TIRANE- Nëse do të ngrini një kërkesë padi në gjykatë, do t’ju kushtojë 37-50 % më lirë. Qytetarëve deri më tani për të përfituar këtë shërbim u është dashur të paguajnë 1 200 lekë të reja, ndërsa duke filluar nga e hëna do të paguhet gati gjysma e vlerës.

Uljen e tarifave e ka njoftuar ministri i Drejtësisë Nasip Naço gjatë raportimit të tij në Komisionin e Çeshtjeve Ligjore, për Progres raportin 2014.

Një tjetër risi do jetë dhe një ligji i ri për burgjet që do t’i japë fund emërimeve pa kriter.

Kreu i Drejtësisë shqiptare Nasip Naço ka hedhur akuza për Këshillin e Lartë të Drejtësisë se nuk ka emëruar kryetarët e Gjykatave, por ka lënë përtej afateve njerëzit që i drejtojnë aktualisht këto institucione.

Ministri Naço ka bërë me dije nga 10 000 çështje janë shqyrtuar vetëm 1 000 të tilla për 17 gjyqtarë.

KOMISIONI I LIGJEVE, NAÇO: GJYKATA E LARTË DUHET REFORMUAR
Gjatë një seance dëgjimore për Progres Raportin 2013 në Komisionin e Ligjeve, ministri i Drejtësisë Nasip Naço tha se reforma në sistemin gjyqësor në vend do të vijojë. Duke u ndalur tek sistemi i drejtësisë në vend, ministri Naço tha se duhet të reformohet edhe Gjykata e Lartë.

Ministrii Drejtësisë tha se “Reformimi i gjyqësorit nuk ka të bëjë vetëm me korrupsionin”, por shtoi se institucioni që ai drejton dhe qeveria Rama-Meta është e vendosur për të zgjidhur përfundimisht çështjen e pronave.

“Ne kemi kërkuar që të jetë prezent edhe Komisioni i Venecias. Dhe do të kërkojmë trajnimin e sa më shumë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Po kështu jam dakord që KLD të ketë kompetencë për t’i dhënë masë gjyqtarëve. E rëndësishme është që vetë gjyqësori të ndërgjegjësohet”, tha ministri Naço.

Ndërkaq, Ministri i Drejtësisë tha se "kemi kërkuar ndryshime në Kodin e Procedurës Penale dhe Gjyqësore. Nuk merrem une me mandatet. Edhe KLD nuk ka të bëjë me mandatin, por me vullnetin e anëtarëve për të emëruar 23 kryetarët e Gjykatave".

Lajmi fillimisht u publikua në 17:00

Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)