Teksa tregjet e energjisë u tronditën nga lufta me Iranin, Vladimir Putin lëvizi shpejt. Brenda pak orësh foli me Mohammed bin Salman në Arabinë Saudite, me emirin e Katarit Tamim bin Hamad Al-Thani, me Mohammed bin Zayed në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe me mbretin e Bahreinit Hamad bin Isa Al-Khalifa. Janë liderët që kontrollojnë OPEC-un dhe që sapo kishin vendosur rritje të prodhimit të naftës. Ku është problemi? Me Ngushticën e Hormuzit të mbyllur, ajo sasi nuk del dot në treg.
Rusia ka hall tjetër. Nuk e rrit dot prodhimin, sepse nxjerrja ka rënë nën 10 milionë fuçi në ditë për herë të parë pas vitesh, nga impiantet e vjetruara. Por Moska ka diçka në dorë: një flotë të tërë cisternash “hije” me rreth 150 milionë fuçi të grumbulluara nëpër dete, që presin blerës për shkak të sanksioneve.
Dhe këtu, sipas analizës, Putini sheh rastin e artë. Me naftën dhe gazin rus politikisht të paprekshëm deri dje, Kremlini po dërgon sinjal të qartë edhe drejt SHBA-ve: na lini të shesim hidrokarburet për të frenuar shpërthimin e çmimeve globale, në mënyrë që inflacioni të mos godasë votuesit tuaj në Perëndim.
Kirill Dmitriev, i dërguari i Kremlinit, e tha hapur në X: është koha për kontrata afatgjata për gazin e lëngshëm rus. Madje ironizoi edhe drejtueset e BE-së, Ursula von der Leyen dhe Kaja Kallas, duke i akuzuar për politika të shkurtra që, sipas tij, sjellin pasoja negative.
Paradoksi është se Bashkimi Europian edhe para krizës blinte më shumë gaz të lëngshëm nga Rusia sesa nga Katari. Sipas të dhënave të Bruegel, në janar importet europiane nga Rusia ishin katër herë më të larta se ato nga Katari. Megjithatë, ishte pikërisht ndalimi i prodhimit në Katar, pas goditjeve nga Teherani, që çoi në rritjen e çmimeve të gazit në Europë.
Tregjet reaguan menjëherë. Bursa kryesore e Moskës u rrit me 1.3%, ndërsa tregjet europiane ranë. U rritën edhe bursat e vendeve prodhuese si Brazili dhe Kanadaja, si dhe Shangai, me Kinën që për momentin duket më pak e ekspozuar ndaj tronditjeve në Europë dhe Lindjen e Mesme.
Sa do të zgjasë kjo valë? Për momentin, tregjet sillen sikur presin një konflikt të shkurtër. Nafta është rikthyer në nivelet e qershorit të kaluar, ndërsa gazi mbetet poshtë nivelit të një viti më parë. E njëjta gjë ndodhi edhe gjatë luftës 12-ditore me Iranin në 2025 dhe çmimet ranë sapo armët pushuan.
Por kur do të pushojnë këtë herë, këtë nuk e di askush. As presidenti Donald Trump./CorrieredellaSera
Komente







