TIRANË- Në një takim me furnizuesit e naftës, kryeministri Edi Rama tha se rritja e çmimit në vendin tonë është e moderuar dhe ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimit në bursë për shkak të luftës në Lindjes së Mesme. Çmimi i naftës ka arritur deri në 202 lekë/litri, ndërsa kryeministri Rama u shpreh se kjo situatë ende nuk dihet se sa do të zgjasë dhe për të ndaluar abuzimin me çmimet është ngritur Task-Forca. Nga kontrollet që i është bërë sektorit të hidrokarbureve, Rama tha se rezulton se po respektohet rezerva e sigurisë.  

“Çmimi është rritur, por në mënyrë shumë më të moderuar sesa rritja që është parë për shkak të rritjes së çmimit bursë në disa vende të tjera. Sipas informacioneve të marra konsiderohet që ju keni një rezervë të arsyeshme, e cila fizikisht është aty për 30 ditë, ndërkohë që në kontratat tuaja figuron e garantuar për rreth 100 ditë dhe kjo është pozitive”, tha Rama.

Qeveria ka vlerësuar deri më tani se nuk është e nevojshme ngritja e Bordit të Transparencës për caktimin e çmimeve tavan. Shefi i qeverisë paralajmëroi karburantet të kenë kujdes dhe të mos abuzojnë me çmimet, duke u thënë se më mirë të kenë marzh të ulët fitimi se sa Bordin e Transparencës në kurriz.

“Qëllimin e kemi që bashkërisht të merremi vesh që kriza në Lindjen e Mesme nuk mund të projektohet e tëra mbi supet e konsumatorëve. Ky është gjithë qëllimi ynë. Natyrisht, kjo do të thotë marzhe më të ulëta fitimi për ju, por më mirë marzhe më të ulëta sesa bordin në kurriz. Ky është përfundimi në të cilin ne kemi dalë”, theksoi kryeministri Rama.

Kryeministri iu përgjigj edhe Konfindustrisë e cila i kërkoi qeverisë të rishikojë taksat, pasi në një litër naftë rëndojnë sot 4 taksa, akciza, TVSH-ja, taksa e karbonit dhe e qarkullimit. Por, kryeministri Edi Rama tha se kjo taksë nuk ka për të ndryshuar, pasi edhe nëse do prekej, taksa do të shkonte drejtpërdrejtë tek drejtuesi i mjetit, në formën e taksës për mjetin.

"Nuk besoj se ka përdorues automjeti sot që do të preferonte që në vend se ta paguante në strukturën e çmimit për aq karburant sa harxhon, se mund të mos harxhojë karburant sot fare dhe nuk paguan, në vend se paguaj aty, të paguaj katërfishin e asaj që paguan sot për makinën dhe jo vetëm kaq, po sipas kategorive të ndryshme të makinave, të paguaj në ndonjë rast edhe dhjetëfishin", vijoi Rama. 

Për të mbrojtur konsumatorin nga abuzimet me çmime, qeveria synonin edhe ndërtimin e një kompanie shtetërore, për të cilën kryeministri tha se do të garantojë furnizimin me naftë dhe nuk kanë si synim të krijojnë një monopol dhe të detyrojnë kompanitë të blejnë naftën aty.

“Nuk është që të godasë ju, nuk është që të krijojë një monopol dhe të zotërojë tregun vetë. Faktori shtetëror nuk do të jetë një faktor që do të bëjë shpërndarje pakicë, do të jetë një faktor që do të mbështesë sovranitetin e vendit në të përditshmen e vet, kur vjen puna tek ky mall kaq jetik për ekonominë, edhe për jetën e përditshme. Thjesht kaq edhe sigurisht do të mbrojë konsumatorët nga çdo abuzim”, theksoi kryeministri.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:26
‘Në Shqipëri s’ka oligarkë’, Rama: Kush e thotë, s’është çliruar ende nga propaganda komuniste

“Në Shqipëri nuk ka oligarkë”, u shpreh kryeministri Rama në takimin me furnizuesit e karburanteve. Ai tha se kushdo e përdor këtë fjalë, është ende nën ndikimin e diktaturës komuniste. Rama tha se nëse do të kishte oligarkë, nuk do të kishte iniciativa të qeverisë për të ngushtuar fitimet abuzive.

“Unë personalisht hyj tek ata që mendojnë që në Shqipëri nuk ka oligarkë sepse fjala oligark ka një kuptim të caktuar dhe kush e përdor këtë fjalë nuk është çliruar akoma nga kthetrat e propagandës komuniste, thjesht e ka ndryshuar fjalën për ta sjellë veten më në kohë, nga kulak e ka bërë oligark se i duket vetja më modern. Oligarkë në Shqipëri nuk ka se po të kishte nuk do të paguajnë më shumë ata që fitojnë më shumë. Po të kishte oligarkë në Shqipëri, nuk do të kishte iniciativa nga ana jonë për të ngushtuar rrethin e fitimit abuziv të atyre që kanë më shumë. Po të kishte oligarkë, do të kishte sot nuk di sa herë më tepër subjekte që kanë akses në fondet publike falë konkurrecës apo në të drejtat që shteti jep në bazë të ligjit për ata që duan të bëjnë sipërmarrje. Oligarkët, si definicion, i ngushton rrugët e konkurrencës dhe qeverisë rripin nëse ajo do të zgjerojë fuqinë e interesit publik në raport me interesin privat. Kjo nuk rezulton në Shqipëri. Nuk konsideroj që i meritoni të gjitha të zezat që thonë për ju”, tha Rama.

Ora 14:21
Pr.ligji i ri për rezervën e hidrokarbureve, Rama-furnizuesve: Studiojeni, jepni opinionet tuaja në takimin me ministrat

Në bashkëbisedimin me furnizuesit e naftës, kryeministri Rama iu përgjigj edhe pyetjeve të tyre lidhur me ligjin e rezervave të hidrokarbureve, i cili siç njoftoi ministri Karakaçi, është në fazën përmbyllëse. Kryeministri e ftoi grupin e interesit ta studiojë ligjit dhe të bëjë rekomandimet e veta në një takim me ministrat për të kontribuar në formulimin dhe implementimin e tij.

“Ligji për të cilin foli ministri, është në konsultim publik kështu që mund ta gjeni lehtësisht ose mund t’jua çojmë, është publikuar, merreni, studiojeni, pastaj patjetër jeni kryesorët që impaktoheni nga ky ligj. Do të organizohet menjëherë me ministrat e pranishëm dhe është shumë e vlefshme për ne që të na jepni opinionet tuaja sepse kollaj ta shkruash një ligj sado ta kesh studiuar, por mund të na ndihmoni që t’i adresojmë më mirë lidhur me depozitat, kohën e shfrytëzimit të tyre, disponimin që kanë aktualisht depozitat, sa përqind e tyre e zënë si mesatare. Këto na vlejnë shumë që ligji të mos krijojë probleme në implementim”, tha Rama.

Ora 14:06
Çmimet e karburanteve, ministri Malaj: Situata po shihet në disa plane, Bordi i Transparencës do të ngrihet në rast abuzimesh

Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se situata me çmimet e hidrokarbureve po shihet në dy plane.

“Plani i parë ka të bëjë me monitorimin e çmimeve dhe marzhet e fitimit të aplikuara nga tregtarët me shumicë/pakicë të hidrokarbureve. Plani i dytë është rritja e efikasitetit doganor/tatimor që ka për qëllim uljen e evazionit fiskal dhe kontrabandës”, tha Malaj.

Ministri shtoi se task-forca është në terren prej një muaji dhe janë evidentuar disa shkelje për të cilat janë marrë masa. Monitorimi vijon, plani nuk ka afat dhe Bordi i Transparencës do të ngrihet në rast abuzimesh.

“Strukturat do të vijojnë monitorimin në terren dhe nëse ka abuzime, do të detyrohemi që të ngrihet Bordi i Transparencës që të marrim masa të mëtejshme. Plani do të shtrihet pa afat, derisa të kemi qetësim të situatës”, u shpreh Malaj.

Ora 14:02
Rritja e çmimit të naftës, Rama i përgjigjet Konfindustrisë: S’ka rimbursim, nëse do ndihmojmë, janë vetëm pensionistët

Konfindustria i ka bërë thirrje qeverisë për ndërhyrje të menjëhershme, duke kërkuar zbatimin e një pakete fiskale lehtësuese për të përballuar krizën e karburanteve. Konfidustria kërkon që e gjithë shtesa e të ardhurave në buxhet nga TVSH-ja mbi çmimet e rritura të karburanteve, krahasuar me periudhën para krizës, t’u rikthehet drejtpërdrejt qytetarëve dhe bizneseve përmes uljes së çmimit final. Në përgjigje, kryeministri Edi Rama tha se nëse do ketë një kategori që do të ndihmohet, ata janë vetëm pensionistët. 

“Kërkesa që shtesa e të ardhurave në buxhet nga TVSH mbi çmimin e rritur të karburantit të rikthehet për qytetarët dhe bizneset në çmimin fundor. Ka vetëm një kategori që do të marrë më shumë sa herë të jepet mundësia, qoftë nga rritja ekonomike mbi parashikimin, qoftë edhe nga ardhura të rritura si pasojë e situatave të kësaj natyre dhe kjo kategori është kategoria e pensionistëve. Askush s’do të kërkojë nga buxheti më shumë se i takon, pavarësisht dinamikave. Nga njëra ana sektori publik, pagat janë rritur dhe do vazhdojnë te rriten, siç ju e dini më mirë se sa shumë kush tjetër, në sektorin privat pagat janë rritur dhe rriten në mënyrë të vazhdueshme, sidomos për ata që kanë kualifikime, nuk është më pyetja, a vjen të punosh me këtë pagë, por është ndryshe, sa e do pagën që të vish të punosh. Në këtë fazë të zhvillimit të vendit jemi", tha Rama. 

Ora 13:59
Ministri Karakaçi: Gati pr.ligji për rezervën e hidrokarbureve

Gjatë takimit me furnizuesit e naftës, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi tha se projektligji për rezervën e hidrokarbureve është gati. Ai parashikon krijimin e një agjencie të posaçme dhe rezerva e naftës do të mbahet nga Agjencia Shtetërore duke pasur rezerva 90-ditore.

“Kemi 2 vjet që punojmë për ligjin e ri të rezervës së hidrokarbureve dhe tani është në fazën përmbyllëse për miratim. Projektligji i ri përmbush nevojat e BE dhe vendit. Ai parashikon krijimin e një agjencie të posaçme dhe rezerva do të mbahet nga Agjencia Shtetërore që do e depozitojë te depozitat e saj ose me qira duke pasur një rezervë 90-ditore”, tha Karakaçi.

Ora 13:54
A duhet rishikuar taksa e qarkullimit? Rama: Do shkonte tek drejtuesi i mjetit, askush s’do pranonte të paguante 4-fish më shumë

Për të frenuar një shtrenjtim të çmimit të naftës edhe më shumë, Konfindustria i kërkoi sot qeverisë të rishikojë taksat, pasi në një litër naftë rëndojnë sot 4 taksa, akciza, TVSH-ja, taksa e karbonit dhe e qarkullimit. Por, kryeministri Edi Rama tha se kjo taksë nuk ka për të ndryshuar, pasi edhe nëse do prekej, taksa do të shkonte drejtpërdrejtë tek drejtuesi i mjetit, në formën e taksës për mjetin.

“Një kërkesë që përsëritet, është të ulet taksa e qarkullimit. Taksa e qarkullimit e vendosur në strukturën e çmimit të karburantit. Për ata që e dëgjojnë këtë dhe nuk janë të informuar, nuk është problemi se ulet, po iku nga këtu, do shkojë diku tjetër, aty ku e kanë vendet që nuk e kanë në strukturën e çmimit. Nëse shkon diku tjetër, do shkojë tek përdoruesi i mjetit, në formën e taksës për mjetin. Nuk besoj se ka përdorues mjeti që do preferonte se në vend që ta paguante në strukturën e çmimit për aq sa harxhon, të paguajë 4-fishin e asaj që paguan sot për makinën. Dhe sipas kategorive të makinave të paguajë në ndonjë rast edhe 10-fishin”, tha Rama.

Ora 13:50
Çmimet, ministrja Ibrahimaj: Nuk ka luhatje në produktet e shportës

Në bashkëbisedimin me furnizuesit e naftës, ministrja Delina Ibrahimaj tha se një ekip monitoron çmimin e zhdoganimit dhe në tregun e pakicës. Gjithashtu, në produktet e shportës nuk janë konstatuar abuzime.

“Kemi identifikuar 70% të produkteve të shportës që po i monitorojmë në disa pika tregtimi dhe nuk ka pasur asnjë luhatje deri tani, spekulative apo abuzive”, tha ministrja.

Më tej, tha se monitorimi është ditor dhe diskutimi i përditshëm për çmimet do të jetë transparent.

“Monitorimi është ditor. Diskutimi mbi çmimet dhe efektet e tyre, janë të përditshme dhe do të vazhdojmë ta bëjmë në mënyrë transparente dhe në komunikim me publikun”, u shpreh Ibrahimaj.

Ora 13:47
Çmimet e karburanteve, Ibrahimaj: Po monitorojmë situatën për abuzimet, s’jemi në kushtet për të ngritur Bordin

Në bashkëbisedimin me furnizuesit e naftës, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se është verifikuar se ka rezerva ligjore të detyrueshme për karburantet, si edhe kanale furnizimi. Shqetësimi kryesor janë çmimet e karburanteve dhe produkteve, të cilat janë nën monitorim për të shmangur abuzimet.

“Shqetësimi kryesor i dytë lidhet me çmimet. Jemi të shqetësuar për rritjen e çmimeve në tregun e karburanteve, por s’jemi të përqendruar vetëm aty. Jemi duke monitoruar situatën e çmimeve në tërësi që të sigurohemi që nuk do të ketë abuzime nisur nga një situatë e paqartë në tregun e karburanteve”, tha ministrja.

Ajo shtoi se ndërsa në botë çmimet e karburanteve janë rritur deri në 40%, në Shqipëri rritja është 10-15%.

"Gjykojmë se nuk jemi ende në kushtet për të ringritur Bordin ndonëse hapësira ligjore ekziston. Nëse ka luhatje në marzhet e fitimit, do të futemi në atë regjim pasi qëllimi kryesor është mbrojtja e konsumatorit”, tha Ibrahimaj.