Një ditë pasi ka kërcënuar se do të vetëvritej sepse nuk është paguar nga kompania e rafinerisë së naftës, ARMO, Agim Myrdini rrëfen për Report TV kushtet e vështira ekonomike në të cilat familja e tij gjendet prej kohësh.

Aktualisht, çifti Myrdini së bashku me dy fëmijët  jeton në shtëpinë e babait të tij pasi mundësia për të paguar faturat e energjisë elektrike, ujit, qerasë ishte pothuajse e pamundur për të. Pronari i shtëpisë me qera ku ai jetonte e ka dëbuar familjen në rrugë, madje nuk e ka lejuar as të marrë plaçkat.
 
"Nuk kisha lekë të paguaja as qeranë as ujin as dritat sepse firma nuk po na jepte lekët, madje i zoti i shtëpisë që jetoja më parë, më ka bllokuar edhe plaçkat pasi nuk mund t'i paguaja qeranë", shprehet për Report TV Agim Myrdini.
 
Bashkëshortja e Agimi Myrdinit, Valentina  kërkon ndihmën e një psikologeje pasi vajza dhe djali i saj, të cilët kanë parë të gjithë skenën teksa babai i tyre tentoi të hidhej, ndodhen në një gjendje të rënduar psikologjike. Ajo tregon se pasi mori 3 pagat nga kompania, me ato para është detyruar të paguaj të gjitha borxhet që kishte marrë këto muaj.
 
"Dje pasi dolëm nga spitali, pasi u qetësuam pak, në llogarinë e Agimit ishin kaluar tre rroga. Morëm ato lekë dhe kemi menduar të lajmë qiranë, borxhet që kemi dhe pastaj ç'të ngelet do mbajmë fëmijët. Djalin e kemi shumë keq, por edhe vajzën pasi është shumë e dhënë pas të atit. Kështu që, ndonjë psikolog do bëje mirë që të më marrë në kujdestari të dy fëmijët", shprehet bashkëshortja e Agimit, Valentina.  

Agim Myrdinit, për shkak të statusit të tij si një i burgosur politik, shoqata e ish- të përndjekurve i ka ofruar një banesë. Myrdini shprehet se për kushtet ekstremisht të këqija e bëjnë të pamundur jetesën në ato mjedise.  Ai i bën apel bashkisë që ta ndihmojë me gjërat minimale që duhet për të jetuar.