DURRËS- Është arrestuar në Morinë, teksa po hynte në Shqipëri njëri prej organizatorëve të dyshuar të naftës kontrabandë nga Tunizia që vinte me anije në portin e Porto Romanos në Durrës. Në pranga ka rënë Eduard Skora, ndërsa në kërkim vijon të jetë Florian Biba.
Arrestimi i Eduard Skorës u krye në kuadër të operacionit të koduar “Ari i Zi’ zhvilluar në portin e Durrësit më datë 12 janar 2025.
Në vijim të hetimeve dhe veprimeve operacionale që po kryhen në kuadër të operacionit “Ari i zi”, të zhvilluar në portin e Durrësit më datë 12.01.2025, nga strukturat hetimore të DVP Durrës dhe DVKM Durrës, ka vijuar puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.nNë vijim u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim, Eduard Skora, 59 vjeç, banues në Durrës, informoi sot policia e Durrësit.
59 vjeçari u ndalua nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, në hyrje të Republikës së Shqipërisë.
"59-vjeçari dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin Florian Biba (aktualisht në kërkim), ka organizuar kontrabandimin me anije, nga Tunizia, të 670 000 litrave naftë, nëpërmjet fshehjes së sasisë, në balastrat që shërbejnë për balancimin e mjetit lundrues' thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë operacionit “Ari i zi”, u arrestuan në flagrancë 3 shtetas dhe u proceduan në gjendje të lirë 5, të gjithë pjesëtarë të ekuipazhit të anijes.
Vijon puna për kapjen e Florian Bibës, banues në Zvicër si dhe hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e këtij rasti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Nafta ishte e fshehur në balastrat e anijes. Kjo pjesë e poshtme cila duhet të mbushet me ujë që anija të ruajë ekuilibrin në det, këtë herë ishe mbushur me naftë. Brenda 24 orësh policia deklaroi se në dy operacione ishin sekuestruar 1 mijë ton naftë kontrabandë nga Tunizia që kishin ardhur me anije në Porto Romano, por në seancën gjyqësore për vlerësimin e masës së sigurisë në gjykatën e Durrësit, prokurorja e çështjes Eglantina Shehu deklaroi se në total nuk janë 1 mijë ton naftë e sekuestruar por 600 ton naftë.