BALLSH- Shpresa se do të gjejnë një zgjidhje për problemin e tyre nuk i është shuar naftëtarëve edhe në ditën 14 të grevës së urisë. Ndihen më të lodhur, gjendja shëndetësore është më e rënduar, por kjo nuk i ka ndryshuar mendimin për ta lënë këtë betejë në gjysmë pa marrë atë që kërkojnë prej shumë muajsh, pagat e prapambetura që i kanë fituar me ligj. Në mbështetje të tyre kanë ardhur edhe naftëtarë të Kuçovës.

"Kemi shpresë që do kemi një zgjidhje, pse të mos kemi shpresë, por kërkojmë diçka që na takon, nuk po kërkojmë lëmoshë. Po kërkojmë djersën tonë. Kryeministri, se nuk i them zoti kryeministër se nuk është më, e ka harruar popullin shqiptar, ta harrojë që do dalim nga kjo grevë, nuk ka kthim mbrapa, ta harroj", thotë një naftëtare.

"Jemi më të lodhur, nuk e di pse hesht shteti, nuk e di ça pret kur i ka të gjitha gjërat në dorë. Temperaturat e forta ndikojnë, nuk e di si do veprojnë. Nuk e di për ça janë këta deputetët e zonës kryebashkiaku, për pulat", shprehet një tjetër.

Mirëpo teksa naftëtarët këmbëngulin për të mos hequr dorë, njëjtë edhe për kryeministrin Edi Rama. Ai u bën sërish thirrje që të dalin nga greva që të ulen të diskutojnë. Ndërkohë që shton se po punohet për të gjetur investitorë seriozë që të rifillojë puna në rafineri.

"Të dashura greviste të Ballshit, është e drejta juaj të mos dilni nga greva, por është e pamundur të ulemi bashkë me presione e ultimatume! Jam gati të vij tek ju sapo të mbyllni grevën e të flasim si do mundemi t'ju ndihmojmë për këtë hall që nuk e ka krijuar qeveria. Ne po punojmë për të gjetur investitorë seriozë që të rindezin rafinerinë edhe pse greva juaj nuk ndihmon as për këtë! Ndërsa për ndihmën e mundshme shtetërore ndërkohë, meqë ju s'pranoni as të dilni në asistencë, ka vetëm një rrugë: Mbyllni grevën dhe ulemi qajmë hallin", shkruan kryeministri Edi Rama.

Përgjigja për Ramën erdhi menjëherë! Edhe kësaj herë, ato shprehen se nuk do të dalin nga greva pa marrë diçka konkrete, por janë të gatshëm që të ulen të bisedojnë. "Ne i themi Ramës i faleminderit për këto mesazhe, por ne nuk jemi kundër uljes në tavolinë, të na caktojë datën, orën dhe vendin e takimit, kur të marrim diçka konkrete nga kryeministri Rama atëherë do të dalim nga greva", tha naftëtari. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:09
Rama i vendosur: Nuk do të ulemi dot në tavolinë pa u mbyllur greva! S'pranojmë ultimatume

Kryeministri Edi Rama është i vendosur që të mos ulet në bisedime me naftëtarët pa dalë nga greva.

"Miqtë e mi jo, më vjen keq po ne nuk do të ulemi dot në tavolinë pa u mbyllur greva! Qeveria nuk negocion nën presionin e askujt dhe nuk pranon ultimatume nga askush. Mbyllni grevën dhe do të vij unë tek ju, menjëherë! Ndryshe s'ka bisedime dhe unë s'kam shkop magjik", shkruan Rama.

Ora 11:00
Naftëtari-Ramës: Na cakto datën, orën dhe ditën që të takohemi! Kur të marrim diçka konkrete do të dalim nga greva (VIDEO)

Përgjigja për kryeministrin Edi Rama nga naftëtarët erdhi shumë shpejt. Ato kërkojnë të caktohet ora vendi dhe data e takimit dhe pa marrë diçka konkrete nuk dalin nga greva. Megjithatë, vendimi u përket grave që janë në grevë.

"Na ka ardhur një lajm nga kryeministri Edi Rama. Ne i themi Ramës i faleminderit për këto mesazhe, por ne nuk jemi kundër uljes në tavolinë, të na caktojë datën, orën dhe vendin e takimit, kur të marrim diçka konkrete nga kryeministri Rama atëherë do të dalim nga greva. Përderisa nuk kemi një orar, një vend të caktuar nga ana e kryeministrit për t'u ulur llafi nuk është i yni, por i atyre grave. Në rast se ato gra, heroina motrat tona, pranojnë kushtin e kryeministrit atëherë edhe ne jemi të gatshëm. Pa një gjë konkrete dhe një zgjidhje afat shkurtër s'dalim nga greva, megjithatë do ia lëmë kohës dhe takimit", tha naftëtari, Taulant Yzeiraj në përgjigje të kryeministrit.