Napoli nuk është kursyer në javën e 15 të “Seria A” pasi ka mposhtur me shifrat e thella 4-0 Frosinonen. Të besuarit e Anchelotti-t nuk i vendosën në asnjë moment në diskutim tre pikët, pasi Zielinski zhbllokoi shifrat që në minutën e 7. Goli i dytë do të vinte pak para fundit të pjesës së parë, me Ounas që mrekulloi tifozët falë një predhe nga 35 metra. Në fraksionin e dytë të lojës protagonist ishte sulmuesi Milik. Polaku fillimisht në minutën e 68-t dhe më pas në të 84-n vulosi shifrat përfundimtare të takimit.
Në Bundesligë ndërkohë Dortmundi ka marrë një fitore të vështirë kundër Schalke-s. Verdhezinjtë kaluan në avantazh që në minutën e 7 me Delaney, por vendasit në Gelsenkirshen barazuan shifrat në pjesën e dytë. Ishte Caligiuri që nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Për të nxjerrë Dortmund-in nga transferta me tre pikë mendoi 18-vjeçari anglez Sancho, që në sezonin e tij të parë në Gjermani po mrekullon këdo.
Fitore në këtë javë ka marrë edhe Bayern Mynchen që ka mposhtur me shifrat 3-0 Nurnberg. Bavarezët bënë gjithçka të thjeshtë që në pjesën e parë, teksa Levandowski realizoi “dopietë”. Golin e tretë për skuadrën e Kovac e shënoi Riberi në minutën e 56. Pas 14 javësh kampionat Bayer-ni renditet i dyti me 27 pikë, 9 më pak se Doermundi i vendit të parë.
Komento