Pas sulmeve amerikano-izraelite në Iran të shtunën e 28-shkurtit situata në Lindjen e Mesme është e paqëndrueshme dhe paparashikueshme për ditët në vijim.
Për këtë arsye Ministria e Jashtme pëmes një njoftimi zyrtar u bën thirrje shqiptarëve që të shmangin udhëtimet drejt kësaj zone.
Ndër të tjera MEPJ nënvizon se për shqiptarët që jetojnë në zonat e prekura të shqyrtojnë me përparësi mundësinë e largimit përmes linjave ajrore, për aq kohë sa ato vijojnë të jenë funksionale.
Njoftimi i plotë:
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se, në vijim të përshkallëzimit ushtarak në rajonin e Lindja e Mesme, situata e sigurisë mbetet e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme.
Ministria këshillon fuqimisht shtetasit shqiptarë të shmangin çdo udhëtim drejt vendeve të rajonit deri në një njoftim të dytë.
Ndërkohë, shtetasit e Republikës së Shqipërisë të cilët gjenden aktualisht në rajon këshillohen:
Të tregojnë vigjilencë maksimale dhe të shqyrtojnë me përparësi mundësinë e largimit përmes linjave ajrore, për aq kohë sa ato vijojnë të jenë funksionale.
Të ndjekin zhvillimet përmes burimeve mediatike të besueshme dhe kanaleve zyrtare të informacionit;
Të respektojnë dhe ndjekin në çdo kohë udhëzimet e autoriteteve lokale;
Të mbajnë dokumentet e udhëtimit dhe mjetet e komunikimit gjithmonë të gatshme;
Në rast nevoje, të kontaktojnë përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë në rajon dhe të veprojnë në përputhje me udhëzimet e tyre.
Në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës së sigurisë, mbyllja e hapësirës ajrore në një perimetër më të gjerë sesa vendet e prekura deri tani mbetet një mundësi reale, dhe fluturimet mund të anulohen pa paralajmërim. Për çdo çështje që lidhet me fluturimet, qytetarët këshillohen të kontaktojnë drejtpërdrejt kompanitë ajrore përkatëse.
Autoritetet shqiptare janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe do të informojnë në kohë reale për çdo zhvillim të ri.
Sulmet në të gjithë Lindjen e Mesme kanë vazhduar që prej 28 shkurtit, me goditjet që nuk kanë kursyer as Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin dhe Arabinë Saudite, ndërsa një dron iranian sulmoi gjithashtu një bazë britanike të RAF-it në Qipro e dy të tjerë u interceptuan më vonë.
Vetëm dy ditë më parë Ministria e Punëve të Jashtme tha për Report Tv se në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndodhen rreth 1500 shtetas shqiptarë rezidentë dhe po aq turistë.
Komente





