TIRANE - Deputetët e majtë kanë filluar që tani të hedhin tezat e tyre sesi duhet të funskionojë qeveria që do të drejtohet nga ata dhe aleati kryetar LSI në fillim të muajit shtator. Pas deputetit socialist, Erjon Braçe, i cili pak ditë më parë propozoi mënyra të qeverisjes, i dyti në radhët e PS që propozon gjashtë kushte për një qeverisje të mirë, është një nga deputetetët e vjetër socilist, Namik Dokle. Për atë një qeverisje e mirë duhet të përmbajë disa elementë të rëndësishëm, duke filluar që nga reduktimi i shpenzimeve, mirëfunksionimi, profesionalizmi etj.

“Unë po jap një mendim, ju mund të shtoni mendimet tuaja. Do të thoja, pra, se për të garantuar një qeverisje të mirë do të duhej: 1.Qeveri që kushton pak, ç`ka do të thotë të reduktosh ato shpenzime që nuk shtojnë vlera në përfitim të shoqërisë. 2.Qeveri e ndershme dhe transparente, ç`ka do të thotë të rikthesh besimin e publikut në qeverinë e vet”, propozon dy kushtet e para deputeti i mazhorancës së ardhshme.

Duke vijuar më tej me kushte të tjera, Dokle kërkon që qeveria e majtë të jetë një qeveri cilësore, dixhitale dhe t`i garantojë qytetarit shërbim publik të lehtë. Në këto propozime ai argumenton çdo kusht dhe kërkon që çdo gjë të jetë në varësi të pritshmërisë së qyetarëve. Qeveria sipas tij, duhet të jetë vetëm në funksion të qyetarëve. “3.Qeveri cilësore, ç`ka do të thotë të plotësosh kënaqshëm pritshmëritë e njerëzve për shërbimet që u nevojiten. 4.Qeveri profesionale, ç`ka do të thotë të tërheqësh dhe të motivosh gratë dhe burrat më të mirë në shërbimet publike. 5.Qeveri dixjitale, që të bësh të mundur që çdo qytetar të ketë akses në shërbimet dhe informacionin që Qeveria ofron. 6.Qeveri funksionale, që garanton ndaj qytetarit shërbim publik të lehtë, të shpejtë dhe të sigurtë.

Edhe më shumë se kaq!!!”, shkruan propozimet e veta Dokle në rrjetin social Facebook. Por i pari që theu heshtjen ishte Braçe, i cili propozoi një kabinet qeveritar jo të fryrë, dhe njerëz që të mos kenë të shkuar me shkelje penale e administrative. Por edhe një qeveri të thjeshtë, dhe jo me shumë zv.ministra për të plotësuar tekat e aleatëve. “Duhet një qeveri e vogël; një qeveri që të funksionojë si një e tërë; një qeveri me ekspertë, apo ndryshe e re dhe për më tepër një qeveri që nuk duhet të ketë ministra që në një kohë, apo në një tjetër të jenë të përgojuar apo të përfolur për të shkuarën e tyre.

Për herë të parë, nga radhët e maxhorancës së re të krijuar pas zgjedhjeve të 23 qershorit, vjen propozimi nga deputeti i zgjedhur në qarkun e Fierit, Erjon Braçe. Edhe për pastërtinë e qeverisë Braçe ka dhënë mendimin e tij. Kërkon që në përbërje të saj të ketë njerëz të denjë, burra e gra pa pengje në të shkuarën, shkollim dhe diploma të merituara, punë konkrete e rezultate, raport me ligjin, pa shkelje administrative apo më keq sipas Braçes “me të shkuar penale”. Ndërkaq, sipas tij, e rëndësishme është qeverisja transparente në sy të publikut.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)