‘Na e vranë Hysninë’, Misteri i dosjes sekrete të Hysni Kapos, me shënimin e Enver Hoxhës

‘Na e vranë Hysninë’, Misteri i dosjes sekrete të Hysni Kapos, me shënimin e Enver Hoxhës

Hysni Kapo dhe Enver Hoxha

Më 23 shtator të vitit 1979, 45 vite më parë, ndërroi jetë në një klinikë mjekësore të Parisit, Hysni Kapo, anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të PPSh-së, i cili që nga mesi i viteve ’50-të, (kur Enver Hoxha eliminoi fizikisht apo, burgosi e internoi disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë), konsiderohej figura nr. 2 e regjimit komunist, pas Enver Hoxhës.

Hysni Kapo, apo “Besniku i Partisë”, siç i pëlqente Enverit ta quante në librat dhe veprat e tij, (kryesisht pas vdekjes) , në shtatorin e vitit 1979,  ishte i shtruar për vizita e mjekime në klinikën e Parisit, shoqërohej nga Ramiz Alia, ndërsa një vit më parë, në periudhën tetor-dhjetor 1978, kur ai ishte po për vizita dhe mjekime në Paris, e shoqëronte Kadri Hazbiu. Vdekja e Hysni Kapos, ishte e dyta që ndodhte në radhët e udhëheqjes së lartë të PPSH-së (pas asaj të Gogo Nushit në 1970-ën), dhe ajo vdekje është përfolur gjatë, madje që ato ditë, kur Vito Kapo, bashkëshortja e tij, i tha ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut: “…Na e vranë Hysninë…”?! Dhe Hazbiu aty për aty, iu përgjigj: “Pse më thua mua…, drejtoju atij”, – duke i bërë shenjë me dorë, nga vila e Enver Hoxhës.

Ky fakt, apo kjo dëshmi lidhur me bisedën e Vito Kapos me Kadri Hazbiun, është bërë e ditur publikisht, nga ish-kuadri i lartë i Zbulimit Shqiptar, Hasan Luçi (që mbulonte mërgatën politike shqiptare në Perëndim), në një intervistë (në fillimin e viteve 2000, në “Gazeta Shqiptare”), ku ai ka hedhur dyshimet e tij, se vdekja e Hysni Kapos, nuk ishte natyrale, nga ajo që u tha zyrtarisht, “kanceri në pankreas”!

Nuk dihet me saktësi, nëse Vito Kapo, e kishte biseduar me njeri tjetër, atë që i tha Kadri Hazbiut, por dy tre ditë më pas, ajo u thirr në një takim nga Enver Hoxha, ku ai, (Enveri), pas i bëri të ditur edhe njëherë Vitos, variantin zyrtar të vdekjes së Hysniut, i kërkoi që; “të kishte besim te Partia” dhe; “të mos besonte fjalët që përhapte armiku”! Pra; “të mos kishte asnjë dyshim për vdekjen e Hysniut, për të cilën Partia bëri të pamundurën”!

Takimin që bëri me Vito Kapon, Enveri e ngriti dhe në një mbledhje të Byrosë Politike, duke u bërë me dije “shokëve të Byrosë”, “lidhur me fjalët që përhapte armiku për Hysninë, gjë të cilat fatkeqësisht, i merrnin si të mirëqena, edhe familjarët e tij, madje deri te shoqja Vito”! Po kështu, dyshime, apo rezerva, mbi vdekjen e Hysni Kapos, kanë hedhur edhe disa nga pjesëtarët e grupit të tij të shoqërimit, që gjendeshin në Paris.

Dyshimet e tyre, ata i kanë dhënë me shkrim dhe me gojë, pranë grupit operativ special që kryesohej nga Zylyftar Ramizi, (Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe njëkohësisht zv/ministër i Punëve të Brendshme në atë kohë), i cili u ngrit në vitin 1982, menjëherë pas arrestimit të “Grupit armiqësor” të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut. Si p.sh., Nexhip Pajo, shoqëruesi i Hysni Kapos, i cili në letrën drejtuar ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai, më datën 29 tetor 1982, midis të tjerash i shkruan: “Jam Nexhip Pajo, ish-oficer i Drejtorisë së Dytë të Ministrinë së Punëve të Brendshme, tani pensionist. Në vitin 1979, kur shoku Hysni Kapo ishte në Paris (Francë) për t’u kuruar, unë bëja pjesë në grupin e oficerëve shoqërues të tij.

Mbas vdekjes së tij, kur u kthyem që andej, unë kam informuar në Komitetin e Partisë së Ministrisë, ish-sekretarin e atij Komiteti, Bato Karafili, për disa të meta dhe veprime të dënueshme në drejtim të shërbimit ndaj udhëheqësit Hysni Kapo dhe familjes së tij, që ndodhej atje në Paris, nga ana e ish-zv/drejtorit të Drejtorisë së Dytë, për shërbimin tonë atje, Servet Backa, të Fejzo Bijos, zv/drejtorit të Drejtorisë së Pritjes, të Llambi Ziçishtit, përgjegjës për Shëndetësinë.

Ditën e fundit të konkluzioneve që do të bënim në zyrën e Feçor Shehut, mua më ka marrë në telefon nga shtëpia e shokut Hysni Kapo, Kadri Hazbiu, i cili më kishte kërkuar me urgjencë, duke lënë porosi të personeli i shtëpisë, që unë ta merrja në telefon. Me të më njoftuar, unë e mora Kadriun në telefon dhe ai menjëherë, m’u drejtua: “Dëgjo, sot ju keni atë mbledhjen e fundit, lidhur me shërbimin tuaj në Paris, prandaj ki kujdes dhe tregohu më i arsyeshëm dhe më me partishmëri, për ato që ke ngritur, sepse i ke fryrë shumë dhe në mënyrë tendencioze”.

Atëhere iu përgjigja po në telefon: – Nga i keni verifikuar këto, që nuk qenkan të vërteta? “Unë i di mirë këto, e njoh shumë mirë Servet Backën, se ai është komunist i ndershëm dhe i sprovuar dhe nga ana tjetër, ai i biri i botës (d.m.th., Serveti), është bërë si i çmendur dhe vjen e më qan në zyrë si fëmijë”, – m’u përgjigj ai. – Do të ishte mirë që ai të mos qante aty në zyrën tënde, por të qante atje në Paris, ku qanim të gjithë ne, për fatkeqësinë që na kishte gjetur, por ne atje qanim dhe pinim lot, ndërsa Servet Backa, Feçor Shehu, Fejzo Bijo dhe Llambi Ziçishti, pinin raki dhe hanin bërxolla”.

Të gjitha sa më sipër, (si dhe letra e Nexhpip Pajos që është botuar e plotë nga Memorie.al), apo të tjera dëshmi ku flitet apo bëhet e ditur mbi vdekjen e Hysni Kapos, janë të njohura nga dokumentet arkivore të ish-Komitetit Qendror të PPSh-së, (që gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit, fondi 14, aparati dhe organet drejtuese), të cilat janë botuar në shtyp, pas viteve ’90-të dhe ndër të vetmet gjëra që nuk janë bërë publike deri më sot, janë letra e Kadri Hazbiut drejtuar Enver Hoxhës, (25 faqe me makinë shkrimi), për shërbimin që kishte bërë në Paris pranë Hysni Kapos, si dhe dosja voluminoze me kartelën përkatëse mjekësore të Hysni Kapos, e konsideruar dhe cikluar, si; “Tepër sekret, e një rëndësia të veçantë” e cila fillon në 16 maj të vitit 1959 dhe mbyllet më 23 shtator 1979, ditën që ai vdiq.

Ndërsa letra e Kadri Hazbiut, dërguar Enver Hoxhës në janarin e vitit 1979, pas kthimit nga Franca bashkë me Hysni Kapon (në fund të saj, midis të tjerash ai ka shkruar: “Disa gjëra nga shërbimi im në Francë, me urdhër epror, nuk i kam pasqyruar në këtë raport-informacion…”!), thuhet se nuk gjendet në Arkivin e Shtetit, Memorie.al, ka siguruar dhe e disponon të plotë (në frëngjisht dhe në shqip), dosjen mjekësore të Hysni Kapos, të cilën po e publikojmë pjesërisht, në disa numra, bashkë me faksimilet përkatëse, ku ndodhen kartela dhe raporte mjekësore, nga mjekë shqiptarë dhe të huaj, shënime të ndryshme, epi-kriza, elektrokardiogram, rezultate dhe përgjigje analizash, konsulta mjekësh, etj., etj.

Po ashtu, aty ndodhen dhe shënimet e Enver Hoxhës, të cilat po i publikojmë bashkë me faksimilet dhe fotot përkatëse, që ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit, si ato të bërë në Paris, ashtu dhe ato të bëra në aeroportin e Rinasit, kur u soll arkivoli me trupin e tij, si dhe varrimin e tij, ku mori pjesë Enver Hoxha dhe e gjithë udhëheqja e lartë e PPSH-së.

LETRA E KATËR MJEKËVE TË POLIKLINIKËS SPECIALE NË TIRANË, MBI GJENDJEN SHËNDETËSORE TË HYSNI KAPOS, NGA VITI 1954, DERI NË 1959

REPUBLIKA POPULLORE SHQIPËRISË                                               

Tiranë 16 /V/ 1959   

MINISTRIA P. BRENDSHME                                                                                     

POLIKLINIKA SPECIALE

RAPORT MJEKËSOR

Shoku HYSNI KAPO, në fund të vitit 1954, i u konstatua sëmundja ‘DIABETES MELITUS’, formë e lehtë. U vu në regjim të përshtatshëm dhe vetëm me anën e dietës, u mbajt në ekuilibër, deri në Prill 1959. Gjatë dy vjetëve të fundit, ka patur lëkundje të këtij ekuilibri, kjo shkaktohesh në periudha me punë intensive, por ka patur raste keqësimi, edhe kur nuk ka respektuar siç duhet regjimin.

Kohët e fundit, sëmundja ka shkaktuar turbullime të lehta në zemër. Kohë mbas kohe, paraqet çrregullime të gjumit. Nga ana stomatologjike (e gojës), paraqet ‘pyorrhea alveolare’ kronike, me periudha keqësimi, për të cilat bënë kura herë mbas here. Paraqet kontraktura në pëllëmbët e dy duarve.

Më 24/ IV/1959, në Kinë pati një ‘PLEURITIS EXUDATIVA BASALIS DEX’. Dhe një hije pulmonare, për të cilat u kurua me antibiotikë dhe tash fenomenet janë absorbuar dhe pacienti gjendet në periudhën e konvaleshencës. Kjo gjendje shkaktoi keqësimin e Diabetit, për të cilin u fillua kura me insulinë; pacienti kish humbur dy kg. peshë.

Duke marrë parasysh rëndësinë e sëmundjes që kaloi në një teren diabetik jemi të mendimit që pacienti të bëjë pushim deri në fund të këtij muaji; Në rast se sëmundja do të ketë dekurs të favorshëm, si të deritashëm, mendojmë që mbas një konsulte, të fillojë punë të kufizuar, jo më tepër se katër orë punë në ditë. Është e nevojshme që muajin Korrik dhe Gusht, të kalojë pushimet në një shtëpi pushimi, në B. Sovjetik.

(Dr. S. Agalliu) d.v , (Dr. Xh. Gjata) d.v.,  (Dr. F. Hoxha) d.v.  (Dr. G. Daiu)

POLIKLINIKA SPECIALE

SEKRETARIATIT TË K.Q. TË P.P.SH.

Tiranë

Siç dihet shoku Hysni Kapo prej shumë kohësh vuan nga ‘Diabetes Mellitue’ (sëmundja sheqerit). Deri në prill të këtij viti, sëmundja ka patur dukuri të lehtë dhe të stabilizuar pa insulinë, vetëm me dietë.

Gjatë udhëtimit në Kinë, u sëmur nga ‘pleuritic eksudativa’ gjë që i shkaktoi keqësimin e diabetit, kështu që u desh atje të fillonte insulinën. Fill mbas ardhje nga Kina u kontrollua gjendja e tij shëndetësore dhe u dhanë rekomandimet e duhura në lidhje me regjimin e punës dhe të jetesës, për këtë me raport është njoftuar sekretariati.

Atëhere parashikonim se situata do të shkonte në përmirësim dhe shpresonim se mbas një kohe të shkurtër, gradualisht do ta hiqnim insulinën, mirëpo fakti qëndron ndryshe. Jo vetëm që nuk është ndërprerë insulina deri më sot (15-20 Unite) protaminezine por edhe përmbajtja e sheqerit në urinën e pacientit, paraqit oshilacione (hipje-zbritje) të theksuara, gjë që tregon se gjendja nuk është as pak e ekuilibruar.

Kemi vënë re se shifrat ngrihen kur pacienti ka qenë i okupuar me punë intensive dhe regjimi i jetesës, është çrregulluar – ka ngrënë vonë drekë, ka fjetur vonë, kurse shifrat kanë qenë të kënaqshme, kur uronat merreshin ditën e hënë, ose mbas ndonjë dite feste, ose edhe në periudha, që nuk ka patur punë intensive.

Duhet theksuar se për kurimin e Diabetit, nuk mjafton vetëm dieta dhe insulinë, një rol të madh dhe të rëndësishëm, lot dhe regjimi i jetesës së rregullt, së rekomanduar.

Prandaj, për të mos u agravuar sëmundja dhe për të patur rezultate të mira dhe një perspektivë më të gjatë dhe të sigurt të shëndetit të shokut Hysni Kapo, rekomandojmë si të nevojshme:

Orar pune të reduktuar – 6 orë punë në ditë.

Kur ka raste të jashtëzakonshme dhe të pa evitueshme pune intensive, është e domosdoshme që atë t’a pasoj një pushim, qoftë edhe prej 3-4 ditësh.

Orar të rregullt jetese – në marrjen e ushqimit, me gjumin.

Në mes të vitit të bëjë 15 ditë pushim përveç pushimit të zakonshëm të verës.

(Dr. F. Hoxha), (Dr. Xh. Gjata) d.v., (Dr. Gr. Daiu)

SHËNIMI ENVER HOXHËS ME SHKRIMIN E TIJ, MBI LETRËN E MJEKËVE NË RAPORTIN PËR GJENDJEN SHËNDETËSORE TË HYSNI KAPOS, NË VITIN 1959

Jam dakort që shoku Hysni, të zbatojë rigorozisht vendimet e mjekëve, ashtu siç më kanë informuar dhe mua. Do flas dhe vetë më Hysninë.

SHËNIMI NGA SHEFI I KABINETIT TË ENVER HOXHËS

U vu në dijeni dhe shoku Haki, për shënimin e shokut Enver.

a-a (firma)

23. XI. 1959

LETRA E DREJTORIT TË KLINIKËS SPECIALE, DR. PAVLLO MILO, NË VITIN 1960, DREJTUAR KOMITETIT QENDROR TË PPSH, MBI GJENDJEN SHËNDETËSORE TË HYSNI KAPOS

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË                               

Tiranë, më 31/XII/1960

POLIKLINIKA SPECIALE

Nr._____ Sekret                                      

KOMITETIT QENDROR TË P.P.SH.

TIRANË

Shoku Hysni Kapo këto dy vjetët e fundit, vazhdon të ketë një ngritje të tensionit arterial, sidomos këto gjashtë muajt e fundit të vitit 1969.

Me gjithë terapinë antihypertensive, shifrat e tensionit mbeten të larta.

Duke marrë parasysh se vuan edhe nga diabeti, sëmundje këto që predispozojnë sklerozën e artereve, komisioni mjekësor, me Prof. F. Hoxhën, Dr. Y. Popën, Dr. N. Shurbanin, rekomandon si masa profilaktike, të domosdoshme:

Të bëjë 2 herë në vit pushim, nga 1 muaj. Pushimin dimëror ta fillojë tani menjëherë.

Të punojë vetëm para dite.

Mbas çdo pune intensive, të bëjë 3-4 ditë pushim.

Mbas dite të pushojë 1, ½ orë dhe të bëjë shëtitje të rregullta.

DREJTORI

(Pavllo Milo)

LETRA E POLIKLINIKËS SPECIALE NË TIRANË, DREJTUAR BYROSË POLITIKE, LIDHUR ME GJENDJEN SHËNDETËSORE TË HYSNI KAPOS

REPUBLIKA POPULLORE SHQIPËRISË                                  

Tiranë, 23.5.1961

POLIKLINIKA SPECIALE

Nr._____ Prot.                                        

BYROSË POLITIKE TË K. Q. P. P. SHQIPËRISË

TIRANË

Kohët e fundit shoku Hysni Kapo, ka shfaqur gjendje hypoglicemike me të dredhura, uri e fortë, nxehtësi në trup dhe boshllëk në kokë dhe shoqëruar me dobësi të theksuar.

Kjo gjendje ju paraqit 2 javë më parë, kur ishte në Lushnjë, si dhe disa ditë më parë, në shtëpinë e vet Tiranë. Këto shfaqje janë delikate dhe të rrezikshme.

Për të evituar këto, duhen bërë ekzaminimet e urinës, çdo 2-3 ditë, përveç rastevet kur duhen bërë dhe çdo ditë.

Ekzaminimet e urinës janë të domosdoshme, pse në bazë të këtyre ekzaminimevet, bëhet dozazhi i kurës me insulinë; Pse sasia e insulinës caktohet si mbas sheqerit në urinë. Një sasi insulinë që bëhet sot, pas pak dite, mund të mos jetë e përshtatshme.

Përveç analizavet të urinës, i sëmuri për të bërë një mjekim të rregullt, duhet të mbajë dietën përkatëse dhe të respektojë rigorozisht orët e ushqimit, si dhe të çlodhjes (mbasi të ketë ngrënë pak në orën 11.00, drekën duhet ta hajë, jo më vonë se ora 14.00)

Duhet të bëjë të paktën 2 herë pushim në vit.

PËR KOMISIONIN E POLIKLINIKËS

PROFESOR F. HOXHA              

PROFESOR XH. GJATA           

Dr. PAVLLO MILO

P.S. Komisioni rekomandon këshillimet e dhëna në raportet e mëparshme, për shokët e tjerë./Memorie.al

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë