TIRANE -Edhe në vitin 2009 siç ndodh këto ditë, SHBA ka shfaqur shqetësimin për qëndrimet nacionaliste tëkryeministrit Sali Berisha. Por pas 4 vitesh asgjë nuk ka ndryshuar. Ne një kabllogram i botuar në Wikileaks që mban datën 15 tetor 2009, ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, John Withers shprehte shqetësimin për deklaratat e kryeministrit, Sali Berisha për Shqipërinë e Madhe. Kabllogrami mban titullin “Berisha po flirton me Shqipërinë e Madhe?”.

 “Në fillim të gushtit Berisha bëri testin e parë në ujërat e politikës kosovare kur u takua me dy liderë të partive kosovare e nënshkroi me ta memorandume bashkëpunimi. Disa kritikë u tërbuan e fajësuan Berishën se po mbante krah në politikën e Kosovës”, nis kabllogrami. Megjithatë tensioni u bë shumë më i lartë kur Berisha në një intervistë foli për bashkimin e kombit shqiptar.

“Këshilltarët e kryeministrit na thanë se Berisha e sheh veten si një tip këshilltari si një burrë i urtë shteti për politikanët shqiptarë në Kosovë e Maqedoni”, thuhet në kabllogram. Qeveria serbe reagoi menjëherë ndaj kësaj deklarate, duke e quajtur dhunim të sovranitetit të Serbisë. Ish- ministri i Jashtëm Lulzim Basha u përgjigj duke thënë se komentet nuk kishin lidhje me bashkimin territorial Shqipëri-Kosovë, por me bashkimin në idealet e BE.

Por tensioni nuk u ul dhe ambasada amerikane mbeti e shqetësuar, sidomos kur Fevziu, që ambasada e quan një analist shumë pranë Berishës, publikoi editorial tek Panorama, që cilësohet si një e përditshme pranë qeverisë. Fevziu shkruante se nuk duhet të ketë askush frikë nga bashkimi mes Kosovës e Shqipërisë. Në këto kushte, Uidhers e thirri Berishën në zyrën e tij duke i thënë se deklaratat e tij komplikojnë përpjekjet e SHBA për të avancuar paqen e stabilitetin në rajon.
kabllogrami
(Foto: Faksimile e kabllogramit të Wikileaks i 15 tetorit 2009)
“Ambasadori i kërkoi Berishës që të përdorte udhëtimin e tij në Kosovë për të qartësuar qëndrimin e Shqipërisë për sovranitetin e Kosovës”, thuhet në kabllogram. Dhe Berisha u soll si një nxënës i mirë. Në kabllogram thuhet se ai tha se komentet e tij ishin keqkuptuar, se s’ kishte bërë kurrë thirrje për unifikimin e dy shteteve. “Një e mirë e këtij keqkuptimi ishte se Ilir Meta realizoi një vizitë në Serbi”, thuhet në kabllogram.

Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)