Napoli është i pandalshëm në Serinë A. Djemtë e Luciano Spalletit mposhtën në stadiumin “Maradona” 2-0 Cagliarin dhe siguruan fitoren e gjashtë radhazi në po kaq ndeshje në kampionat. Napoli kryeson me 18 pikë dy më shumë se Milani e katër më shumë se Interi. Osimhen në pjesën e parë dhe Insigne në të dytën ishin autorët e golave ndaj sardëve.
Më herët derbi i kryeqytetit dhuroi spektakël e polemika. Lazio mundi 3-2 Romën dhe fitoi derbin duke u rikthyer tek tre pikët. Bardhekaltërit dominuan minutat e para dhe shënuan me Milinkovic-Savic e Pedro dhe Roma ngushtoi me Ibanez. Në fraksionin e dytë Felipe Anderson tundi rrjetën për herë të tretë për Lazion ndërsa penalltia e kthyer në gol nga Veretout nuk bëri që fitorja të ndryshojë drejtim. Sarri fiton edhe betejën personale me Mourinhon.
Në Premier Arsenali likuidoi Tottenhamin në vetëm 22 minuta lojë duke fituar derbin në shifrat 3-1.Smith-Roëe, Aubameyang e Saka realizuan për topçinjtë ndërsa goli i Son shërbeu thjesht sa për statistikë.
Më në fund Barcelona u kthye tek fitorja në La Liga megjithëse situata në ekip mbetet e tensionuar. Katalanasit mposhtën 3-0 Levanten në “Camp Nou” falë golave të Depay, de Jong e Ansu Fati.
Përgatiti Andi Kapxhiu