Ministri i Drejtesise Nasip Naço Foto ATSH (ARKIVE)
TIRANË, 22 Korrik /ATSH-Gjergji Mima/ -Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, i ka dërguar sot një kërkesë zyrtare KLD-së, ku ka kërkuar shkarkimin nga detyra të inspektorit të KLD-së, Arjan Qafa, mbi bazën e materialit të ILDKPI-së, si dhe zhvillimin e procedurës për emërimin e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
"Në këtë kërkese zyrtare, drejtuar z. Çefa, në mbështetje të nenit 22, të ligjit nr. 8811, datë 17.05.2001, " Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ", i ndryshuar, ministri Naço sugjeron që në rendin e ditës të mbledhjes së KLD-së që pritet të zhvillohet ditën e nesërme, të përfshihen nisja e procedurave për shkarkimin nga detyra të inspektorit të KLD-së, Arjan Qafa, mbi bazën e materialit të ILDKPI-së si dhe zhvillimi i procedurës për emërimin e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës", theksohet në kërkesën e ministrit Naço.
Gjithashtu, pjesë e propozimit është që në mbledhjen e nesërme të bëhët edhe shqyrtimi i kërkesës së ish-Kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, për emërimin e saj në detyrën e gjyqtares së Gjykatës së Apelit Tiranë.
Ndërkohë, ka ardhur edhe reagimi i KLD-së, ku thuhet se, "Me shkresën e sotme nr 2576/1 KLD i ka kthyer përgjigje Ministrisë së Drejtësisë".
Në reagim thuhet se, "në protokollin e KLD nuk është paraqitur asnjë kërkesë me firmë të Ministrit. Kërkesa është paraqitur nga zëvendësministri në kundërshtim me ligjin". Gjithashtu, sipas KLD, "Në kundërshtim me ligjin, kërkesa e zv/ministrit nuk është paraqitur para afatit ligjor prej 48 orësh. Kërkesa është objektivisht e pamundur të shqyrtohet në mbledhjen e nesërme".
KLD gjithashtu thekson se, "deklaratat e ministrit janë thjesht show mediatik". /a.ke/