënë fundi i Tiranës së vërtetë. Në Amerikë ka mësuar se ëndrra, përkushtimi dhe qëllimi duhet të mbizotërojnë në jetën e njeriut. Ka mësuar dhe që askush nuk duhet të harxhojë kohën kot, sepse koha është sekreti i çdo arritje. Gjithnjë ka ndenjur me njerëz më të mëdhenj në moshë por edhe gjithnjë e ka shoqëruar një ndjenjë e fortë që njerëzit duhet ta dëgjojnë dhe ai duhet t'i udhëzojë. Që kur ishte 9 vjeç dhe pa filmin "Blues Brothers", Kreshnikut i hyri një dëshirë e marrë për filmin. Kinemaja u bë ëndrra e tij. Kur shkoi  për të jetuar në LA ishte  22 vjeç, shumë i zjarrtë dhe me shumë dëshirë për të mësuar gjithçka. Në Kaliforni, studio në Universitetin e Los Angeles Sout, dhe në  Beverlly Play House, një nga shkollat më të mira të Amerikës. Për të sot filmi është biznes por Seseri thotë se arti ka rënë shumë. Gjithsesi ai beson se do të shkojë në udhë të mbarë sepse ka shumë regjisorë dhe producentë të mire, dhe ndoshta kjo ide e shtyu të realizojë dhe pa patur ende buxhetin total filmin, "My Friends", një film me metrazh të gjatë që ka përfunduar xhirimet në Philadelphia të SHBA. Filmi ka në qëndër  mafian dhe korrupsionin në nivelet të larta. "My friends", i zhanrit dramë, aksion dhe erotik, bazohet  në ngjarje të vërtetë dhe është bazuar në jetën e Kreshnik Seserit dhe shokëve të tij. Ai është regjisor, skenarist dhe producent i filmit, por në film interpreton dhe rolin e një mafiozi peruan, kurse aktori shqiptar, Marko Caka luan rolin e policit. Në rolet kryesore interpretojnë aktorët, CastBrian, Anthony Wilson, Steve Dash, Reno Laquintano, Ivan The Terrible Santiago, Vincent Riviezzo, Marko Caka.  Mezi  pret të vizitojë Shqipërinë këtë javë. E di qe do të kënaqet shumë me shoqerinë e vjetër, miqtë dhe  kushurinjtë  që jetojnë në vendlindjen e tij. Por ka shumë dëshirë të shfaqë filmin e tij në Shqipëri dhe të tregojë përmes tij se ne kemi vlera.
K.S : Kreshnik  cila ka qënë fëmijëria juaj në Shqipëri?
F.N : Unë kam patur një fëmijëri shumë të mirë dhe të qetë.  Prindërit e mi kanë punuar shumë. Të gjithë e dimë si ka qënë  Shqipëria para viteve  90-të. Vij nga një familje e madhe luftëtarësh e patriotësh që i kanë shërbyer Atdheut , kanë qënë bamirës, të drejtë dhe të ndershem. Jemi fis i madh në Krujë, bile lagjja jonë atje vazhdon të ketë akoma emrin tonë "Seseri". Pavarësisht prejardhjes sime, unë jam lindur dhe rritur në Tiranë e cila në kohën e fëmijërisë sime ka patur shumë lezet. Kujtoj lojrat e fëmijërisë kur ndizeshin dritat e rrugës dhe kur luanim  me kausha, kanoçe, topa gropash, futboll. Kujtoj kur na bëheshin këmbët plagë kur luanim me një top llastiku që kur i binim flturonte dy kilometra. Kujtoj bukën më vaj dhe me kripë apo me sheqer që na shijonte aq shumë  kur e ndanim me kalamajtë e lagjes. Ça lezeti ka pas ajo Tiranë! Shtëpia ime ka qënë tek Shkolla e Kuqe, një lagje fantastike. Komshinjtë shkonin mire më njëri tjetrin, kishin respekt dhe dashuri. Gjenerata ime ka jetuar periudhë të vështirë por mendoj se kemi qënë fundi i Tiranës së vërtetë .
F.N : Si e përcaktoni sot Shqipërinë e para viteve 90 të ? 
K.S : Ka patur shumë probleme që besoj se pasojat vazhdojnë të na mbajnë peng. Mbyllja e kufijve i mbajti shqiptarët nën zinxhirë dhe kjo i dëmtoi shumë. Me kujtohet se si mbanim për zbukurim në bufetë tona, kanoçet e  Coca Colës. Më kujtohen, kur shoferët e eksportit sillnin rroba nga jashtë dhe i shisnin. Kush vishte rroba të jashtme shikohej si kur çfarë të ishte. Nga ana tjetër na mësuan  të besonim se në ishim më të mirët dhe  të mos besonim në fe . Pastaj lufta e klasave, mbyllja hermetike e popullit dhe mbytja e frymës demokratike ishin gijotinat e ëndrrave të shqiptarëve. Besoj se vitet  80-të ishin fundi i begatisë  politikës së atij regjimi.
F.N : Cilat ishin arsyet që e latë Shqipërinë ? 
K.S : Ika nga Shqipëria, pasi familja ime kishtë shkuar në Amerikë. Vëllai im kishte marrë statusin e  refugjatit nga viti 90-të pasi kishte jetuar në Itali dhë në Gjermani. Unë  isha i fundit nga familja që erdha Amerikë ku hyra ilegalisht, sepse kjo ishte e vetmja zgjidhje. Situata e vitit 97-të në Shqipëri ishte e frikshme. Shpresoj të jetë marrë një mësim dhe të mos ndodhë kur më ajo që ndodhi në atë kohë.
F.N : Dhe si u përballët ju më Amerikën , si  kishit menduar ju këtë  vend të madh dhe si u gjetët ju  në të?
K.S : Për mua Amerika ka qënë gjithnjë një ëndërr që kur kam qënë fëmijë dhe që kur pashë  filmin e John Belushit "Blues Brothers". Kishte qënë  energji e madhe nga unë e  hedhur në univers Amerika, që ndoshta mu plotësua kjo dëshirë. Për mua, Amerika është një Ide. Si e jeton ti, kjo varet nga ty. Unë u përballa me shumë vështrësi  me Amerikën. Por isha me fat se kisha dhe jam me familjen. Unë nuk vuajta në Amërikë, ashtu si vëllezërit e mi vuajtën në Europë.   Tashmë unë kam shumë shoqëri dhe ndjehem me fat. Kam shumë miqësi me italianët e  Amerikës, të cilët mendoj se na duan shumë, Por po ashtu  shkoj mirë edhe me Turqit e Amerikës. Kur shkova në kolegj  mësova më shumë për Amerikën dhe si funksionon ky vend.
F.N : Sot çfarë është për ju Amerika ? Si do ta zbërthenit ju jetën që bëhet në kontinentin amerikan ?
K.S : Amerika është vendi më i mirë për ne qe jemi mësur të jetojmë këtu. Kur mësohesh të jetosh në Amerikë, është vështirë të mund të jetosh në ndonjë vend tjetër. Ku do që të shkosh, të merr shumë malli për jetën që ti ke formuar në USA.  Amerika mbetet akoma një IDE shumë e këndshme si edhe  parajsa tok. Amerika është e bazuar në individin, dhe arritjen e maksimumit nga çdo amerikan. "Kushtetuta Amerikane" e them me plot bindje edhe 100%, eshte e  plotë dhe është dashuri!   Kur vjen  në Amerikë, duhet që çdo kush të ketë një ide, një qëllim.  Duhet një ëndërr  dhe të mos ecet  kuturru. Jam shumë i kënaqur dhe ndihem me fat që jetoj këtu .
F.N :Çfarë keni mësuar ju nga Amerika dhe ju në Amerikë ?
K.S : Kam mësuar se ëndrra, dedikimi dhe qëllimi duhet te mbizotërojnë në jetën e njeriut. Kam mësuar që askush nuk duhet ta harxhojë kohën kot, sepse koha është sekreti i çdo gjëje.
F.N : Ju keni jetuar në LA, si  do ta përshkruanit sot këtë qytet magjik të artit botëror ?
K.S : LA nuk është për të gjithë. Ky qytet është për njerëzit që nuk thyhen, për njerëzit e vendosur, për punëtorët e pa lodhur. Ky është qytet i magjisë, madhështisë, por edhe i tradhëtisë.  Aty ka shumë mundësi që ti të krijosh jetën më të bukur në rruzullin tokësor. Mundësitë janë të pafundhme. Në LA ka vend vetëm "For the Best" if you are second might as well be the last.
F.N : Cila është historia juaj  me  kinemanë, pse jeni lidhur me të dhe çfarë ju shtyn ju që që jetën tuaj profesionale ta lidhni me kinemanë ?
K.S : Kam ndenjur gjithmonë afër me njerëz më të mëdhenj në moshë. Më kanë  pëlqyer shumë historitë njerëzore por dhe Historia si fushë në përgjithësi. Kam një ndjenjë shumë të fortë që njerëzit të më dëgjojnë dhe unë t'i udhëzoj. Nuk e di se nga vjen kjo por unë e kam brenda në zemer e në shpirt këtë gjë. Kam qef që bota dhe jeta jonë këtu të jetë shumë më e mirë se çfarë është . Edhe kur më tregonin histori, unë i gjallëroja në mëndjen time.Që kur isha  9 vjeç dhe pashë filmin "Blues Brothers"  më hyri dëshira për filmat.Mendoj gjithashtu që filmi është një mjet i rëndësishëm në formimin e njerëzve. Nga njëherë njerëzit nuk duan të lexojnë e të mesojnë tradicionalisht, por filmi e thyen këtë bllokadë. Filmi prek shumë njerëz, gëzon shumë njerëz.
F.N : Cilën veti  pëlqen Kreshniku tek vetja e tij ?
K.S : Më pëlqën rrëmbimi, sepse pikërisht nuk më lë të  rri në një vend. Kam besim në instiktet e para, besoj se ato janë më të saktat . Të paktën kjo është eksperienca ime.
F.N : Sot çfarë është një film për ju?
K.S : Sot filmi është biznes. Arti ka rënë shumë.  Por besoj se do të shkojë në udhë të mbarë , sepse ka shumë rregjisorë dhe producentë të mirë. Por dhe Independent film ska vdekur akoma.
F.N : Si e shihni industrinë e filmit amerikan sot ?
K.S : Industria e filmit amerikan është në rënie. Këtu klasat e larta shohin Independent movies ndaj edhe Independët po mbijetojnë pavarësisht se nuk e di se sa kohë. Hollivudi po përsërit filmat dhe temat e vjetra të viteve 60-70-80. Janë si puna e dinosaurëve, nuk  e lëshojnë dot monopolin. Shiko Hollivudi ka vetem 6 studio.  Nuk duan shumë talente të reja sepse duan monopolin. Me zgjimin e shumë njerëzve dhe ideve të reja për një njerëzim më të dashur, të këndshëm të bashkuar e për më shumë bamirësi edhe në art. Sepse ne duam art të vërtetë; nuk ka vend per ato idealiste.
F.N : Cila ka qënë historia  e të bërit kinema ju në SHBA  
K.S : Kinemaja ka qënë ëndrra ime. Kur shkova për të jetuar në LA isha 22 vjeç, dhe aty  mësova shumë. Kisha mbaruar  Kolegjin në Philadelphia kur shkova në Kaliforni, në Universitetin e Los Angeles South,  dhe në Beverlly Play House, një nga shkollat më prestigjoze te aktorëve. Mësova shumë u antarësova në  SAG (Unioni Aktorëve të USA)-që është unioni më i madh në botë, gjë që është shumë  e vështirë por ja dola mbanë. Bëra dhe shumë  praktikë, natë e ditë duke bërë punë te ndryshme në Independent film, pa u paguar. Këto  më bënë të mësoj shumë  dhë krijoja edhe shumë miqësi. Pa miqësi nuk arrihet asgjë në fushën time.
F.N :Si dhe kur ju lindi ideja për të realizuar filmin tuaj me metrazh të gjate ,  "My Friends" ?
K.S :  Thelbi i filmit është shoqëria e katër  shokëve qe u rritëm në periferi të Filadelfias. Në film tregohet si ndryshoi jeta jonë dhe po ashtu tregohen sekrete që unë nuk i dija për miqtë e mi italianë dhe shqiptarë. Për të realizuar këtë film u dëshën pesë vjet ndërkohë që nuk kishim as buxhetin e plotë në momentin që nisëm realizmin e tij
F.N : Cili është sinopsi i filmit tuaj dhe  pse "My friends", ndoshta sepse  është një  pjesë e jetës tuaj e hedhur në këtë film ?
K.S : Sinopsi i filmit ..., miq të vjeter në anë të kundërta të ligjit, mundohen të ruajnë dashurinë, respektin dhe integritetin midis tyre. Kush do te jenë të parët që do  kalojnë zonën e paqes (gray zone), kush do të jenë ato që do të ndihmojnë dhe të respektojnë kur rreziku është çështje momenti, kush do të mbështesi njëri tjetrin kur shpresa është vetëm një fjalë goje dhe ajo ka vdekur, edhe pse së fundi po vjen, dhe vdekja ose burgu janë të paevitueshme.
"My Friends", është film me metrazh të gjatë që përfundoi xhirimet në Philadelphia. Filmi ka në qëndër  mafian dhe korrupsionin në nivelet më të larta, "My friends", i takon zhanrit dramë, aksion dhe erotik. Në të ka shumë histori të njerëzve që kam njohur gjatë gjithë kohës këtu në Amerikë. Jam regjisor, skenarist dhe producent i projektit, por në film kam edhe  rolin e një mafiozi peruan, kurse aktori shqiptar, Marko Caka luan rolin e policit.  Në rolet kryesore interpretojnë aktorët,  Cast Brian, Anthony Wilson, Steve Dash, Reno Laquintano, Ivan The Terrible Santiago, Vincent Riviezzo, Marko Caka.  Pra ideja është që duhet ta mbajmë shoqërinë afër, familjen akoma më afër, sepse  çdo lidhje ka një çmim. Interesi kur u morr vesh që po bënim një film ishte i madh.  Komuniteti i Philadelphia's , New York,  dhe Bostonit na nderuan e ftuan në disa festivale. Po ashtu u interesuan edhe në Sacramento California për të shfaqur filmin në televizion. Nuk e pranuam se filmi më pare duhet të shfaqet në kinema . Duhet durim, sepse gjerat e mira duan kohë. Unë jam i idesë që nuk të bën hyjnor talenti, por sjellja. Jam shumë i lumtur ku kam arritur të jem. Dhe kjo sepse te besh një film Hollivudian me gjithë jetën që kam kaluar unë,  është  sukses i madh. Jo për tu lavdëruar por ndihem  shumë mirë. I LOVE IT. Paraja shkon e vjen por lumturia është gjithçka.
F.N : Cila është skena më e preferuar në filmin tuaj?
K. S: Une do të veçoja skenën kur Chuck  flet me te birin Tom dhe kur më së fundi bindet që i jati e do. Nuk është e lehtë për një prind të rrisë fëmijë, sidomos në Amerikë. "TRUST ME".
F.N : Si  i shihni ju sot shqiptarët në Amerikë, nisur nga fakti se atje jetojnë një numër jo I paktë shqiptarësh?
K.S : Shqiptarët janë duke ecur  mirë. Ka shumë shqiptarë që janë rregulluar mirë ekonomikisht por janë indiferentë. Ajo që dua të them është së jo pak shqiptarë janë duke e humbur identitetin dhe për mua kjo është e frikshme. Unë jam shumë i lumtur dhe krenar që jam shqiptar.
F.N :Mendoni të  vini së afërmi në Shqipëri  dhe si e prisni këtë vizitë tuajën në vendin tuaj të origjinës?
K.S : Mezi e pres të vizitojë Shqipërinë. Kam 17 vjet pa ardhur. E di qe do kënaqem shumë me shoqerinë e vjetër, miqtë  dhe kushurinjtë. Por kam shumë dëshirë të shfaq filmin tim në Shqipëri dhe të tregoj përmes tij që ne kemi vlera. Jam një njeri i thjeshtë dhe nuk kam dëshirë të bëj shumë zhurmë. Shpresoj shumë që një ditë të punoj në zanatin tim si shkrimtar e regjisor dhe jo si menaxher në një restorant italian.
F.N : Cilat janë disa nga planet tuaja ?
K.S:  Për momentin kam në plan vetëm shitjen e distribucionin e filmit. Pastaj kam në mëndje edhe shumë projekte te tjera. Në  Shqiperi dhe në kulturën tonë ka shumë histori të bukura që mund t'ua tregojmë botes. Të mos harrojmë ne jemi bijt (Nipat) e Skënderbeut, vajzat e N'ën Terezës, dhe çunat e Ismail Qemalit. Ne ja vlejmë!, Faleminderit!