Madje më shumë ta rikujtojnë deklaratat se do fitojmë zgjedhjet dhe dy “ujqërit e vjetër” politik do i nxjerrim në pension. Në vartësi të këndvështrimit politik dhe mënyrës se si e hedh votën, mund të irritohesh, madje edhe nënqeshësh me to, por edhe mund të ndjesh keqardhje aq sa dhe optimizëm.
Në fund të fundit, nuk ka rëndësi se çfarë thuhet tani ,pasi nuk është se do japin dorëheqjen këta politikanë, nëse nuk dalin parti e parë. Askush nuk e ka bërë këtë gjë, as Ilir Meta. Dhe nuk pritet ta bëjnë as aspirantët e rinj, të cilët ende nuk i kam dëgjuar ta deklarojnë një gjë tillë.
Gjithcka bëhet në emër të marrjes së sa më shumë votave nga ajo kategori e targetuar në spektrin politik, ku luajnë. Dhe për hir të së vërtetës është një seksion jo i madh i mbetur në tortën e ndarë elektorale shqiptare e cila është e “gardhuar” pa lënë shumë hapësira për të tjerët.
Ata që janë të djathtë ose që duan të votojnë për Berishën, pa pasur iluzion, do votojnë edhe sikur ai të bëjë më shumë prapësira dhe të dështoj më shumë se kaq, apo të jetë edhe më i suksesshëm në rekordet e notit, të vetmit lajm të mirë sportiv në këtë muaj olimpik për kombin.
Në këtë linje edhe ata që duan të votojnë për PS, do votojnë për të, pavarësisht nga fakti nëse e duan apo urrejnë Edi Ramen me ide të reja rilindase e jotradicionale apo me Tëiter dhe editoriale.
Po ashtu, ata që duan të votojnë për LSI dhe Ilir Metën, sërish do votojnë për të, qoftë për një vend pune në administratë apo parti, pasi janë prishur me partine Nënë apo edhe nëse ai del me bllok në dorë apo i pafajshëm nga drejtësia.
Këto formacione të reja politike mund të argumentojnë se ka shumë shqiptarë që janë lodhur me bajlozët e vjetër dhe mund të pretendojnë se të lodhurit dhe të pakënaqurit do përfundojnë në prehrin e tyre magnetik. Ky mbetet një probabilitet i paprovuar, por gjithsesi në parim, nuk duhet përjashtuar deri në verifikim.
Në kalkulimet politike, këto deklarata janë mese normale dhe mund të interpretohen sa si diletantizëm aq edhe kujdes paraelektoral.
Do te habitesha për mire nëse Kreshniku dhe Aleanca do të dilnin parti e parë, siç po pretendohet. As Ilir Meta nuk doli edhe pse pretendoi shumë. Por nuk do habitesha nëse ata vetëm nën një flamur dhe ombrelle te madhe , nuk do ishin “king makers”, vendimtar për formimin e koalicioneve të ardhshme qeverisëse, në rast se nuk masakrohen në ditën e votimit nëpër komisionet e numërimit të votave, gjë që edhe mund të ndodh.
Them diletantizëm pasi duhet të lësh një shteg hapur, si çdo shtëpi apo apartament normal e ka një dalje ne rast zjarri. Dhe zjarrin nuk duhet ta kesh kurrë mes teje dhe daljes.
Ashtu si edhe në futbollin modern spanjoll ku po eliminohen rolet dhe po luhet me 8 mesfushorë dhe pas sulmues të mirëfilltë, edhe në politikën shqiptare, “mesfushorët e rinj”, duhet te luajnë sa majtas dhe djathtas, me pasime dhe lidhje te shkurtra. Kështu ka luajtur Berisha që pas zgjedhjeve të para, e deri më sot. Kështu po luan Ilir Meta. Kështu do luaj edhe Edi Rama, e kështu ka deklaruar së fundmi edhe ish Presidenti Topi, ndryshe nga FRD-ja!!!
Kjo mund të mos jetë parimore në politikë, e cila përgjithësisht s’njihet se ka parime, por është realitet jo vetëm në Shqipëri, e cila gjithnjë e më shumë po më mësohet me “kompromiset antihistorike”.
Idealizmi i tepërt, siç do gjë e tepruar ne jetë, në politikë i përket një bote tjetër, tashmë me epitaf.
Por këto deklarata njëkohësisht kanë shumë elemente të një kujdesi paraelektoral, që duhen mirëkuptuar deri në ditën e shpalljes ose marrjes vesh të trendit elektoral, pasi më pas, veprojnë parametra të tjerë.
Madje disa të tillë janë duke u aplikuar që tani, siç po na e rikujton duke na ulëritur përpara syve dhe veshëve z. Ndoka.
Nëse do të ketë një qasje dhe frymë të re siç pretendohet dhe nuk do të aplikohen parametra të tjerë, është mirë të flitet hapur me ata që u duhet marrë vota për atë se si do veprohet politikisht në rast të një Plani B.
Nuk ka pse as të zhgënjehen ata votues pasi ua ke marrë votën për të larguar Berishën dhe mbajtur Ramën në opozitë, nëse adopton modelin LSI. Kjo nuk do ishte konsistente me te vërtetat që po i tregohen nga këto forca të reja politike shqiptarëve.
Nuk ka vlerë as të gënjesh veten me rekrutim votuesish që nuk kuptojnë domosdoshmërinë e ndryshimit, aq sa nuk ka vlerë të kesh pranë aleatë që janë të gatshëm të kapërcejnë ylberin për çdo kockë të hedhur nga pushti dhe pushteti i ditës.
Përtej këtyre deklaratave, përtej kalcifikimeve elektorale të dy partive kryesore, jo aq premtimet avatare elektorale, sesa nuhatja se nga shkon era dhe jo fryma e pushtetit dhe më pas një vend pune apo një lidhje me pushtetin, do të jenë përcaktues se ku hidhet vota ditën e zgjedhjeve, në kushtet kur do mungojë besueshmëria për një frymë, politika apo vizion të ri qeverisës, në përpjekjet e dështuara deri më sot, për të larguar nga pushteti “të fundmin e mohikaneve demokratikes”, që historia u ofroi fatin të ishte komunisti i parë demokrat, dhe na ka ngelur “demokrati” i fundit komunist për 22 vjet në këtë vend.
Marre nga gazeta TEMA
(sg/shqiptarja.com)