TIRANE- Përmirësimi i sistemit të drejtësisë është një domosdoshmëri. Këtë e ka shprehur Ministri i Drejtësisë Nasip Naço gjatë një takimi me grupin e ekspertëve të Komisionit të Venecias. Kreu i drejtësisë shqiptare tha se opozita është e mirëpritur në sfidat reformuese. Ndërkaq, ministri Naço tha se janë të mirëpritura rekomandimet e Komisionit të Venecias në realizimin e reformave.

Referuar faktit se një pjesë e kësaj reforme kërkon ndryshime të karakterit kushtetues, Qeveria Shqiptare, përmes Ministrisë së Drejtësisë, e ka ftuar zyrtarisht Komisionin e Venecias për të dhënë sugjerimet e tij në lidhje me objektivat e përcaktuara që priten të orientojnë këtë reformë.

Ministri Naço i ka informuar bashkëbiseduesit në lidhje me fokusin e reformës në drejtësi duke u ndalur në nevojën për ndryshimet në Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Konferencën Gjyqësore, etj.

“Gjykata e Lartë po përballet me një numër çështjesh të mbartura të cilat janë të papërballueshme dhe arsyeja kryesore e kësaj mbingarkesë është që në praktikë palët ankimojnë çdo çështje para Gjykatës së Lartë, sepse kjo gjë lejohet në rregullat proceduriale ekzistuese. Mangësitë në organizimin e brendshëm të gjykatës janë gjithashtu përgjegjëse, për shkak të vendeve të lira të gjyqtarëve, përbërjes së trupit gjykues për pranimin e çështjeve, mungesës së ndihmësve ligjorë etj. Nga ana tjetër, ligji duhet të mbështesë shndërrimin e Gjykatës së Lartë në një Gjykatë Karriere, nëpërmjet përcaktimit të kritereve transparente për emërimin e gjyqtarëve me përvojë, duke i dhënë përparësi përvojës në gjyqësor dhe nëpërmjet konkretizimit të kërkesave të parashikuara në Kushtetutë”, u shpreh Ministri Naço

Përsa i përket reformës në Gjykatën Kushtetuese, Ministri Naço vlerësoi si prioritare çështjet që lidhen me emërimin dhe kualifikimin e gjyqtarëve, procedurat e përzgjedhjes së tyre, organizimin e kësaj gjykate, etj.

Reforma në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ka paraqitur interes për grupin e ekspertëve të Komisionit të Venecias dhe Ministri Naço u shpreh se prioritare në vizionin e Ministrisë së Drejtësisë, janë problematikat qe lidhen me përbërjen, statusin si edhe rolin e anëtarëve të KLD-së; emërimin, transferimin si dhe procesin e vlerësimit të gjyqtarëve; por njëkohësisht edhe harmonizimin e punës së dy inspektoriatëve përkatës, atij të Ministrisë së Drejtësisë dhe atij të KLD-së.

Vëmendje gjatë këtij takimi i është kushtuar edhe reformës në organin e Prokurorisë së Përgjithshme, ku ndër të tjera theksi u vu edhe në rritjen e rolit të Këshillit të Prokurorisë, i cili aktualisht ka vetëm funksionet e një bordi këshillimor.
 
Ekspertët nga ana e tyre theksuar se reformimi kërkon bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët.

Pasi janë njohur me propozimet e Ministrisë së Drejtësisë në kuadër të reformimit të sistemit, ekspertët e Komisionit të Venecias u shprehës se do të vijojnë takimet dhe diskutimet në lidhje me planet dhe projektet e parashtruara, dhe më pas do të konkludojnë në një dokument përmbledhës me sugjerimet përkatëse.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)