TIRANË- “Administrata Publike është dëmtuar nga inercitë politike, pasi çdo ndryshim i qeverisë ka nënkuptuar gjithashtu një ndryshim të stafit administrativ, duke përfshirë pozicionet teknike. Si e tillë, administrata shtetërore është reduktuar në një staf të politizuar me pak përvojë, merita profesionale dhe me burokraci të tepruar”.

Kështu është shprehur sot ministri i drejtësisë, Nasip Naço në tryezën e mbajtur në Ministrinë e Drejtësisë për kodin e procedurave administrative.
Tryeza e mbajtur nga Ministria e Drejtësisë ka si qëllim  prezantimin e projektligjit “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë” dhe konsultimin rreth tij.
 
Ai vërejti se krijimi i adminsitratës publike në 1994 ka qenë hap i rëndësishëm në këtë fushë, në këtë drejtim. Ndërsa hapi i dytë i rëndësishëm është miratimi për ligjin e statusit e nëpunsit civil, si dhe kodi i procedurës administrative, miratuar në 1999.

“Një hap i rëndësishëm në modernizimin e Administratës Publike ka qenë krijimi i Departamentit të Administratës Publike në vitin 1994, njësi e ngarkuar për formulimin dhe zbatimin e reformave në Administratën Publike. Hapi i dytë më i rëndësishëm ishte miratimi i ligjit për statusin e nëpunësit civil në vitin 1999. Ndërsa ajo që konsiderohet si kolona vertebrale për ndërtimin e një administratë eficiente dhe të përgjegjshme është miratimi i procedurave administrative të qarta”, tha Naço.
 
LIGJET, HAP I RËNDËSISHËM NË REFORMIMIN E SISTEMIT GJYQËSOR
Sipas Naços, “Kodi i Procedurave Administrative u miratua në vitin 1999”. “Para kësaj date, procedurat për zbatimin e akteve ligjore, ishin të fragmentuara në ligje dhe rregullore të ndryshme”. "Miratimi i Kodi i Procedurave Administrative ishte një hap përpara për sundimin e ligjit në Shqipëri dhe për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Megjithatë, zbatimi i tij ka prodhuar disa mangësi. Disa prej këtyre të metave janë të konsiderueshme dhe teknike të vetë tekstit ligjor. Edhe pse Kodi i Procedurave Administrative në mënyrë eksplicite detyron të gjitha organet e administratës publike ta zbatojnë atë dhe nuk parashikon dispozita nëpërmjet të cilave ligjet e veçanta përjashtojnë zbatimin e këtij Kodi, pothuajse çdo ligj sektorial rregullon një procedurë të veçantë".
 
“Miratimi i kodit ishte një hap përpara për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve por ka prodhuar dhe mangësi”, vërejti Naço, duke theksuar se “Këto ligje kanë nxitur fragmentarizimin e procedurës administrative”.

Për ministrin Naço, hartimi i një ligji të ri të kodit të procedurës do të jetë edhe unifikim me ligjet aktuale. “Një uniformitet që, -sipas tij,- do të ulte koston administrative, përshpejtonte veprimet administrative dhe rriste efektivitetin”.

Sipas tij, kjo nismë ligjore, hartuar edhe me mbështetjn e BE, “vjen edhe në përputhje me unifikimin e ligjeve të tjera, si statusi i nëpunësit civil, ligji për organizimin dhe funksionimin e organizatës shtetërore etj.”

Qëllimi kryesor i projektligjit “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, është “t`i sigurojë administratës publike, kapacitetin ligjor për të zgjidhur paqartësitë dhe konfliktet lidhur me situatat faktike dhe ligjore në mënyrë sa më efikase,  duke respektuar sundimin e së drejtës”. Nga ana tjetër, ky projektligj “synon t`i sigurojë qytetarit, mjetet e duhura e të nevojshme, për të mbrojtur dhe kërkuar të drejtat e tij.

Transparenca dhe siguria ligjore në vendimmarrje, si dhe standardet e legjislacionit cilësor, kërkojnë një sistem koherent, të unifikuar të procedurave administrative. Një unifikim i tillë, gjithashtu do të ulte kostot administrative, do të përshpejtonte vendimet administrative dhe mbi të gjitha, do të rriste efektivitetin e administratës publike. Përmbajtja e të gjitha rregullave procedurale në të njëjtin ligj, është më e përshtatshme si për nëpunësit e organeve publike ashtu dhe për qytetarët.”
Ky projektligj është hartuar në bashkëpunim me Misionin SIGMA dhe me asistencën teknike të Bashkimit Evropian.

Të pranishëm në këtë tryezë ishin edhe Albana Koçiu, drejtore e departamentit të Administratës publike, Igli Totozani, Avokat i Popullit etj.
Sipas këtij të fundit ajo çfarë është e rëndësishme veç të tjerave është që të kërkohet që ligji të zbatohet, në përballje të qytetarit me administratën publike, që do të bënte të gëzonim një administratë publike të pavarur, që nuk do të ndryshonte sa herë që ndërrohen qeveritë.

Një tjetër tryezë për kodin e procedurave administrative do të mbahet nesër në Ministrinë e Drejtësisë.  
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)