TIRANË- Qeveria ende nuk ka një vendim për rikthimin e Bordit të Transparencës, ndonëse çmimi i naftës ka arritur në 217 lekë/ litri, një rritje me gati 15 lekë për 24 orë që erdhi pas paralajmërimit të kryeministrit Edi Rama për rikthimin e Bordit. Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, pas mbledhjes së qeverisë tha se janë duke e kontrolluar në mënyrë të vazhdueshme tregun e hidrokarbureve dhe se Bordi i Transparencës, që cakton çmimet tavan, mund të ngrihet shumë shpejt pasi mjafton vetëm një VKM.

Ministri theksoi se nga informacionet që kanë dhe nga kontrolli i tregut, rezulton se nuk ka mungesë të lëndës djegëse, pasi ngushtica e Hormuzit nuk i prek furnizuesit shqiptarë. Sipas tij, 90% e furnizimit vjen nga rrugë të tjera detare.

“Po e shohim dinamikën. Shihet a ka mungesë të produktit në treg, të gjitha informacionit që kemi, ngushtica e Hormuzit nuk përbën problem furnizimi për grupet e furnizuesve shqiptarë. Mbi 90% e furnizimit vjen nga rrugë të tjera detare. Mekanizmi është aty, mund të ngrihet me një vendim të Këshillit të Ministrave. Kemi vlerësuar se me mesazhet përmes grupit të interesit, ta kuptojnë vetë rëndësinë. Është aty, mund të ngrihet shumë shpejt, por ende nuk është vendosur”, tha Karakaçi.

Karakaçi iu përgjigj edhe kërkesës së PD-së, për uljen e taksës së qarkullimit, duke theksuar se kjo taksë nuk do të rishikohet dhe se për qeverinë mënyra më e mirë për vjeljen e saj është duke e përfshirë në çmimin e karburantit.  

Taksa e qarkullimit për t’u ulur 45 lekë, nënkupton që të jetë 45 lekë. Nuk është aq lekë. Ne kemi ndjekur model tjetër. Taksa e qarkullimit është në të gjithë vendet e BE, disa e vende e marrin në pikat e karburantit disa në pagesat e taksave të mjeteve. Ne kemi gjykuara dhe vlerësuar se marrja e taksës së qarkullimit me pikën e karburantit, është mjeti më i mirë se paguajnë më shumë taksë ata që përdorin më shumë makinën. Jemi duke ndjekur në mënyrë dinamike tregun e karburanteve, çfarë po ndodh edhe në rajon, ka modele të ndryshme, s’kemi vendimmarrje për Bordin. Ky bord, është aty dhe mund të krijohet me një vendim të Këshillit të Ministrave.  

Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, ministrat bënë me dije vendimet e marra, ku një prej tyre ishte edhe miratimi i zonave prioritare për 8 bashki.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:10
Kërcënimet e Vuçiç për aleancën Shqipëri-Kosovë-Kroaci, ministri Nufi: S’ka vend për panik, jemi në koordinim të plotë me NATO-n

Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave u pyet lidhur me kërcënimet e presidentit Aleksandër Vuçiç dhe përgatitjet e Serbisë për sulm pas kërcënimeve të pretenduara që vijnë nga bashkëpunimi ushtarak 3 palësh Shqipëri-Kroaci-Kosovë. Ministri Nufi thotë se nuk ka vend për panik duke theksuar se Shqipëria është e sigurtë dhe në koordinim të plotë me NATO-n.

“Serbia i mitigon të gjitha rreziqet që i pretendon si të sajat, në përputhje me dokumentet e veta strategjike. Shqipëria politikat e strategjisë i ka në përputhje me aleancën ku bën pjesë, aleancën ushtarake të NATO-s, më e forta në botë. E gjithë doktrina dhe përgatitja është në përputhje me NATO-n dhe siguria e qytetarëve shqiptarë, por edhe e Kosovës, për sa kohë kemi atje një forcë të mandatuar si KFOR. Shqetësimet që mund të perceptohen përmes mediave, publikimeve apo replikave në rajon, në Shqipëri përkthehen në një qasje që është në koordinim me aleancën dhe partnerët; kjo na bën të ndihemi të sigurt për sa kohë që ne përmbushim detyrat tona kundrejt Aleancës”, tha Nufi.

Ora 13:58
Mbledhja e qeverisë/ Ministri i Infrastrukturës: Kemi arritur marrëveshje për rindërtimin e xhamisë së Shijakut

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi, pas mbledhjes së qeverisë, u shpreh se është arritur një marrëveshje për rindërtimin e xhamisë së Shijakut.

“Kemi një marrëveshje mes Këshillit të Ministrave dhe Myftinisë së KMSH, për të rindërtuar xhaminë e Shijakut. Kjo marrëveshje bëhet me fonde donacione nga besimtarët. Kjo është një simbolikë rastësore e këndshme e fun muajit të Ramazanit.”, tha ministri i Infrastrukturës Enea Karakaçi.

 

Ora 13:57
Paketa e Maleve, Ministri Demo: Miratuam zonat prioritare për 8 bashki! Komisioni për Territorialen vijon punën, reforma do të hartohet

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo bën me dije miratimin e zonave prioritare për 8 bashki lidhur me Paketën e Maleve.

“Kemi miratuar zonat prioritare për 8 bashki për paketën e maleve. Mirditë, Kavajë, Durrës, Vlorë, Berat, Dimal, Librazhd janë gati që të vazhdojnë me procedurat për trajtimin e kërkesave për përfitimin nga paketa; bashki të cilat i kanë të miratuara zonat prioritare janë në fazën e ekzaminimit të kërkesave që kanë kaluar filtrat e kontrollit. Paketa e maleve po ecën me shpejtësi të konsiderueshme; mbi gjysmën e bashkive u kemi kaluar zonat prioritare dhe do të vijojmë në javët në vijim”, tha Demo.

Demo gjithashtu u pyet dhe për vijim e Komisionit të Posaçëm për hartimin e reformës së re territoriale në një kohë kur PD refuzon të marrë pjesë. Demo thotë se komisioni do të vijojë punën dhe reforma do të hartohet.

“Unë besoj që komisioni i posaçëm është mbledhur gjatë kësaj jave; javën që kemi përpara do të fillojnë edhe takimet dhe të ftuarit e parë në komision. Do të jem një ndër ta për të trajtuar atë që ka ndodhur dhe reformën. Jemi në kohë, komisioni ka kohën përpara. Besoj se ajo që është e rëndësishme është nevoja për të trajtuar atë që ka ndodhur 10 viteve të fundit, që të kemi bashki më të forta nesër. Nuk flas për qëndrime politike. Komisioni do të ecë përpara, ka mjaftueshëm argumente ku të gjitha palët mund të gjejnë vetveten për të hartuar reformën. Mazhoranca ka përgjegjësinë për të ofruar zgjidhje dhe për të çuar përpara reformën. Jemi si mazhorancë shumë të hapur që kjo reformë të përfshijë të gjitha palët”, tha Demo.