Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ndodhet për një vizitë pune në Izrael. Gjatë qëndrimit atje, Nano zhvilloi një takim miqësor dhe të frytshëm me homologun e tij, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Izraelit, z. Yaakov Shabtai.
Nano dhe Shabtai, gjatë këtij takimi, vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes Policisë shqiptare dhe asaj izraelite, si dhe me agjencitë e sigurisë në Izrael.
Në fokus të takimit ishin shkëmbimi i përvojave më të mira në punës në krye të institucioneve përkatëse, ndikimi i përdorimit të teknologjisë bashkëkohore në detyrat funksionale të punonjësve të Policisë, si dhe forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërmjet dy policive, për shkëmbim informacioni, hetime dhe operacione të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimit kibernetik dhe pastrimit të parave.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Izraelit, z. Yaakov Shabtai, u shpreh: “Ju përgëzoj për kurajon dhe vendosmërinë që tregoni në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, për bashkëpunimin me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese dhe për sfidat që keni marrë përsipër, para qytetarëve të vendit tuaj dhe partnerëve, për të luftuar me profesionalizëm dhe zero tolerancë, tentativat për kultivim të kanabisit dhe trafikim të lëndëve narkotike, krimin e organizuar, korrupsionin, pastrimin e parave dhe terrorizmin.
Gjithashtu, ju shpreh mirënjohje për angazhimin dhe përkushtimin e të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit shqiptar, gjatë ndeshjes ndërkombëtare të futbollit Shqipëri-Izrael. Dua t’ju garantoj se do keni mbështetjen absolute të Policisë dhe të agjencive të sigurisë izraelite, për të arritur rezultatet e dëshiruara drejt qëllimit të përbashkët, krijimit të një klime të qetë dhe të sigurtë për qytetarët e të dy vendeve dhe më gjerë.”
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka falënderuar homologun e tij, për të gjithë vlerësimin dhe mbështetjen e dhënë nga Policia e Izraelit.
Nano theksoi: “Dua t’ju siguroj se Policia e Shtetit shqiptar është e aftë profesionalisht dhe ka të gjitha kapacitetet, për të luftuar përkrah policive homologe, krimin e organizuar, krimin kibernetik, pastrimin e parave, korrupsionin dhe terrorizmin. Sfidat që kam marrë përsipër janë pikërisht këto prioritete të përbashkëta që nuk njohin kufij dhe që kanë në themel garantimin e rendit e sigurisë dhe krijimin e një ambienti sa më të sigurtë për qytetarët tanë”.
Vizitat e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të zhvilluara së fundmi në SHBA, Gjermani, Greqi dhe Izrael, tregojnë rëndësinë që Policia e Shtetit i kushton luftës kundër fenomeneve kriminale, të cilat kanë shtrirje globale, si dhe angazhimin për të forcuar bashkëpunimin me partnerët, në realizimin e prioritetit të përbashkët, për goditjen me zero tolerancë, të krimit të organizuar.