Kryeministri Rama iu rikthye ditës së sotme pezullimit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Energjitikës, zonjës Belinda Balluku, duke e cilësuar masën e dhënë ndaj saj si ndërhyre e pushtetit gjyqësor në punët e ekzekutivit, gjë që Komisioni i Venecias e ka ndaluar rreptësisht.
Në fakt, nga një kërkim i thjeshtë, asnjë opinion, raport apo rekomandim i Venecias nuk ka deklaruar se gjykatat nuk mund të vendosin pezullim të përkohshëm ndaj ministrave në kuadër të një procedure penale. Madje, Komisioni i Venecias e njeh këtë si praktikë të përhapur dhe të konsoliduar në shumë shtete të Këshillit të Europës, duke e konsideruar si pjesë normale të funksionimit të drejtësisë dhe jo si akt ndërhyrjeje politike në ekzekutiv.
Standardi ndërkombëtar është shprehur qartë në raportin themelor CDL-AD(2001)003, ku thuhet: “Në shumë shtete anëtare, procedurat penale mund të çojnë në pezullim të përkohshëm nga detyra, madje edhe për ministra.” Ky është një konstatim i drejtpërdrejtë se pezullimi nuk përbën shkelje të ekuilibrave kushtetues, por është një masë sigurie që synon vetëm ruajtjen e integritetit të hetimit. Pezullimi nuk është dënim, nuk është akt politik, nuk ndryshon shumicën qeverisëse dhe nuk prodhon efekt shkarkues. Ai është një ndërhyrje e kufizuar dhe e përkohshme, e cila nuk prek vullnetin politik të parlamentit.
E vërteta është se Komisioni i Venecias ka vënë një vijë të kuqe, por që nuk ka lidhje me pezullimin, por me ndalimin e shkarkimit të qeverisë nga gjykatat dhe kjo është bërë për të ruajtur integritetin e qeverisjes në vende që demokarcia është e brishtë dhe mund të rrëzohet më mënyra antidemokratike. Në raportin CDL-AD(2013)001 thuhet shprehimisht: “Vetëm shkarkimi i një qeverie nga organet gjyqësore do të shkelte parimin e përgjegjësisë parlamentare.”
E thënë ndryshe, Komisioni ka ndaluar një ndërhyrje të tillë gjyqësore që do të përmbyste ekuilibrin politik, duke zëvendësuar përgjegjësinë parlamentare me një akt penal të gjykatës, mirëpo kjo nuk ka asnjë lidhje me masat e përkohshme si pezullimi, të cilat nuk ndryshojnë përbërjen politike të qeverisë dhe nuk prodhojnë efektin e një shkarkimi, aq më tepër që janë edhe të apelueshme në shkallë të tjera të gjyqësorit.
Praktikat e vendeve europiane konfirmojnë këtë standard, si, për shembull, në Itali është parashikuar masa ‘interdizione dai pubblici uffici’, që sjell pezullim automatik për çdo zyrtar, përfshirë ministrat, ndërkohë që Spanja zbaton ‘suspensión cautelar’ për çdo funksionar publik. Gjithashtu, Belgjika, Holanda dhe Portugalia lejojnë masa të ngjashme të përkohshme ndaj anëtarëve të qeverisë. Në të gjitha këto shtete, qeveria zëvendëson përkohësisht ministrin e pezulluar pa asnjë konflikt kushtetues, sepse masa shihet si instrument procedural, jo politik.
Edhe vetë Venecia e ka adresuar këtë situatë, duke vënë në dukje se kur ministrat i nënshtrohen procedurave penale, funksionimi i qeverisë vijon normalisht përmes ministrave zëvendësues ose delegimit të kompetencave. Pra, pezullimi nuk e paralizon ekzekutivin dhe nuk cenon stabilitetin politik.
Në këtë kontekst, pretendimi se pezullimi i përkohshëm “cenon vullnetin demokratik” nuk është i bazuar në dokumentet e Venecias, as në përvojën europiane, sepse pezullimi nuk është shkarkim, nuk përmbys qeverinë, nuk ndërhyn në rolin e parlamentit, por është një masë sigurie e zakonshme, e njohur dhe e pranuar, që zbatohet për çdo zyrtar publik, përfshirë ministrat, kur ekziston rreziku i ndikimit në hetim.
Për këtë arsye, deklarata e kryeministrit nuk përputhet me standardet dhe dokumentet e Komisionit të Venecias.
Vlen të theksohet se po! Komisioni ka ndaluar vetëm njërin akt: atë të shkarkimit të qeverisë nga gjykata, si ndërhyrje që shkel parimin e përgjegjësisë parlamentare, por nuk ka ndaluar pezullimin e përkohshëm të një ministri, kur ai shërben për integritetin e procesit penal dhe kur është i parashikuar nga ligji.
Pra, Venecia ka bërë dallim të qartë midis shkarkimit që është antikushtetues dhe pezullimit si masë e përkohshme.
Mendoj se ky dallim duhet të drejtojë debatin publik, larg interpretimeve politike dhe në përputhe me standardet evropiane.
Komente













Venecia sugjeron doreheqje ! Kjo eshte standardi
Përgjigju