Gjergji Oshafi, zv/drejtori i policisë së Elbasanit është goditur qëllimisht me një automjet, teksa ishte në krye të një operacioni për lokalizimin dhe bllokimin e automjeteve luksoze në qytetin e Elbasanit. Në momentin e goditjes Oshafi mësohet se ndodhej brenda automjetit të policisë, dhe për pasojë fatmirësisht nuk ka pasur asnjë dëmtim.

Automjeti i zv/drejtorit të policisë së Elbasanit është goditur qëllimisht nga një automjet i blinduar tip “Audi”, vlera financiare e të cilit bësohet se shkon në 100 mijë euro.Kjo makinë mësohet se drejtohej nga biznesmeni Petrit Çela. Pas goditjes me makinë, personat që ishin në ndjekje nga policia e Elbasanit kanë bërë rezistencë dhe kanë mundur të largohen nga rrethimi. Për të kryer arrestimin e tyre, pasi dyshohej se personat ishin të paisur me armë, në drejtim të Elbasanit, janë nisur nga Tirana grupe të repartit RENEA dhe FNSH-së.

Në orët e mbrëmjes të së Hënës, është mundur të arrestohen tre persona, ndërkohë që biznesmeni Petrit Çela është shpallur në kërkim policor. Çela rezulton të jetë pronari i tregut ushqimor në Elbasan. Ndërkohë që prej më shumë se 24 orësh Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) dhe RENEA janë në kërkim të biznesmenit dhe pronarit të tregut ushqimor në Elbasan, Petrit Çela.

Tre personat e arrestuar gjatë këtij operacioni janë shtetasit Ledio Zabeli, 26 vjeç, Kelmend Xhaferri, 35 vjeç dhe Valmir Dedja, 44 vjeç, të cilëve u janë gjetur lëndë narkotike, armë zjarri pa leje si dhe kanë kundërshtuar policinë gjatë ndërhyrjes për të ushtruar kontroll në ambientet e tregut agro-ushqimor. Policia ka sekuestruar dhe një automjet tjetër luksoz tip “Range-Rover” pasi dyshohet se është trafikuar.

Nga 7 makinat e sekuestruara, edhe një “Audi” tjetër A8 po i blinduar dhe “Range Rover”-i i ndaluar mbrëmjen e së hënës, rezultojnë po në pronësi të Petrit Çelës. Po ashtu, është arrestuar edhe roja i tregut ushqimor, i cili nuk i është bindur urdhrit të policisë për të hapur derën ku u fut “Audi” që përplasi makinën e policisë. Për ngjarjen e ndodhur në mbrëmjen e së Hënës, reagoi edhe kreu i opozitës Lulzim Basha. “Kur krimi i veshur me pushtet dhunon vetë policinë, vettingu duhet te nisë nga Kryeministri, ministri i Brendshëm e kryebashkiakët të bërë njësh me bandat”-shkruan Basha në rrjetet sociale, duke postuar edhe mesazhin e një qytetari, sipas të cilit makina e zëvendësdrejtorit të policisë në Elbasan është goditur nga dhëndrri i Qazim Sejdinit, Sokol Sanxhaktari me Suel Çelën, pasi një pikë kontrolli ka kontrolluar disa “ushtarë” të tyre”.

Në fakt biznesmeni Petrit Çela, është i ati i Suel Çelës, një person jo i panjohur për uniformat blu në qytetin e Elbasanit,por jo i përfshirë në këtë ngjarje kriminale. Aktualisht hetimet janë duke u kryer nga prokuroria e Elbasanit dhe pritet që ditët në vijim ky institucion ti drejtohet gjykatës së qytetit për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre të ndaluarve.

Gazeta “Shqiptarja.com” mëson se lidhur me këtë çështje kanë nisur hetime dhe specialistët e drejtorisë të SHÇBA pranë ministrisë së Brendshme, ku po verifikohen veprimet e policisë në terren gjatë kontrollit të automjeteve.

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com