Për më shumë së dy orë para oborrit të Parlamentit, me qindra protestues me pankarta të ndryshme në duar kanë lëshuar akuza mbi qeverinë se nuk ka mbajtur premtimet dhe se nuk ka respektuar ligjin në shkarkimin e tyre. Në mbështetje të tyre shkuan edhe deputetë të opozitës, që u premtuan përkrahje në kauzën e tyre të drejtë. Protestuesit mbanin pankarta në duar ku shkruhej “Më kthe në punë”, ”Mbrojmë administratën”, “Ku ma ke konkursin?”, “Deputetë na mbroni”.
Gjatë fjalës së saj para protestuesve, deputetja Majlinda Bregu, u tha protestuesve se do të kenë mbështetjen e opozitës, kudo që ata do të jenë. “Ata të cilët nuk interesohen për të drejtat e qytetarëve, për jetën e qytetarit ata nuk meritojnë që ta drejtojnë këtë vend asnjë orë. Ne do t’ju mbështesim çdo ditë çdo orë, në çdo moment tuajin, kudo që të jeni”, u shpreh Bregu.
Brenda sallës
Nga ana e tij kryetari i Parlamentit, Meta ironizoi qëndrimet e deputetëve PD-së duke thënë se ata po mbanin një antimiting ndaj Bashës pasi ky i fundit nuk i lejoi të flisnin në protestën e 20 shkurtit para Kryeministrisë si dhe zgjedhjeve brenda së djathtës. “Ka edhe një arsye për të cilën ne duhet t’i mirëkuptojmë, për shkak të garës që kanë brenda partisë, se kanë zgjedhjet e reja dhe u duhet protagonizmi në parlament sepse mendojnë që në këtë mënyrë mund të evidentohen më mirë në strukturat e reja të partisë.
Ne do ta ruajmë durimin dhe qetësinë si gjithmonë dhe do t’i ftojmë për bashkëpunim dhe gjithëpërfshirje”, tha Meta. Ndryshe nga seancat e mëparshme, ajo që ra në sy mbledhjen e djeshme ishte pikërisht fakti se kryeministri Edi Rama nuk ka replikuar në asnjë moment kundër akuzave të opozitës. Madje ai i ka marrë me sportivitet ato. Kjo u duk në faktin se ai nuk kërkoi asnjëherë fjalën për të replikuar apo për të diskutuar për rendin e ditës, apo dhe akuzave që u lëshuan për të.
Madje në disa momente ai është larguar nga karrigia e tij për të ndjekur debatet dhe akuzat e opozitës në radhët e deputetëve të PS-së. Qëndroi disa momente me ish-kryeministrin Bashkim Fino dhe më pas kokë më kokë me deputetin Koço Kokëdhima, duke qëndruar kështu deri në fund të mbledhjes.
Debatet dhe batutat në Kuvend
Braçe: Shqiptarët po paguajnë ende për monopolet e Berishës
Meta: Keni ardhur këtu për anti-miting, por nuk e keni me ne, por me kryetarin tuaj të ri, që nuk ua dha fjalën në mitingun që organizuat në 20 shkurt. Më keni gjetur mua tolerant këtu dhe vini e shkelni rregulloren
Topalli: Ju jeni Kryeministri më i pafytyrë që ka pasur Shqipëria, dilni dhe flisni përballë dhe mos belbëzo dhe kërcëno pas kurrizit. Zoti Kryetar i Kuvendit, keni nisur procedurën e çmontimit të ligjit dhe Kushtetutës, ndërsa ne si opozitë kemi detyrë të rikthejmë Kushtetutën dhe ligjshmërinë në këtë vend. Edi Rama dhe Ilir Meta nuk mund të mbajnë peng këtë vend. Kemi Kryeministrin më qesharak që ka njohur ky vend, mund të flasësh me gjuhën që je mësuar, por harroje ti se mund të kërcënosh opozitën. Je i paburrë, padinjitet. Zoti Kryetar i Kuvendit përgjegjësinë për seancën e kaluar e keni vetëm ju, ndaj ju kërkoj të riktheni procedurën. Mos fol pas shpinës sime. Bëhu burrë e fol para meje. Je Kryeministri më i pafytyrë që mund të ekzistojë.
Rama qesh
Topalli: Mos fol pa leje.
Abazi: Kape për zhelesh, për zhelesh Zhozi
Topalli: Ju kërkoj zyrtarisht që të lejoni të hyjnë në Parlament. Kjo është shtëpia e tyre.
Meta: Zonja Topalli, jo të gjithë deputetët janë ngritur në këmbë, kjo tregon se keni probleme me unitetin. Përsa i takon ligjshmërisë, po ju them se nuk e kam votuar zonjën Xhuka, pavarësisht konsideratës që kam, dhe j’ua kam thënë qartë se një zv.ministre nuk mund të caktohet në kundërshtim me ligjin në krye të një institucioni të depolitizuar sikundër është ILDKP. Mitingu i javës së kaluar ishte unik për faktin se nuk foli asnjë deputet i partisë më të madhe opozitare.
Berisha: Ne mblidhemi këtu pasi Kuvendi kreu në kuptimin absolute të fjalës një puç antikushtetues. Ju udhëhoqët Kuvendin në një votim të tipit nazist. Në kundërshtim me ligjin shkarkuat Zana Xhukën dhe morët përsipër të anulonit votimin e Kuvendit të mëparshëm. Për t`i marrë pushtetin Presidentit të Republikës, që ligji ia njeh të drejtën e dy kandidaturave, ju thatë se ajo i përmbush kriteret për t’u votuar dhe e larguat. Adolf Hitleri çoi një ligj në Kuvend që autorizonte Qeverinë të tejkalonte kompetencat e saj. Edvin Kristaq Rama, pa asnjë ndryshim ligjor, dhunoi një nga një nenet e kushtetutës së Shqipërisë. Duke nisur nga neni i simboleve, dhe vijoi me nenet që garantojnë privatësinë dhe sigurinë e banesës, ndarjen e pushteteve. Ju i morët pushtetin Presidentit të Republikës, dhe kjo nuk ndodhi as në Gjermaninë naziste.
Paloka: Do të jemi në sallën e Kuvendit gjatë gjithë kohës për t’ju kërkuar që Parlamenti të kthehet brenda ligjshmërisë, brenda Kushtetutës. Ju po veproni me të njëjtën arrogancë ndaj opozitës dhe ndaj qytetarëve shqiptarë, që sot janë në protestë në të gjithë Shqipërinë.
Meta: Ju falenderoj që nuk po veproni sikundër keni bërë kohë më parë, pasi unë e kam thënë që ne duhet të mësojmë nga gabimet e njëri-tjetrit.
Bregu: Ju merreni me numrin e njerëzve që marrin pjesë në protesta, ju bëni komente mbi opozitën, ju na tregoni se kur duhet të flasim, pse nuk duhet të flasim, pse duhet t’i biem tavolinave. Ju jeni bërë si Tabir Saraj i Kadaresë, e keni kthyer këtë Kuvend në një Pazar
Balla: Nuk ka ndodhur asnjëherë që opozita të bëjë një sjellje të tillë të turpshme për të bllokuar Kuvendin. Po përpiqet në çdo mënyrë të bllokojë punën e Kuvendit, i cili vetëm një javë më parë i ktheu legjitimitetin institucionit më të lartë të deklarimit të pasurive të zyrtarëve. Akti i një jave më parë i Kuvendit, shkarkimi i Kryeinspektores Xhuka, i ka kthyer pavarësinë ILDKP-së dhe i ka hapur rrugën një transparence të domosdoshme që u duhet bërë politikanëve, zyrtarëve dhe çdo funksionari të lartë në Shqipëri.
Braçe: Ai ka kurajën dhe vjen këtu për të kërcënuar një pushtet legjitim. 5 mijë protestues s’ka polici që i ndal, po prandaj ai më 21 Janar vrau 4 protestues. I vrau në mes të bulevardit dhe tha se po të ishte nevoja do të vriste edhe 100. A e ka dëgjuar Prokurori i Përgjithshëm këtë deklaratë? Rasti i Janukoviçit është i qartë, ai do të gjykohet në Hagë dhe ky duhet të gjykohet në Hagë. Po protestojnë sot bizneset e duhanit, pasi Sali Berisha me dhunën e kartonave në këtë Parlament i detyroi ato të vendosin pullat fiskale në kompaninë monopol që e ka këtë shërbim. Kjo do të ndodhë edhe me karburantet.
Sot e dëgjova Ç’ka ndodhur me kompanitë e kafeve. Kam të dhënat e kompanive. Janë 4 kompani kafesh. Kompania e Sali Berishës ka që nga 2009-2013 që ka paguar 0 lek mbi tvsh. Kompani zotërohet nga një biznesmen të cilit monopolin ia ka dhënë Sali Berisha. Ka një protestë të sipërmarrësve të duhanit sepse i ka detyruar Sali Berisha që të gjithë të paguajnë për pullat fiskale tek sipërmarrësi i Sali Berishës. Për shkak se Sali Berisha i ka dhënë monopolin edhe një kompanie tjetër për kontrollin e automjeteve, njerëzit janë të detyruar të paguajnë shumëfish. Sali Berisha i merr paratë, tek biznesmeni të cilit i ka dhënë monopolin e kontrollit të automjeteve.
Subashi-Topalli
Subashi: Le të shkëmbejmë disa opinione bashkërisht për këtë çështje dhe pastaj njerëzit le të na gjykojnë. Çfarë ka ndodhur realisht me ILDKP-në? Kanë bërë ankesë për Inspektoren e Përgjithshme dhe sipas ankesës, inspektorja nuk zbatonte ligjin në detyrat e saj, neglizhonte me dashje detyrat e veta. Kuvendi nuk mund të mbyllte sytë përballë ankesës që ju drejtua dhe ne nisëm verifikimin e situatës. Zonja nuk plotësonte kriteret taksative që kërkonte ligji.. Nëse sot ju na akuzoni se nuk kemi respektuar të drejtën e Presidentit, atëherë unë po ju them se Shkëlqim Ganaj, që u votua nga Kuvendi, ishte propozuar nga Presidenti i Republikës një vit më parë, bashkë me emrin e zonjës Xhuka.
Topalli: Thuaj shqiptarëve, pse je nën hetim nga ILDKP për pasurinë tënde?
Subashi: Kur kemi pyetur sepse u vu Zana Xhuka në krye të ILDKP-së, na thanë se ka punuar bashkë me ju në Universitetin e Shkodrës dhe ju bënte kafenë. Zonja Xhuka jo vetëm që do të shkarkohej, por do të përgjigjet edhe penalisht për shkeljet që ka bërë.
Meta: Ju falenderoj shumë që qëndruat në këmbë në respekt të deputetit Armando Subashi. Nuk ju ndalon askush që t’i bini tavolinave, por nuk keni të drejtë të prishni kompjuterët. Administrata e Kuvendit, pas kësaj seance të verifikojë gjendjen e tyre
Topalli: Zoti kryetar, ky grup parlamentar, ndryshe nga ç'keni bërë ju personalisht, bashkë me shumë që janë këtu në këtë sallë, nuk hipën mbi tavolina, apo mbi karrigen e ministrave, siç keni bërë ju, jo shumë kohë më parë. Ju mund të bëni sikur jeni rivirgjëruar, por ai që keni qenë jeni përsëri.
Meta: Opozita të kontribuojë për fuqizimin e kontrollit parlamentar. Është absurde që përfaqësuesja e një institucioni nuk denjonte të komunikonte me Kuvendin dhe Komisionin e Ligjeve. Ajo nuk paraqitej edhe pse përveçse detyrim kushtetues, e kishte edhe detyrim etik, moral e ligjor, sepse çdo person që zgjidhet nga Kuvendi, e ka për detyrë të respektojë Kushtetutën, ligjet dhe Kuvendin. Ftoj PD-në të kontribuojë për fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit.
Shkrimi u publikua sot (28.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)