Vrasja monstruoze e 12-vjeçarit këtë të mërkurë në Palësë, nga kushëriri i tij Jorgo Zani, një i sëmurë mendor dhe i droguar, mund të ishte shmangur nëse institucioni që ka diagnostikuar autorin do të kishte zbatuar ligjin për personat me probleme mendore.

Sipas legjislacionit aktual shqiptar, në Kodin e Procedurës Civile nga neni 382 e në vazhdim dhe ligji për shëndetin mendor në nenin 9 parashikojnë heqjen e zotësisë për të vepruar të personave me probleme të shëndetit mendor. 

Nëpërmjet një kërkese civile në gjykatë nga institucionet që kanë konstatuar anomalitë e pacientit që ka probleme mendore dhe që nuk ka kujdestar, mund të bëhet heqja e zotësisë. Këto ligje nuk janë thjesht të shkruara por kanë gjetur zbatim në dhjetëra raste. 

Nëse do të analizojmë ngjarjen makabre të Palasës, duhet parë nëse mjekët e spitalit psikiatrik të Vlorës që kanë diagnostikuar vrasësin e kanë parashikuar ose jo që rëndimi i sëmundjes që kishte Zani mund ta kthente 30-vjeçarin në një vrasës brutal dhe përçudnues. Nëse kemi të bëjme më një rast të tille, dhe të gjithat gjasat duke marrë parasysh mënyrën e kryerjes së krimit dhe monstruozitetin e tij na çojnë në një përfundim të tillë, pyetja që shtrohet është; përse nuk kanë ndjekur procedurat për izolimin e tij?

Kjo përgjigje do të dalë mënjeherë pas mbylljes së hetimit, por ky rast le të shërbejë si një moment sensibilizimi dhe rritjes së vëmendjes për institucionet që merren me personat me çrregullime mendore, në mënyrë që të shmangën tragjedi të tjera të ngjashme.

Redaksia Online
Al.Ç/Shqiptarja.com