KAVAJE - Kryeministri Rama ka folur për herë të parë publikisht për çmimin e karburantit ku ka theksuar se nuk do të ketë heqje të taksave pasi sipas tij ato janë të drejta, ndërsa shtoi se qytetarët shqiptarë paguajnë më pak se vendet e rajonit për makinat e tyre. 

Kjo pasi sipas tij, në ndryshim nga vendet e rajonit, ku taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit paguhen veçmas, në Shqipëri ndodh e kundërta pasi ata janë të përfshira në çmim. Dhe kjo siç nënvizoi ai është bërë nga Partia Demokratike kur kjo e fundit ishte në pushtet, dhe është pikërisht kjo që akuzon sot qeverinë.

"Taksën e qarkullimit dhe taksën e karbonit, vendet e tjera të rajonit e paguajnë veç ndërsa ne e kemi te çmimi që do të thotë që ky nuk është një vendim që e kemi marrë ne, është një vendimin që e kanë marrë ata që sot bëjnë llafe dhe është një vendim i drejtë që kanë marrë që ta fusin te çmimi dhe kështu po e bëjnë dhe vendet e tjera të rajonit sot. Nga pikëpamja e parave që harxhojnë njerëzit për mjetin e tyre, shuma është e njëjtë ose më pak këtu tek ne sesa në vendet e tjera sepse nëse këtu tek ne të gjitha paguhen brenda çmimit të naftës, vendet e tjera paguajnë çmimin e naftës, paguan taksën e qarkullimit, paguan taksën dhe taksën e karbonit dhe po t'ia shtosh llogaria është shumë e thjeshtë" u shpreh Rama

Deklaratat kryeministri Rama i bëri gjatë një aktiviteti në Kavajë ku ai shpërndau 500 legalizimet falas për qytetarët kavajas. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)