TIRANE- Qeveria miraton procedurat e rekrutimit, përzgjedhjes, periudhës së provës dhe lëvizjes paralele për nënpunësit civilë. Ky vendim rregullon procedurën e rekrutimit, të emërimit dhe periudhën e provës për nëpunësit civilë të kategorisë ekzekutive, si dhe procedurën e lëvizjes paralele e të ngritjes në detyrë. Procedura e pranimit në shërbimin civil organizohet vetëm për kategorinë ekzekutive. DAP organizon procedurën e pranimit për të gjitha pozicionet e kategorisë ekzekutive për administratën shtetërore, ndërsa njësitë përgjegjëse në institucionet e pavarura/njësitë e qeverisjes vendore organizojnë procedurën për institucionet respektive.

Bazuar në planin vjetor të pranimit, njësia përgjegjëse njofton procedurën e pranimit për çdo grup, duke bërë të njohur edhe planin e zhvillimit të procedurës për secilin grup, jo më vonë se një muaj pas miratimit të këtij plani nga organet përgjegjëse, ose gjatë vitit kur shfaqet e nevojshme si rezultat i krijimit të vendeve vakante në mënyrë të paparashikuar. Për institucionet e administratës shtetërore shpallja e procedurës së pranimit për secilin grup publikohet në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” e faqen zyrtare të DAP e qëndron e publikuar deri në përfundimin e procedurës së pranimit.

Vendimi parashikon që shpallja e procedurës së pranimit botohet të paktën 60 ditë kalendarike para datës së parashikuar për zhvillimin e konkurrimit. Pranimet në administratë do bëhen në bazë të një konkursi, që do zhvillohet në dy faza. Faza e parë ka të bëje me njohjen e aftësisë se kandidatit e faza e dytë me vlerësimin e tij. Pranimi për punësim në administratë do të bëhet në dy faza. Faza e parë që do jetë ajo e provës do të zgjasë deri në 1 vit, në rast se prova për 6 muaj s’rezulton e suksesshme dhe pastaj do ndiqen të tjara proceduara për të punësuar kandidatin që aplikoi për t'u punësuar në administratën shtetërore.

KPP në përfundim të fazës së vlerësimit liston kandidatët fitues me mbi 70 pikë duke filluar nga kandidati me rezultatin më të lartë. Në rast se njëri prej kandidatëve përfshihet në kategorinë e personave me aftësi të kufizuar, atëherë ai përzgjidhet i pari në raport me kandidatin tjetër. Procedura e lëvizjes paralele bëhet për plotësimin e vendeve të lira në kategorinë ekzekutive, të ulët dhe të mesme drejtuese në çdo institucion të shërbimit civil.

Në rastet kur një vend vakant në kategorinë e nivelit të mesëm apo të ulët drejtues nuk plotësohet nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele njësia përgjegjëse shpall procedurën e ngritjes në detyrë. Ndërkohë që në vendimin e qeverisë është bërë dhe përshkrimi e klasifikimi i vendeve të punës sipas kategorive nga më e larta deri te më e ulta, nga sekretar i Përgjithëm, drejtorë e deri tek specialistët.

Shkrimi u publikua sot (13.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)