Është e pamundur të jesh në Ramallah dhe të mos shohësh muzeun e Mahmud Dervish, një prej simboleve të Palestinës, krenarinë e këtij kombi dhe njeriut që “luftoi” me penë për çështjen palestineze. Ndërtesa tepër e veçantë nga ana arkitekturore është ngritur ngjitur me pallatin e kulturës, në majë të një kodre që vështron për nga Jeruzalemi, në rrethinat në jugperëndim të të qytetit.

Të duhet të ngjitësh disa palë shkallë, rreth 50 të tilla përpara se të gjendesh përpara varrit të tij, një monument ku shkruhet nga Palestina për Mahmud Dervish. E gjithë ndërtesa është konceptuar si një qendër kulturore kryesisht fokusuar në veprën e poetit më të madh palestinez. Për ata që nuk kanë dëgjuar kurrë për të, Mahmud Dervish ka publikuar mbi 30 volume me poezi dhe 8 libra me prozë, të cilat janë përkthyer në mbi 22 gjuhë të botës kryesisht në frengjisht dhe anglisht.
Ishte pikërisht ai që shkroi deklaratën e pavarësisë së Palestinës, të cilën “Jaser Arafat lexoi në Kombet e Bsshkuara në vitin 1988. Deklarata në origjinal ndodhet pikërisht brenda këtij muzeu, vetëm pak hapa larg vendit ku prehen eshtrat e tij. Ciceroni i muzeut na shpjegon me detaje jetën e poetit mërgimtar që nuk arriti kurrë të jetojë i qetë në tokën e etërve të tij, në Galilenë Perëndimore.

Ai lindi pikërisht aty në një fshat të vogël të quajtur Al-Birëa të cilin u detyrua ta braktisë kur ishte vetëm 7 vjeç pas një sulmi të ushtrisë izraelite. Familja emigroi në Liban, për tu kthyer më pas në zonën e Akres, që më pas u bë pjesë e Izraelit. Aty bëri edhe shkollën e mesme dhe publikoi poezinë e tij të parë “Zogjtë pa krahë” kur ishte 19 vjeç.
Poezitë e tij u publikuan fillimisht në një gazetë letrare periodike të Partisë Komuniste të Izraelit, në të cilën ai u bë më pas redaktor. Ai u bë anëtar i kësaj partie, vetëm për faktin se ishte e vetmja mundësi që të shkruante në gjuhën arabe dhe që të publikonte librat e tij. U largua më pas nga Izraeli në vitin 1970 drejt ish Bashkimit Sovjetik, ku do të studionte në Universitetin e Moskës vetëm për një vit përpara se të shkonte në Egjipt dhe Liban.

Në Kajro ku punoi për një të përditshme, ndërsa në Bejrut punoi si redaktor në një gazetë mujore dhe si drejtor i Qendrës Palestineze të Kërkimeve të Organizatës për Çlirimin e Palestinës. Kjo e fundit e përzgjodhi disa vite më vonë si anëtar të komitetit të saj ekzekutiv. Por kur iu bashkangjit Organizatës për Çlirimin e Palestinës në vitin 1973, Dervish u ndalua të hynte në Izrael.

Vetëm në 1995-sën, u lejua të hynte në Haifa, për të marrë pjesë në varrimin e një prej miqve të tij më të ngushtë. Pikërisht në atë kohë ju dha mundësia të vendosej në Ramallah, por nuk pranoi pasi kërkonte të kthehej në tokën e tij në Galile. Por në 1993-shin, pas marrëveshjes së Oslos, Dervish dha dorëheqjen nga ky komitet. Poeti që nuk rreshti kurrë së shkruari për vuajtjet e palestinezëve, kërkonte një qëndrim të ashpër por të drejtë në negociatat me Izraelin, dhe pavarësisht kritikave nga shteti hebre dhe lidershipi palestinez, ai besonte se paqja ishte mëse e mundur.

“Unë nuk dëshpërohem, por thjesht po pres për një revolucion të thellë në ndërgjegjen e Izraelit. Arabët janë të gatshëm të pranojnë një Izrael të fortë me armë bërthamore, gjithcka ai duhet të bëjë është të hapë dyert e fortesës së tij dhe të bëjë paqe”-pati thënë Dervish në një intervistë për të përditshmen izraelite Hareetz.
Dervish pati shprehur hapur edhe kritikat e tij ndaj Hamasit për marrjen nën kontroll të Rripit të Gazës, duke deklaruar se organizata kishte vendosur flamurin e saj në vend të atij kombëtar, çka palestinezët nuk mund ta pranonin. Shumë prej poezive të tij u përkthyen në gjuhën hebraike, por shpesh u shndërruan në argumenta për ta akuzuar poetin për antisemitizëm.

Për shtetin hebre ai kërkonte largimin e izraelitëve nga Izraeli, ndërsa Dervish në fakt kërkonte tërheqjen e tyre nga tokat palestineze. Në sallën e madhe brenda muzeut që mban emrin e tij, mund të shohësh tavolinën e tij të punës, dhe pranë saj xhaketa që kishte veshur për herë të fundit vendosur mbi karrike. Në anën tjetër të murit janë disa prej dhjetra cmimeve ndërkombëtare që kanë nderuar krijimtarinë e tij letrare dhe librat e publikuar në dhjetra gjuhë të botës.
Mahmud Dervish ndërroi jetë në 9 gusht të 2008-ës, në moshën 67 vjeçare, pas problemeve të shumta në zemër në një spital në Hjuston në Teksas. Në mars të vitit 2000, ministri i atëhershëm izraelit i arsimit propozoi që dy prej poezive të tij të përfshiheshin në kurrikulën e shkollave të mesme të Izraelit, cka u hodh poshtë nga kryeminisri Ehud Barak.

Vetëm pas vdekjes së poetit, debati lidhur me këtë u rihap. Megjithëse u akuzua se urrente hebrenjtë, cka e ka mohuar gjithmonë, Dervish e përshkruante hebraishten si gjuhën e dashurisë. Shumë prej poezive të tij, u bënë këngë siç ishte Zogjtë e Galilesë, dhe u shndërruan në himne për të paktën dy breza.
Në vitin 1997, një dokumentar me titull emrin e tij u prodhua nga televizioni shtetëror francez dhe me regji të regjisorit izraelito-francez Simone Bitton. Për Francën dhe më vonë në mbarë botën ai ishte jashtëzakonisht i respektuar dhe vlerësuar si një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të Lindjes së Mesme. Ai është përshkruar si rimishërimi I poetit politik në Islam, njeriu që “luftoi” me poezi për cështjen palestineze dhe i tregoi botës vuajtjet, jetën dhe ëndrrën e këtij populli.
 
CITIME TE MAHMUT DERVISH
“Nuk duhet të justifikojmë kamikazët. Ne jemi kundër tyre por duhet të kuptojmë se çfarë i shtyn këta të rinj të kryejnë veprime të tilla. Ata thjesht duan të çlirojnë veten nga një jetë e errët. Nuk është ideologji, por dëshpërim”.

“Do të vazhdoj të humanizoj edhe armikun…mësuesja ime e parë që më mësoi hebraisht ishte hebreje, dashuria ime e parë ishte me një vajzë hebreje. Gjykatësja e parë që më çoi në burg ishte nje grua hebreje. Kështuqë që prej fillimit, nuk i kam parë izraelitët si djaj apo ëngjëj por thjesht si qënie njerëzore”.

Shkrimi u publikua sot (14.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)