TIRANE- Mamitë që punojnë në katin e katërt të maternitetit “Koço Gliozheni”, ku shtrohen të gjitha gratë që i sjellin në jetë fëmijët e tyre me operacion, janë të tronditura nga ngjarja e dy ditëve më parë. Ata e njohin shumë mirë, Linditën, e cila fatkeqësisht do t’i duhet të kalojë një situatë mjaft të vështirë, pasi bashkëshorti i saj, i hodhi fëmijën e porsalindur nga dritarja e dhomës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Sipas tyre, nënën e re, gjatë mesditës së djeshme, e kanë marrë në shtëpi prindërit e saj, ndërsa ata të burrit kanë kërkuar që t’i bëhet ADN-ja që do të vërtetojë nëse Hysen Biba që e hodhi nga dritarja ishte i ati, apo dyshimet e tij ishin të vërteta. Ja se çfarë na tregon një nga mamitë që i ka shërbyer ditën e hënë, pak para se të ndodhte ngjarja, 25-vjeçares së shtruar në dhomën nr.5 të këtij materniteti.

Ju e njihnit çiftin që u përfshi në këtë ngjarje të rëndë?
Po, unë edhe gjatë ditës së djeshme (ditën e hënë) i kam shërbyer madje edhe në dhomë. Ata kishin marrë me vete edhe djalin e madh. Ishte pak më shumë se dy vjeç.

Po bashkëshorti i saj, a ishte aty?
Po ai ka ardhur vazhdimisht. Edhe ditën e hënë, ka ardhur rreth orës 7:30 të mbrëmjes dhe u ka sjellë një qese plot me ushqime. Fëmija kishte lindur që të premten dhe ishte një fëmijë i shëndetshëm. Ditën e sotme (pra dje) do të dilte nga spitali, pasi edhe nëna, edhe fëmija ishin shumë mirë.

Po më pas çfarë ndodhi?
Burri i Linditës qëndroi nja një orë me të në dhomë, pastaj i tha se do të dilte për të pirë një kafe dhe do të vinte sërish. Dhe në fakt, ka dalë, dhe është kthyer pas nja 15 minutash. Unë nuk kam qenë në atë moment në dhomë, por më treguan se kur është kthyer në dhomë kishte një vështrim të tmerrshëm. Sikur ishte transformuar. Atëherë e ka marrë fëmijën në krahë dhe e ka hedhur nga dritarja.

Po djali tjetër në atë moment ishte aty?
Jo, jo e kishin marrë familjarët më parë, se ishte vonë.

A kanë pasur probleme me njëri-tjetrin dy bashkëshortët?
Po, ata grindeshin shpesh me njëri tjetrin-tjetrin që ditën e parë që ajo e ka lindur fëmijën.

Po tani si është gruaja?
Ajo ka qenë shumë keq, i kanë ndenjur psikologë te koka. Por gjatë drekës kanë ardhur i ati i saj dhe e ka marrë në shtëpinë e saj, dhe jo tek e burrit.
(Intervista u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)