Nancy Pelosi krah presidentes së Tajvanit: Erdhëm që ta bëjmë të qartë se nuk do t’ju braktisim

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi u takua me liderët dhe ligjvënësit tajvanezë të mërkurën, përfshirë presidenten e Tajvanit Tsai Ing-wen.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, tha se dëshiron ta bëjë “të qartë” se Shtetet e Bashkuara nuk do ta braktisin Tajvanin, ndërsa fliste nga zyra presidenciale.

‘Sot, delegacioni ynë… erdhi në Tajvan për ta bërë të qartë se nuk do të braktisim angazhimin tonë ndaj Tajvanit dhe ne jemi krenarë për miqësinë tonë të qëndrueshme’, tha Pelosi, duke qëndruar pranë Presidentes Tsai Ing-wen pasi mori nderimin më të lartë civil të Tajvanit.

‘Tani më shumë se kurrë, solidariteti i Amerikës me Tajvanin është vendimtar dhe ky është mesazhi që ne po sjellim këtu sot’, tha Pelosi.

‘Mezi pres ta ekspozoj këtë çmim në zyrën e Kryetarit, ose ta vendos atje, në Kapitol si një simbol i miqësisë sonë të çmuar’, tha ajo për nderin civil.

Pelosi është politikania më e lartë amerikane që ka vizituar Tajvanin që kur kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich e vizitoi këtë vend në vitin 1997.

Kina e sheh Tajvanin si provincë të shkëputur, të cilën mund ta marrë edhe me forcë nëse është e nevojshme.

Pelosi ka qenë një kritike e ashpër e Kinës gjatë më shumë se tri dekadave të saj në Kongres - dikur ka shpalosur një pankartë të sheshit Tiananmen të Pekinit, që përkujtonte të vrarët nga regjimi në një protestë pro-demokracisë, më 1989.

Ajo ka qenë, po ashtu, mbështetëse e fuqishme e protestave pro-demokracisë të vitit 2019 në Hong Kong - çfarë e ka bërë atë objektiv të kritikave nga Pekini.

Tajvani gëzon mbështetje të fortë dypartiake në Kongresin amerikan.

Kujtojmë se samiti i fundit i SHBA-ve me Kinën është zhvilluar më 16 nëntor të vitit 2021, atëherë kur ende përflitej çështja e Tajvanit dhe paralajmërohej për një luftë në Ukrainë.

Ndërsa tensionet mes Kinës dhe Tajvanit janë shtuar, Presidenti amerikan Joe Biden pritet të flasë të enjten me presidentin kinez Xi Jinping.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:50
Pelosi përfundon udhëtimin historik, premton se Shtetet e Bashkuara nuk do ta “braktisin” Tajvanin

Gjatë një udhëtimi historik në Tajvan të mërkurën, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi, tha se vizita e saj kishte për qëllim ta bënte "të qartë" se Shtetet e Bashkuara "nuk do ta braktisnin" ishullin e qeverisur në mënyrë demokratike.

Pelosi u largua nga Tajvani të mërkurën, rrugës për në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul, ndërsa u bë kryetarja e parë e Dhomës së Përfaqësuesve në 25 vjet që viziton ishullin.

Lavdërimi i Pelosit për angazhimin e Tajvanit ndaj demokracisë ishte një shfaqje e rëndësishme e mbështetjes për Taipein, që erdhi vetëm disa orë pasi Kina kërcënoi se do të hakmerrej ndaj pranisë së saj me një seri stërvitjesh ushtarake.

"Ne jemi krenarë për miqësinë tonë të qëndrueshme," tha Pelosi, duke folur së bashku me Presidenten e Tajvanit Tsai Ing-ëen në zyrën presidenciale në Taipei.

Ora 08:59
Hakmarrja pas vizitës së Pelosit, Kina pezullon disa importe tajvaneze dhe ndalon eksportin e rërës në Tajvan

Kina ka pezulluar importin e agrumeve dhe disa produkteve të peshkut nga Tajvani dhe eksportin e rërës natyrore në ishull, thanë autoritetet kineze të mërkurën, në mes të vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi në Taipei.

Zëdhënësi i Zyrës së Çështjeve të Tajvanit të Kinës, Ma Xiaoguang tha të mërkurën se importi i grejpfrutit, limonit, portokallit si dhe frutave të tjera agrume, nga Tajvani në Kinë ishte pezulluar.

Në një deklaratë të veçantë, Dogana Kineze tha se pezullimi i importit të frutave agrume është si rezultat i ‘mbetjeve të tepërta të pesticideve’.

Ndërkohë, Ministria e Tregtisë e Kinës njoftoi gjithashtu të mërkurën se po pezullon menjëherë eksportin e saj të rërës natyrore në Tajvan.

Në një deklaratë të mërkurën pas njoftimit, Byroja e Minierave të Tajvanit tha se pezullimi i eksporteve të rërës nga Kina do të kishte një efekt "të kufizuar" dhe se kërkesa e brendshme e Tajvanit për rërë kineze përbën "më pak se 1%" në vitet e fundit.

M.Q./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lali: 03/08/2022 15:41

    Amerika kudo qe shkel mbjell lufte dhe urrejtje do zoti i ka oret e numeruara se e shkaterroj boten

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë