Nancy Pelosi mbërrin në Tajvan, pavarësisht tensioneve me Kinën

Nancy Pelosi mbërrin në Tajvan, pavarësisht tensioneve me Kinën

Nancy Pelosi

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy Pelosi mbërriti në Tajvan të martën, pavarësisht paralajmërimeve të Kinës dhe Rusisë që kjo vizitë të mos ndodhte.

BBC ka publikuar videon kur ajo zbret në aeroportin e Tajvanit, ku përshëndet delegacionin.

Kina, e cila pretendon se Tajvani është territor i saj, ishte kundër kësaj vizite. Kundër vizitës është shprehur edhe Rusia ditën e sotme, pak para se Pelosi të mbërrinte në Tajvan.

Pelosi mbërriti në Songshan të Taipeit në orën 22:44 me kohën lokale. Ajo pritet të udhëtojë me autokolonë në hotelin Grand Hyatt në Taipei, ku do të qëndrojë gjatë natës.

Jashtë hotelit po mbahet një protestë e vogël nga një grup qytetarësh pro Kinës të cilët janë kundër vizitës së saj. 

Pelosi është politikania më e lartë amerikane që ka vizituar Tajvanin që kur kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich e vizitoi këtë vend në vitin 1997.

Kina e sheh Tajvanin si provincë të shkëputur, të cilën mund ta marrë edhe me forcë nëse është e nevojshme.

Pelosi ka qenë një kritike e ashpër e Kinës gjatë më shumë se tri dekadave të saj në Kongres - dikur ka shpalosur një pankartë të sheshit Tiananmen të Pekinit, që përkujtonte të vrarët nga regjimi në një protestë pro-demokracisë, më 1989.

Ajo ka qenë, po ashtu, mbështetëse e fuqishme e protestave pro-demokracisë të vitit 2019 në Hong Kong - çfarë e ka bërë atë objektiv të kritikave nga Pekini.

Tajvani gëzon mbështetje të fortë dypartiake në Kongresin amerikan.

Kujtojmë se samiti i fundit i SHBA-ve me Kinën është zhvilluar më 16 nëntor të vitit 2021, atëherë kur ende përflitej çështja e Tajvanit dhe paralajmërohej për një luftë në Ukrainë.

Ndërsa tensionet mes Kinës dhe Tajvanit janë shtuar, Presidenti amerikan Joe Biden pritet të flasë të enjten me presidentin kinez Xi Jinping.


Lajmi kryesor:

Rusia kundërshton vizitën e Nancy Pelosit në Tajvan, mbron qëndrimin e Kinës


Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:01
Kina paralajmëron “operacione ushtarake” në Tajvan, për shkak të vizitës së Nancy Pelosit

Ushtria kineze është vënë në gatishmëri të lartë dhe do të nisë “operacione të posaçme ushtarake” në përgjigje të vizitës në Tajvan të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, të martën.

Kështu deklaroi mbrëmjen e 2 gushtit Ministria kineze e Mbrojtjes.

Në një njoftim të paralel, Komanda Lindore e Ushtrisë Popullore të Kinës, tha se do të mbajë operacione të përbashkëta ushtarake afër Tajvanit mbrëmjen e të martës.

Stërvitjet ushtarake do të përfshijnë stërvitje ajrore dhe detare në veri, juglindje dhe juglindje të Tajvanit.

Ministria kineze e Mbrojtjes nuk dha detaje se çfarë do të përfshijnë operacionet ushtarake, ose nëse ishin të ndara nga stërvitjet e paralajmëruara nga Komanda Lindore.

Pelosi me të mbërritur në Tajvan, tha se solidariteti i SHBA-së me popullin tajvanez është më i rëndësishëm se kurrë më parë.

Vizita e saj ka rritur tensionet midis Pekinit dhe Uashingtonit, teksa Kina ka thënë se vizita e Pelosit “cenon seriozisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës”.

Po ashtu, më 2 gusht, autoritetet e mbrojtjes në Tajvan, njoftuan se 21 avionë luftarakë kinezë kanë fluturuar mbi Tajvan.

Ora 18:45
'Mbështesim demokracinë e vendit', Nancy Pelosi: Solidariteti i SHBA-së me popullin e Tajvanit, më i rëndësishëm se kurrë më parë

1658609310_nensy.JPG

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi ka arritur në Tajvan, pavarësisht kërcënimeve të Kinës se Uashingtoni do të përballet me “pasoja serioze”. Ajo u prit në aeroportin e Tajpeit nga ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu.

“Vizita në Tajvan e delegacionit të Kongresit tonë nderon zotimin e palëkundur të Amerikës në mbështetjen e demokracisë së gjallë të Tajvanit”, tha Pelosi.

“Solidariteti i Amerikës me 23 milionë banorët e Tajvanit është më i rëndësishëm se kurrë më parë, teksa bota përballet me zgjedhjen midis autokracisë dhe demokracisë”, shtoi ajo.

Zyrtarja e lartë amerikane pritet që të mërkurën të takohet me presidenten e Tajvanit, Tsai Ing-wen, si dhe të vizitojë Parlamentin e këtij shteti. Ajo pritet të përfundojë vizitën pasditen e 3 gushtit. Vizita e saj në Tajvan vjen teksa media shtetërore kineze raportoi të martën se avionët luftarakë kinezë po fluturojnë mbi Ngushticën e Tajvanit.

“Avionët kinezë të llojit Su-35 po kalojnë mbi Ngushticën e Tajvanit”, raportoi media shtetërore TV CGTN, pa ofruar detaje të tjera.

Vizita e Pelosit në Tajpei të Tajvanit vjen mes paralajmërimeve të intensifikuara nga Kina dhe katër anije luftarake amerikane duke përfshirë një aeroplanmbajtëse, u pozicionuan në ujëra në lindje të ishullit.

Transportuesi i USS Ronald Reagan, që kishte kaluar transit në detin e Kinës Jugore, aktualisht është në detin e Filipineve, në lindje të Tajvanit dhe Filipineve dhe në jug të Japonisë, konfirmoi një zyrtar i marinës amerikane për Reutersin të martën.

Ronald Reagan (CVN 76) është aeroplanmbajtësja e nëntë e klasit Nimitz me energji bërthamore dhe është emëruar kështu për nder të presidentit të 40-të të Shteteve të Bashkuara.

“Derisa ato janë në gjendje t’i përgjigjen çdo eventualiteti, këto janë zhvendosje normale rutinore”, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti.

Zyrtari i marinës amerikane tha se anija sulmuese USS Tripoli, ishte gjithashtu në zonë si pjesë e një dislokimi në rajon që nisi në fillim të majit nga porti i saj i origjinës, San Diego. Konfirmimi i dislokimeve u bë pasi u shfaqën shenja të aktivitetit ushtarak në të dy anët e Ngushticës së Tajvanit para vizitës së Pelosit. Pelosi, kritike për një kohë të gjatë e Kinës, viziton Tajvanin pasi Shtetet e Bashkuara deklaruan se nuk do të frikësoheshin nga ” kërcënimi i forcës ushtarake” kineze gjatë vizitës. Përveç aeroplanëve kinezë që fluturonin afër vijës ndarëse të martën në mëngjes, disa anije luftarake kineze kishin mbetur pranë kësaj vije që nga e hëna, i tha Reutersit një burim i informuar për këtë çështje. Burimi tha se si anijet luftarake dhe avionët kinezë “ngushtuan” vijën ndarëse të martën në mëngjes, një lëvizje e pazakontë që burimi e përshkroi si “shumë provokuese”Burimi tha se avioni kinez kreu në mënyrë të përsëritur lëvizje taktike për të “prekur” shkurtimisht vijën ndarëse dhe duke u rrotulluar përsëri në anën tjetër të Ngushticës të martën në mëngjes, ndërsa avionët tajvanezë ishin në gjendje gatishmërie aty pranë.

Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Punëve të Jashtme të Kinës nuk iu përgjigjën kërkesave për të komentuar mbi këto zhvillime. Kina tha më herët gjatë të martës se Shtetet e Bashkuara do të “paguajnë çmimin” nëse Pelosi viziton Tajvanin gjatë udhëtimit të saj në Azi.

“Pala amerikane do të mbajë përgjegjësi dhe do të paguajë çmimin për minimin e interesave të sigurisë sovrane të Kinës”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Hua Chunying në një konferencë të rregullt për media në Pekin.

Kina e konsideron Tajvanin territor të saj dhe ka treguar përmes paralajmërimeve të përsëritura se do ta konsideronte vizitën e Pelosit si një provokim të madh. Avionët e asnjërës palë normalisht nuk e kalojnë vijën ndarëse mes Tajvanit dhe Kinës. Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha të martën se zotëron plotësisht aktivitetet ushtarake pranë Tajvanit dhe do t’i dërgojë forcat në mënyrë proporcionale me reagimin ndaj “kërcënimeve të armikut”, derisa tensionet me Kinën rriten. Ministria kishte “përforcuar” nivelin e saj të gatishmërisë luftarake nga e marta në mëngjes deri në mesditën e së enjtes, njoftoi Agjencia Qendrore e Lajmeve e Tajvanit, duke cituar burime të paidentifikuara. Në qytetin juglindor kinez Xiamen, i cili shtrihet përballë Tajvanit dhe është një bazë madhe ushtarake, banorët raportuan se kishin parë automjete të blinduara në lëvizje dhe postuan fotografi në internet. Fotot ende nuk janë verifikuar nga Reuters. Në mediat sociale kineze mbizotëronte frika, si nga konflikti i mundshëm, ashtu edhe nga entuziazmi patriotik mbi perspektivën e bashkimit me Tajvanin.

Që nga java e kaluar, Ushtria Çlirimtare Popullore ka kryer stërvitje të ndryshme, duke përfshirë ato me zjarr të drejtpërdrejtë, në detin e Kinës Jugore, Detin e Verdhë dhe Bohan. Disa analistë ushtarakë rajonalë thonë se shtimi i dislokimeve në kohë tensionesh rrit rrezikun për aksidente, edhe nëse asnjë palë nuk dëshiron një konflikt aktual./ Marrë nga REL

D.GJ/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj