Nako Spiro: Disfatat e
brigadave po thyejnë rininë

Nako Spiro: Disfatat e<br />brigadave po thyejnë rininë
TIRANE- Një udhëtim plot peripeci i udhëheqjes komuniste malësive të Elbasanit, nëpër pyje, pa mundur të shkojnë në destinacion. Personazhet që i udhëhiqnin, nuk gëzonin besimin e udhëheqjes. Veç kësaj vështirësitë e të ftohtit dhe urisë e bëjnë gjendjen më kritike. Shpëtimi është një plan i shpërndarjes së tyre në grupe e drejtime të ndryshme. Bëhet fjalë për 19 dhjetorin 1943.

Kjo është pjesa e dytë e letrës që botuam dje, ku Nako Spiro i drejtohet Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare. Ai rrëfen në këtë pjesë të dytë, detaje nga ky udhëtim i vështirë, mbi gjendjen e forcave partizane, avancimin e forcave të Ballit Kombëtar dhe lëvizjet e forcave gjermane. Teksa janë nisur për në Orenjë, Spiro përshkruan: “Jeta në pyll filloi të bahesh shumë e zorshme. Buka mungonte. Mbulesa dhe ndonji fletë çadre për të përballue të ftohtit ose shiun nuk kishim fare. Gjermanët kaluen nja dy herë afër nesh...”

Një tentativë për të kaluar në Martanesh dështon. Udhërrëfyesit e kthejnë fjalën e tyre në fund. Të ndarë në grupe ata vijojnë përpjekjet. Nako Spiro rrëfen detaje nga ky udhëtim dhe jep informata edhe për çfarë ka ndodhur pas largimit të tij për në Tiranë. Ai flet mbi rolin e anglezëve në radhët e tyre dhe të Ballit, një përpjekje me gjermanët, etj.
Mandej në letër Nako Spiro jep një  tablo të gjendjes në Shqipërinë e mesme, dobësimin e radhëve në forcat Nacional Çlirimtaret, forcimin e rolit të Ballit Kombëtar dhe luftën mes tyre për të mbërritur atje ky synonin. Ja çfarë shkruan Nako Spiro në fund të kësaj letre: “...çështja e pushtetit në Shqipëri është çështje e mbrendshme ku nuk do të përzien aleatët, prandaj kur të zbresin aleatët duhet të gjejnë këtu vetëm nji ushtri, ushtria nacionalçlirimtare, vetëm nji pushtet, pushtetin e këshillave t’ona. Si duket këtë Balli e ka mësuar mirë dhe po kërkon t’a zbatojë për hesap të vet..”

Më tej Spiro rreshton disa dështime të cilat i quan mossuksese, dhe  e mbyll me një propozim “të bëhet një mbledhje të Komitetit Qëndror. Unë e konsideroj këtë si të domosdoshme”.
Ky dokument i cili botohet nga gazeta i plotë dhe sipas origjinalit veç fakteve të shumta historike dëshmon edhe begraundin e letërshkruesit, Nako Spiro, një personazh mjaft intrigues, që si duket pikërisht për shkak të personalitetit të tij, dhe rolit në udhëheqje gjatë Luftës, shkoi drejt atij fundi sa tragjik aq edhe misterioz, i vetëvrarë vetëm pak vite pas çlirimit.
 
(...vijon nga dje)
Më 19 në mëngjes Shtabi u nis për Orenjë. Këshilli vonoi të vinte dhe kështu n’aksham së bashku emisionin engles neve (Un isha me Shtabin) u ngjitëm sipër pyjeve të Gurit të Muzhaqit. Pas dy ditësh takuam aty me Këshillin. Jeta në pyll filloi të bahesh shumë e zorshme. Buka mungonte. Mbulesa dhe ndonji fletë çadre për të përballue të ftohtit ose shiun nuk kishim fare. Gjermanët kaluen nja dy herë afër nesh. Venin për në Martanesh. Harova të shtoj përpara se gjermano-ballistat gjetën të tërë materjalin qi kish mëshefur Grupi i Elbasanit dhe Brigada e II-të n’Orenjë dhe n’ato pyje. Me randësi ndër këto depo janë ajo e municioneve dhe e sendeve të monopolit të zëna n’Orenjë. Teknikat shpëtuan që të dyja njëra u montue dhe u mshef brenda në pyll tjetra vazhdon të punojë pa u turbullue.

Me që neve po humbnim kohën në pyll ku po izoloheshin fare nga bota, vendosëm dhe bëmë sa vijon: Majori, Tarasi, Doktori, Unë, Inxineri, nji shok prej Tirane i marun për të punue me këshillat, partizanët e Shtabit, Goga, gjenerali engles, koloneli dhe nji reshter, Federiku, të primë nga Lila morëm rrugën e kaptinës së Martaneshit për të dalë anas nga Qarishta prej ku, me anën e Bilal Biçakut (miku i jonë i ngushtë insistonte Lila) të hidheshim përtej lumit. Kishim me vehte edhe nji skuadër prej 8 vetash të Bataljonit të Çermenikës. Rrugës kaluem nja tre katër ditë nëpër shi tue ndenjur ndër pyje. Na udhëhiqte Lila, prandaj imagjinoni se ç’far konspiracion mbanim.

Kena kalue ndër vende qi s’kishte shkelë as dreqi. Nga Qarishta, Bilal Biçaku, na u përgjegj se n’asnjë mënyrë nuk munt të kalojshim andej dhe se duhet të ikshim sa ma parë në qoftë se nuk donim të na kapnin ballistat. Si duket ky zotnija kish ndrue fletë. Ndërkaq nga vendi i nisjes Sejfullahun, Doktorin e madh dhe Boshnjakun e nisëm për në teknikë ku janë akoma. Fetahu, Haki Stërmilli, dhe disa shokë të tjerë mbetën aty. Ata do mshifeshin ku të gjejshin. Po mbas ca kohe u sulmuan prej gjermanve dhe ku vajti njëri s’vajti tjetri. Asnjë humbje. Neve nga Qarishta, pasi ngrihemi në majët të Zabzunit në dëborë e tufan gjetëm vend mbi stanet e Kostenjës.

Aty ishte dhe Babai. Dërguem Lilën nga Orenja që të merte informata, të merte lidhje me Elbasanin me Tiranëm, me Brigadat ose me batalionet e atyshëm dhe të na gjente nji vend tjetër. Lila vonoi nji javë që të na sjellë përgjigjen pse kish asnjë mik ku të fuste kokën. Miqt e tij si Beg Balla kishin trathtue. U nisëm për Orenjë dhe që aty, mbasi morëm lidhje me Samiun, shkuem në nji vend andej afër. Partizanët i çuem ndër çeta, Gogën në teknikë. Aty mbetëm vetëm 5 vetë, majori, Tarasi, Doktori, Ixhineri dhe unë. Unë kam hekë të zezën nga kukujzat, m’u ba trupi plagë i gjithë, ishte sukses kur munt të flinja dy tre orë në 24 orë. Për këtë arsye dhe për të bërë diçka vendosëm që të vija në Tiranë. Katër shokët janë akoma aty.

Pllani i tyne asht që të gjejnë mënyrën si të hidhen nga ana e juaj, ose të mbledhin forcat e këtejshme dhe të fillojnë punën. Gjatë gjithë kësaj kohe morali ka qenë shumë i naltë si nga ana e Shtabit ashtu dhe e Këshillit. Nji ditë mbassi u larguem ne nga Kostenja ku lamë englezët gjoja për ma rehat dhe pse nuk munt t’i sillshim rotull n’atë mënyrë, sulmune ballistat me gjermanët. T’anët ishin shumë pak. Aziz Biçaku i rrethoi dhe mujti të zërë rob gjeneralin të plagosur, nji major dhe nji reshter. Baba Faja e theu rethimin. Gjermanët e deklaruan me radio me gazeta e me trakte se nacionalistat e Aziz Biçakut zunë gjeneralin dhe ja dorëzuen gjermanve.

Balli bëri presion të madh që të lehesh në heshtje kjo gjë. Por gjermanët thanë, ja me ne ja me anglezët. Kjo gjë e ka diskretituar mjaft Ballin, por të mos harojmë se dhe për neve asht nji turp i madh. Englezët e tjerë janë të shpërndarë koqe koqe. Koloneli, autoriteti i tyre ma i madh në Shqipëri, asht nga Mati me çetën t’onë. Ai dhe një kapiten kanë kambët të kalbura po thuaj nga të ftohtit, dhe nuk di si do bëhet halli i tyre.

4. – Situata e krijuar në Shqipërinë e mesme asht shumë e vështirë. Reaksjoni asht shumë i madh dhe ka mobilizuar mjaft bashibozukë veçanërisht në krahinën e Elbasanit, ku puna e jonë si po duket ka qenë ma e përciptë. Në Elbasan janë prej kohe njerzit e beut. Kanë vra Dylin dhe Haxhiren vlla e motër të Kadri kurierit, Adem Kosovën, Doktor Xhafer Kongolin dhe Xhaf Hakanin të jatin e Petritit. Elbasani asht i mbushun me partizanë e me ilegalë. Në rast të një kontrollimi të gjanë asht zor të shpëtojnë shumë vetë. Në Tiranë ka nji muej që u bë nji kontroll i përgjithshëm. Nuk pat arestime, kontrolli qe ma tepër formal dhe për të vjedhë. Tani kemi në Tiranë trupa kosovare, disa ballista dhe nji xhandarmëri që po bahet e vështirë. Munt të ketë gati 400 partizanë e ilegalë.

Nuk asht kollaj t’i thuesh të shkojnë ndër çeta. Në ç’farë çetash? Çetat futen brimave ose shpërndahen. Mossukseset ushtarake dhe veçanërisht ato të brigadave ja kanë thye mjaft hovin rinis, mbi të cilën armiku ka shpërthye nji ofensivë demagogjike dhe po pregatitet të shpërthejë edhe terror. Kanë fillue me arestue edhe fëmijët djem e vajza, 12-13 vjeç. Dhe po i torturojnë. Bataljonet reth Tiranës kanë luftue por reaksjoni asht mjaft i madh. U vra Kajo mbas nji lufte me të vërtetë të rreptë me gjermano ballistat. Bataljonet e Pezës bëhen a s’bëhen nja 150 vetë të tërë. Për të ngritur moralin e partizanëve në ball të luftës kto ditë ka qenë vetë Shulja, Myslimi dhe Mustafa (pse atje ka për ditë luftë).

     Shtypi dhe propaganda e armikut janë dhjetëfishue për të krijue përshtypjen se jena neutralë, se duhet nji qeveri e fortë dhe se neve kemi kaosi. Të gjithë të vjetrit, të gjithë ata që kanë shërbye në nji mënyrë ose në tjetrën në kohën e Zogut janë thirë n’administratë. Edhe Nebil Çikat me shokë po dalin në skenë. Dolli gazeta Arbënia siç ishte qëmoti. Reaksjoni si po duket kërkon të zbatojë me përpikni atë që neve thinjim në qarkoren t’onë të 10 Shtatorit. D.m.th. se çështja e pushtetit në Shqipëri është çështje e mbrendshme ku nuk do të përzien aleatët, prandaj kur të zbresin aleatët duhet të gjejnë këtu vetëm nji ushtri, ushtria nacionalçlirimtare, vetëm nji pushtet, pushtetin e këshillave t’ona. Si duket këtë Balli e ka mësuar mirë dhe po kërkon t’a zbatojë për hesap të vet.

     Populli, veçanërisht në qytetin e Tiranës ka simpati të madhe për neve, por shef këto suksese të trathtarve dhe dekurajohet. Në rethet borgjeze qi janë afër nesh ka fillue të ketë efekt demagogjija anmike. Nji pikë qi na ven të tërë përpara, edhe popullin, është çështja e Dushanit dhe Meladinit. Mendimi i em asht se duhet të përgjigjemi mbi këtë gja. Unë dëshëroj qi të të më shkrueni si t’ja bajmë.

     Reaksjoni po forcohet ushtarakisht. Asht e domosdoshme qi të sulmojmë qi kështu të kemi forca të mjafta për të shfrytëzue rastet e favorshme qi do na paraqesi gjendja ndërkombëtare. Duhet të sulmojmë pse po të tërhiqemi anmiku do të na ndjeki këmba këmbës për të na likuidue ushtarakisht. Po ktej nga Shqipnia e Mesme asht shumë e zorshme me kalue në sulm. Tani ktej mund të sulmohet vetëm me njisi të vogla, por dhe për ktu duhet punë e shëndoshë. Na, që kemi qenë në kto sektora e kuptojmë se na kanë mungue parashikimet dhe se nuk kemi ba pparashikimet dhe se nuk kemi ba pdorimin ma të mirë të forcave qi kemi pasë në dispozicion. Na ndjejmë përgjigjsi të madhe për kto mossuksese që po korrim.
     Në rastin e favorshëm ma të parë duhet të bajmë nji mbledhje të Komitetit Qëndror. Unë e konsideroj këtë si të domosdoshme.
 
Të fala shoqnore
Deti
E Enjte 27/I/1944
A.Q.Sh/ Fondi 14/ Dosja 76/ Viti 1944

 
Shkrimi u publikua sot (25.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

I emëruar i Trumpit për emigracionin mbikqyri një valë deportimesh në të kaluarën

I emëruar i Trumpit për emigracionin mbikqyri një valë deportimesh në të kaluarën