Të shtënat e trimave të Gates janë po aq kaotike, po aq pa sens sa postimet e doktorit në Facebook. Në një prej postimeve të fundit, pasi sulmon policinë për terror mbi popullsinë civile në Lazarat, Saliu akuzon Ministrinë e Brendshme se ndihmon vetëm Televizionin A 1Report dhe Top Chanel, ndërkohë që gjithnjë sipas Saliut po diskriminon mediat e tjera. Pra sipas Saliut ne jemi vegla të qeverisë. Eshtë një mesazh sa perfid aq dhe i sinkronizuar, mes Facebookut të doktorit dhe asaj që po ndodh në terren. Doktori kërkon të krijojë një front lufte, nga njëra anë banorët trima, liridashës, patriotë e demokratë të Lazaratit përballë policisë që ushtron terror e mbështetur nga televizioni A1Report. Lëvizje më të pistë politike vështirë të imagjinohet. Në sokakët e Lazaratit, ku prej tre ditësh qeni kërkon të zonë, Saliu përcakton se kush duhet të jetë target.
Sipas Saliut një target duhet të jemi ne.
Nuk ia vlen të them se aty është në luftë antishteti me shtetin, përfshirë dhe 2 mijë banorët e ndershëm të Lazaratit që duan të shpëtojnë një herë e mirë nga flama në të cilën kanë qënë të detyruar të jetojnë për shkak të politikës. Këtë e di çdo njeri me minimum logjike.
Në këto pak rreshta dua t’i kujtoj Saliut se për dy ditë rresht stafi i A1Report ka qenë nën sulmin më të pashpirt të atyre banditëve që vazhdojnë të jenë të rrethuar në Lazarat. Gertit, Renisit, Hairit dhe Nikut ju vendos kallashi në kokë, pamje horror që i transmetuam live. Makina me logon tonë u mitralua dhe më pas ju vu zjarri. Aty është ende si një momument profesionalizmi, të cilin t’i dhe putanat e tua mediatike, që të bënë felation për tetë vjet me rradhë nuk mund ta kuptojnë, o doktor. Nuk mund ta besosh, prandaj tërbohesh nga zhgënjimi pse boudoir i dikurshëm i yti mediatik ka filluar të vërtitet si fugë në kah të kundërt dhe vazhdon të bëjë zanatin më të vjetër në botë me të njëjtën pacipësi. Por jo për ty. Eshtë çështje andropauze pushteti.
Situata e doktorit është e ngjashme me atë të sulltanit të fundit, Abdyl Hamitit në mos gabohem, të cilin pasi e tradhëtuan të gjithë vezirët i ktheu krahët dhe harremi i tij.
Doktori e ka të vështirë të besojë se mund të ketë gazetarë që vënë kokën në rrezik për të raportuar lajmin. Ashtu siç mund ta ketë të vështirë ta mendojë edhe ndonjë kapterr i fundit mediatik që i ka ngelur, i cili vazhdon të luftojë për doktorin si ai ushtari japonez në atë ishullin e shkretë që nuk e dinte se Hiroshima kishte ndodhur para pesë vjetësh. Ne bëmë gjithçka mundëm për të qenë profesionalë. Dhamë live kohë televizive për të gjithë, që nga banorët e Lazaratit deri tek postimet shpesh të koduara të doktorit në Facebook, ku në një rresht i drejtohej Dashos, një rresht më posht ambasadorëve, se PD është për të luftuar trafikun dhe diku akoma më poshtë gateve ku u shpegon se cilat media janë armike. Doktori ishte korrekt me gjithë të vetët, por dhe ne me doktorin. Ne transmetuam live përballjen e atij që ishte filmuar me kallash në dorë duke sulmuar grupin e xhirrimit të A1Report me gazetarin Gerti Xhaja, një ballafaqim që zgjati për më shumë se gjysëm ore.
Dita ime më e zezë ime si një drejtues televizioni prej dhjetë vjetësh ishte dy ditë më parë kur në kulmin e transmetimit live nga Lazarati mora një sms nga kolegu Gerti Xhaja. “Na morrën peng, unë dhe Niku mundëm të largohemi, ndërkohë hairi po e mbajnë akoma , është i plagosur”. Sms e mora pikërisht në kohën kur bashkëshortja e Gertit ishte spikerja në studio që bënte lidhjet live. Tmerr më të madh nuk kam ndjerë. Në këto çaste nuk mu kujtove as ti o doktor as Edi dhe askush tjetër. E vetmja gjë që më shkoi ndërmend është djali pesëvjeçar i Mirjetës dhe i Gertit , ai fëmijë i bukur të cilin e shikoj tek endet sa nga kompjuteri i babait tek i mamasë në ndonjë fundjavë në newsroom e televizionit tonë. Sepse Mirjeta dhe Gerti nuk kanë aq para sa putanat e tua të dikurshme mediatike që i rrisin fëmijët me dado filipinase , o doktor. Ndaj detyrohen ta marrin me vete në punë kur kopshti i djalit është i mbyllur. Na u desh ta largojmë në mënyrë diskrete Mirjetën nga transmetimi live, ta qetësojmë dhe të vazhdojmë raportimin. Pra siç e shikon o doktor, gazetarët tanë nuk ishin palë as me policinë sepse hynë fshat të mbrojtur vetëm nga providenca dhe as me trafikantët të cilët i agresuan barbarisht.
Ajo që më irritoi esktremalishit në postimin e fundit të doktorit ishe se ai ngjasonte si dy pika uji me atë që i thanë Ledios banditët në Lazarat. Ne po luftojmë me policinë dhe A1Report, i ulëritën duke e rrahur barbarisht. Nuk kisha ndërmend të shkruaja këto rradhë, por më duket ulëritëse që ish-kryeministri, njeriu që dominoi 24 vjetët e fundit të historisë sonë të mendojë njësoj si ata banditët në Lazarat, duke vizatuar të njëjtën linjë fronti.
Postimi i fundit i doktorit në Facebook më kujtoi atë çka ndodhur së fundi në Francë. Lideri i Frontit Nacional është tërhequr nga drejtimi i partisë. Jean Marie Le pen ia ka besuar frenat te bijës por vazhdon të jetë ende tepër aktiv, madje është një nga 23 deputetët që ekstremi i djathtë francez çoi një muaj më parë në Parlamentin Evropian. Por babai është bërë së fundi një telash i madh për të bijën, e cila prej dy tre vitesh po përpiqet të dediabolizojë partinë e saj. Një javë parë babai këputi mufkën e fundit. I pyetur në një emision televiziv se ç’mendon për intelektualët francezë me origjinë hebreje që e sulmojnë, ai u përgjigj duke qeshur se do ndërtojnë dhoma gazi. Skandali ishte i paparë. Franca u trondit, ndërkohë e bija dhe gjithë lidershipi i partisë e sulmuan publikisht liderin e tyre historik. Madje Marine Le Pen mori një tjetër masë. I hoqi Facebookun, o doktor. Pushoi nga puna mirëmbajtesin e Facebook të babait. Kështu Le Pen e ka thuajse të pamundur të postojë orë e çast pordhët e tij senile në rrjetet sociale. Lajmi i mbylljes së Facebook për Le Pen pushtoi gjithë faqet e para të gazetave franceze javën e shkuar.
Por te kthehemi në Lazarat, fshatin që nuk e bëri dot zap as Ali Pasha. Historia politike e Lazaratit nis në Luftën e Dytë Botërore. Ashtu si në çdo skaj të botës dhe në qarkun e Gjirokastrës banorët e ndanë në dy kampe. Në Gjirokastër duhet të zgjidhnin mes katër personave influentë. Nuk kishte ende ndarje ideologjike. Nga njëra anë ishte Bedri Spahiu dhe Shefqet Peci ndërsa nga ana tjetër komandanti lokal i Ballit Kombëtar Ismail Golemi dhe miku i tij baba Rexhepi, një klerik bektashi që banorët e Lazaratit e shikonin gati si shenjt. Kleriku patriot e lidhi Lazaratin me Ballin Kombëtar. 45 vitet e rregjimit komunist ishin një shtypje e jashtëzakonshme për fshatin më të madh shqiptar. Ky diskriminim total dhe konsistent nga Partia e Punës është shkaku përse Lazarati është gjithmonë kundër qeverisjes së majtë. Dhe me gjithë të drejtën e zotit.
Në fillim të viteve 90, liria në Lazarat u kuptua dhe u përdor në mënyra të ndryshme. Kam shumë miq aty. Miq me të cilët kam ndarë ide dhe pasione, besnikërinë dhe përkushtimin e të cilëve në miqësi mund ta gjesh vetëm në vargjet e Bajronit, kur përshkruante shqiptarët në mënyrë romantike. Por liria nga komunizmi nuk u kuptua njësoj nga të gjithë. Ashtu si në gjithë Shqipërinë dhe në Lazarat nga shumë vetë liria u kuptua në fillim si një revansh dhe më pas si pandëshkueshmëri. Emrat e atyre që këto ditë po bien një e një nga në prangat e policisë janë të njohur në Lazarat, Gjirokastër dhe krejt Jugun e vendit. Nuk janë më shumë se 30 a 40 veta. Janë ata që uzurpuan antikomunizmin e Lazaratit, ata që patën lidhje me SHIK-un famëkeq të Gazidedes. Janë ata që terrorizonin këdo që ishte kundër pushtetit të Berishës. Janë ata që turreshin si lukuni çakejsh rrugëve të Gjirokastrës. Janë ata që pjesa dërrmuese e lazaratasve i shikonte me siklet dhe përbuzje. Janë ata që që kanë ndërtuar një perandori ekonomike kriminale. Një perandori ne ndërtuar fillimisht me kontrabandë cigareje dhe më pas duke i kthyer skerkat e Lazaratit në plantacionin më të madh të hashashit në Evropë. Sigurisht me një mbështetje të pakufi politike.
Kur thotë se policia po bën terror kundër popullsisë civile në Lazarat, Berisha duhet të ketë parasysh këta 30 a 40 veta. Janë po ata që u ngrihej trau i doganës menjëherë, që rrihnin policë e doganierë nëse vonoheshin vetëm pesë minuta. Doktor, duhet ta mbash mend si urdhërove lirimin e njërit prej tyre. Drejtorit të atëhershëm të policisë së Gjirokastrës Bernard Caushi duhet t’i mbahet mend ende sesi e urdhëroi Gazidede me porosinë tënde të lironte ende pa mbërritur në Gjirokastër kapon e atëhershëm të Lazaratit. Sigurisht dhe kjo e kishte një çmim. Nuk mjaftonte kur t’i vije në Gjirokastër ata të mbanin në miting banderolën më të madhe “Lazarati përjetë me ty doktor”. Ata duhet të bënin terror kudo. Të kërcënonin komisionerë, të blenin numërues, të mbushnin kutitë e votimit për t’ia nisur të nesërmen e zgjedhjeve aty ku e lanë, te trau i Kakavijes te plantacionet e hashashit. Kjo është historia mediatike e Lazaratit për 20 vjet. Ketë bandë me 40 veta, Berisha e stimuloi që ta kthejë Lazaratin në një off shore krimi. Gati i paprekur, por në përmasa shumë më të vogla kjo geto sociale lulëzoi dhe në kohën e socialistëve. Qeveritë e njëpasnjëshme të majta u mjaftuan të çojnë aty njëri pas tjetrit shefa komisariati, të cilët mbushnin xhepat nga droga e Lazaratit. Madje ndonjë prej tyre u bë dhe deputet. Kishin vendosur një lloj pakti mosulmimi të ndërsjelltë. Asnjëra palë nuk donte telashe.
Kështu o doktor. Na e kapën Gaten. Dhe po kapen njëri pas tjetrit dhe trimat e tjerë. Për të komunikuar me Lazaratin, atë realin, jo këtë virtualin, duhet të gjesh njerëz të tjerë. Dy po t’i sugjeroj unë: dy burra fisnikë me të cilët krenohet Lazarati dhe Gjirokastra , doktor Hodon dhe Doktor Islamin. Janë nga Lazarati. E di që i njeh. Harroji gatet.
*Drejtor i televizionit A1 REPORT
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)