TIRANË-Ministria e Drejtësisë organizon dhe krijon Komisionin Shtetëror për Ndihmën Juridike, “si një institucion kryesor në garantimin e aksesit të qytetarëve, që nuk kanë mundësi të përballojnë shpenzimet gjyqësore”.

Këtë gjë bëri të ditur sot Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, gjatë konferencës me temë “Aksesi në Drejtësi: Një fokus i ri për nenet 12 dhe 13 të Konventës së OKB-së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”.

Duke theksuar se Ministria që ai drejton “do të synojë ta ngrejë drejtësinë shqiptare drejt standardeve më të larta evropiane, duke u përpjekur maksimalisht që respektimi i të drejtave të personave në nevojë të përbëjë kryefjalën e reformave në përsosjen e këtij sistemi”, ai foli më gjatë për këto pika.

Sipas Naços, “Përfshirja e personave me aftësi të kufizuar në kategorinë e subjekteve përftuese të këtij shërbimi ka qenë objekt i zbatimit të ligjit që garanton ofrimin e ndihmës juridike falas”.
 
KLINIKA LIGJORE TË SPECIALIZUARA PËR TË NDIHMUAR SHTRESAT NË NEVOJË
Aktualisht, sipas Ministrit të Drejtësisë, “përbën prioritet ngritja dhe funksionimi me eficencë të plotë në nivel lokal i Klinikave Ligjore të specializuara në ofrimin e ndihmës juridike, me qëllim ardhjen në ndihmë të shtresave në nevojë që nuk kanë mundësi ekonomike, por edhe fizike apo sociale të përballojnë distancën e vendbanimit të tyre me zyrat e komisionit në Tiranë”. 

Sipas tij, “garantimi i aksesit në drejtësi, ndikon drejtpërdrejtë në rritjen dhe forcimin e transparencës, përgjegjshmërisë, paanësisë dhe efektivitetit të sistemit të drejtësisë, në mbështetje të rolit deçiziv të qytetarëve dhe të të gjithë aktorëve të tjerë të interesuar, me fokus të veçantë aksesin e personave me aftësi të kufizuar.”

“Ndërmarrja e nismave ligjore dhe administrative me objekt sigurimin e respektimit të standardeve më të larta ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut, duke përfshirë aksesin e plotë dhe të barabartë në një drejtësi për të gjithë dhe me të gjithë, duhet të përbëjë qëllimin e punës së të gjitha institucioneve në nivel vendimmarrje dhe ligjzbatuese”, vijoi Naço.
Sipas tij, “Në kuadrin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor, e drejta për t'iu drejtuar gjykatës, pra aksesi në gjykatë, konsiderohet si një e drejtë thelbësorë që duhet t'i sigurohet çdo individi pa asnjë lloj dallimi, e në veçanti atyre që janë me aftësi të kufizuar. Nëse nuk garantohet e drejta për t'iu drejtuar gjykatës atëherë cënohet dhe e drejta për të ngritur pretendime civile, apo për të kundërshtuar akuzën para një gjykate, apo edhe për të ekzekutuar vendimet gjyqësore”.

“Në më të shumtën e rasteve të gjykuara nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, objekt i çështjeve kanë qenë pikërisht barrierat që institucionet i vendosin qytetarëve në aksesin e tyre për të marrë pjesë aktivisht në procese vendimmarrëse që lidhen drejtpërdrejtë me ushtrimin e të drejtave të tyre kushtetuese”, shtoi Ministri Naço.
 
TARIFAT E LARTA NË GJYQËSOR, PROBLEM I VAZHDUESHËM NË SHQIPËRI
Gjithashtu Ministri Naço bëri me dije se përpjekjet e deritanishme kanë synuar adresimin e gjetjeve të Raport Progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2013 dhe se një ndër problematikat shqetësuese dhe të vazhdueshme ndër vite, ka qenë pikërisht pengimi i aksesit në drejtësi për shkak të tarifave të larta në gjyqësor.

“Ne bëmë të mundur që në muajin Nëntor 2013, të ndryshonte udhëzuesi për përcaktimin e tarifave të të gjitha shërbimeve të administratës gjyqësore, duke i reduktuar tarifat në masën 37 % - 50 %. Këto ndryshime bënë të mundur që më së fundi të rrëzohet një prej barrierave më të rënda të aksesit të qytetarëve në drejtësi. Gjithashtu përpara disa muajve kemi lancuar Portalin Online "Stop Korrupsionit në Drejtësi", i cili bëri të mundur krijimin e një mënyre të re komunikimi të shqetësimeve dhe halleve të qytetarëve të shkaktuara nga veprimet e papërgjegjshme të zyrtarëve të shtetit.

Ndërkohë është prezantuar në rrjetet sociale edhe faqja zyrtare e Ministrit të Drejtësisë, dhe konstatohet se kjo dritare e re ka shërbyer për përcjelljen e komenteve dhe sugjerimeve nga shumë qytetarë, të cilët ndër të tjera kanë përcjellë edhe shqetësime konkrete që lidhen me shkeljen e të drejtave të tyre. Të gjitha këto shqetësime janë bërë objekt i punës verifikuese nga strukturat përgjegjëse të Ministrisë së Drejtësisë me qëllim zgjidhjen e tyre”, tha Naço.
 
DIXHITALIZIM I PLOTË I SISTEMIT GJYQËSOR
Gjatë fjalës së tij, Ministri Naço u ndal edhe në masat e marra në drejtim të dixhitalizimit të plotë të sistemit gjyqësor duke theksuar se,“pas shtrirjes me sukses në gjykata, të projektit audio, Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me partnerët e huaj është duke hartuar projektin e radhës së dixhitalizimit që lidhet me shtrirjen e sistemit video nëpër gjykata. Ministri Naço vlerësoi se këto projekte do të kenë impakt pozitiv të padiskutuar në drejtim të rritjes së aksesit, transparencës dhe besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor”.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)