TIRANË - Ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka kërkuar mosvotimin e kandidaturës së Arjan Qafës për gjyqtar apeli nga KLD, në kushtet kur Inspektorati i Kontrollit të Pasurisë, ka gjetur një shumë prej 200 mijë eurosh të pajustifikuara nga personi në fjalë. Arjan Qafa ka mbajtur postin e inspektorit në inspektoratin e KLD-së, teksa kërkesa e Ministrit Naço për të shqyrtuar këtë rast në mbledhjet e KLD nuk është marrë parasysh.

Në prag të nisjes së mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ministri Nasip Naço shprehet i revoltuar pasi sërish kërkesa e tij për të trajtuar rastin e inspektorit të KLD-së, për të cilin IKDKPI ka gjetur 200.000 euro të pajustifikuara, ndërsa shton se ai vetë deklaron se rreth 70.000 euro vijnë nga puna part time si shitëse e së shoqes.

Naço thekson se shpreson që  KLD të ketë sadopak integritet dhe të mos e votojë sot këtë inspektor i cili është kandidat për anëtar i Gjykatës së Apelit.

“KLD gjen dhe fut në rend të ditës gjithçka dhe nuk fund në rend dite kërkesën e Ministrit të Drejtësisë që është me të vërtetë e rëndësishme kundër korrupsionit. Të përcaktohet axhenda e tyre. Lus zotin që KLD të ketë pak integritet, të paktën të mos ta votojë sot për anëtar të gjykatës së apelit.”- shprehet Naço.

Ndërkohë që lidhur me rendin e ditës së sotme ku është parashikuar emërimi i të gjithë krerëve të gjykatave në rrethe, Naço shprehet se prej shtatorit të vitit të kaluar ka inkurajuar Këshillin e Lartë të Drejtësisë që të fusi në rend dite këto emërime.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)