Ish-deputeti demokrat Keltis Kruja ka reaguar së fundmi në rrjetet sociale, ku ka kritikuar “foltoren” e PD.
Ai shprehet se foltoret nuk kanë më kuptim, sepse “e mbyti energjinë që çliroi, ditën kur vendosi që qëllimet politike janë më të rëndësishme se emocionet dhe idetë politike që i krijojnë ato.”
“Tani sinqerisht me këto foltore na hallakatët fare. Nuk kam asgjë me askënd që do të bëjë takime me demokratët, apo aq më tepër me demokratët që duan të dëgjojnë këdo që ka teza për të diskutuar për situatën ku ndodhet PD.
Unë vetë kam qenë pjesë dhe kam organizuar takime në vitin 2017, kur morëm rezultatin më të ulët në historinë e zgjedhjeve, për të diskutuar me demokratët se çfarë po ndodhte me PD. Atëbotë u quajtëm tradhtarë e të shitur, nga pothuajse të gjithë, se kundërshtonim Lulin, pastaj një palë zgjedhje më vonë, i shitur ishte Luli.
Por nuk është ky thelbi. Ne duhet të mësohemi të jemi koherentë. Dhe duhet të mësohemi që nëse kemi të vërteta për të thënë, t’i themi. Pa bërë llogari. Ajo që është e vërtetë, është e vërtetë, dhe thuhet me gjithë koston që mbart me vete. Ky është një nga problemet më të mëdha që ka sot PD. Raporti me të vërtetat e veta.
Dhe raporti i vërtetë që duhet të ketë me demokratët. Dhe kjo është arsyeja pse foltoret nuk kanë më kuptim. Sepse foltorja (ajo e vetmja dhe e vërteta) e mbyti energjinë që çliroi, ditën kur vendosi që qëllimet politike janë më të rëndësishme se emocionet dhe idetë politike që i krijojnë ato…”, shkruan Kruja në postim
Komente












