Shpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, por edhe gjithçka çfarë e parapriu dhe më pas erdhi, janë një dëshmi e fortë historike se shqiptarët nuk kanë pasur ndarje midis fesë dhe kombit.
E kundërta ka qenë kokëfortë, ku feja ka qenë pazgjidhshmërisht e lidhur me identitetin tonë kombëtar dhe ka shërbyer si urë që i ka bashkuar shqiptarët dhe jo si mur që mund t'i mbante të përçarë.
Nuk ka se si të ndodhte ndryshe ku ndër firmëtarë të pavarësisë shohim myftiun e madh, Vehbi Dibra, dhe priftin e mençur, dom Nikollë Kaçorri.
Ata nuk e shihnin fenë si kufi, por si pasuri. Nuk e shihnin kombin si rival të besimit, por si mision të përbashkët, ku secili besim i jepte shpirt dhe energji për të ecur përpara.
Në vizionin e etërve themelues të shtetit shqiptar, të ishe mysliman apo i krishterë, nuk të bënte më pak shqiptar. Prandaj parimi se 'dashuria e vatanit është pjesë e imanit (besimit)" i ka udhëhequr si një dritë ndriçuese dhe një rrugë e drejtë drejt shtetformimit.
Kjo harmoni e admirueshme dhe vlerë unikale e këtij populli nuk u shfaq vetëm në '12-tën, por edhe më pas me figura gjithëkombëtare ai At Gjergj Fishta - poet dhe prift, politikan dhe polemist - e deri te Hafiz Ibrahim Dalliu apo Hafiz Ali Korça, vargjet e të cilëve janë tregues i një kombëtarizmi të pashoq, i një vëllazërie dhe harmonie pa kushte dhe pa negocim.
Fatmirësisht dhe logjikisht askush prej tyre, myslimanë e të krishterë, nuk e ndjenë ndonjëherë nevojën për të zhbërë fenë dhe për të dashur kombin apo të sakrifikonin kombim për të mbrojtur fenë. Ata besonin se sa më të larmishëm dhe më të pasur, aq më i fortë do tç bëhej trungu ynë i përbashkët.
Edhe në periudhat më të errëta, në burgjet e regjimit komunist, ku u tentua shfarosja e besimit, priftërinjtë dhe hoxhallarët ndanë qelinë, bukën dhe dhimbjen si vëllezër. Në ato biruca ku feja u ndalua me ligj, njerëzit e fesë dëshmuan se vlera e tyre e parë ishte njerëzorja dhe kombëtarja. Dëshmia më e fortë kundër ndasive fetare është pikërisht kjo, sepse ata nuk u përçanë as kur u torturuan njësoj.
Prandaj, kushdo që sot i fryn ndasisë apo fanatizmit, kushdo që anatemon një fe për të ngritur tjetrën, nuk bën gjë tjetër veçse i shërben axhendave të vjetra armiqësore dhe antikombëtare. Shqiptarët nuk janë ndarë kurrë sipas fesë dhe kjo është pasuri që duhet kultivuar.
Feja, cilado qoftë, është pjesë e identitetit tonë kombëtar. Myslimanët, katolikët dhe ortodoksët janë pjesë të të njëjtin mozaik kombëtar.
Larmishmëria jonë fetare nuk na ka penguar kurrë të ndërtojmë shtetin, të luftojmë për pavarësinë apo të mbrojmë trojet tona kur është dashur.
Prandaj, tezat që i fryjnë ndarjes, urrejtjes apo provokimeve me bazë fetare, duhen neveritur dhe duhen hedhur poshtë si antishqiptarizëm.
Problemet tona me Europën nuk kanë asnjë lidhje me fenë, ato janë të një karakteri tjetër, edhe pse nuk janë objekt i këtij shkrimi.
Por e vërteta është e thjeshtë: kush sulmon fenë e tjetrit në Shqipëri, ka sulmuar vetë unitetin kombëtar. Kush ngre flamurin e antifetarizmit, synon të shëmbë strukturën që mban të bashkuar identitetin tonë kombltar. Dhe kush synon të krijojë ndasi mbi baza fetare, kjo nuk është Shqipëria e Fishtës, e Hafiz Ali Korçës, e dom Nikollë Kaçorrit apo e myfti Vehbi Dibrës.
Komente









