Pavarësisht se çfarë deklarojnë në publik, brenda strukturave drejtuese të PD-së nuk ka asnjë dilemë: Sali Berisha nuk është më ‘forca’ e PD-së, por problem i saj kryesor. Servilët nuk duan ta besojnë, ndërsa hipokritët presin që biologjia të shuajë kandilin dhe të përfitojnë ç’të mundin nga ajo që do ngelet.
Seanca e kësaj të hëne, evidentoi dyzimin mes grupit parlamentar të PD-së, nga një anë, dhe Sali Berishës, nga ana tjetër, në raport me institucionet e drejtësisë. 57 pyetje me shkrim kreut të SPAK, Altin Dumani, dhe 25 pyetje Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, i drejtuan deputetët e opozitës dy njerëzve më të rëndësishëm të institucioneve të hetimit në vend. Pra, në letër PD sillet institucionalisht dhe si një parti që kërkon llogari, ndërkohë Berisha, në të njëjtën sallë dhe jashtë saj, sulmoi SPAK-un dhe Prokurorin e Përgjithshëm me akuza personale, duke i quajtur “gjumashë mbi dosjet e krimit”, të kapur, të kompromentuar etj.
Me këtë sjellje, duket se PD e trajton drejtësinë si institucion që beson, kurse Berisha vijon me akuzat personale duke e trajtuar sit ë titllë. Këto dy qasje nuk mund të qëndrojnë bashkë. PD duhet të zgjedhë nëse mendon si Berisha që SPAK është i kapur apo mendon që Prokuroria e Posaçme është organ që duhet mbajtur përgjegjës me pyetje e kontroll parlamentar? Nëse vlen e para, pyetjet janë teatër, ndërsa, nëse vlen e dyta, atëherë sulmet e Berishës nuk janë qëndrimi i PD-së, por halli i tij personal.
Sikur të mos mjaftonte vetëm kaq, PD-ja bashkoi votat me PS-në për ngritjen e dy komisioneve parlamentare. Pra, hyri në lojën proceduriale. Shumë mirë bëri dhe si opozitë që është, duhet të sillet e përgjegjshme ndaj besimit të qytetarëve. Mirëpo, ndërkohë që brenda sallës bashkoi votat me PS-në, sapo doli te dera e Kuvendit, filloi sërish me të njëjtën retorikë, sikur të mos ishte ai që pak më parë bashkoi votat me mazhorancën.
Është për të ardhur keq që sot PD shfaqet një parti pa identitet politik të qartë, ndërkohë të vetmen fytyrë të dukshme ka atë të Berishës, i cili, nga ana e vet, i është kthyer në një bela të madhe opozitës, për sa kohë që nuk i intereson fati i saj, por vetëm halli i vet penal./Tema
Komente












