Arsenal-Valencia dhe Frankfurt-Chelsea janë dy çiftet gjysmëfinaliste e Europa League të këtij edicioni. Topçinjtë pasi e kishin mposhtur Napolin 2-0 në Londër fituan 1-0 në “San Paolo” falë golit të sulmuesit Lacazette dhe kalojnë mes katër më të mirave. Për Napolin bëhet sezoni i katërt që del me duar bosh pa arritur të fitojë asnjë trofe.
Valencia që do përballet me Arsenalin në gjysmëfinale, e fitoi edhe në kthim derbin spanjoll ndaj Villarreal. Në “Mestalla” ekipi i drejtuar nga Marcelino mposhti Villarreal 2-0 me nga një gol për çdo pjesë të shënuar nga Toni Lato dhe Dani Parejo.
Chelsea siguroi gjysmëfinalet pas një ndeshje të çmendur me Sllavian e Pragës në “Stamford Bridge”. Blutë fituan 4-3 dhe me rezultatin e përgjithshëm 5-3 nxjerrin jashtë ekipin çek. Dy herë Pedro Rodriguez , Olivier Giroud dhe një autogol i dhanë kualifikimin skuadrës së Sarrit që në gjysmëfinale do përballet me gjermanët e E.Frankfurt.
Arritjen më të madhe të enjten e bëri Frankfurti që përmbysi humbjen e ndeshjes së parë dhe eliminoi Benfican. Portugezët kishin fituar 4-2 në takimin e parë çerekfinal por fitorja 2-0 në Gjermani bën që Frankfurt të arrijë një kualifikim historik mes katër më të mirave të Europa League. Filip Kostic dhe Sebastian Rode ishin autorët e golave të kualifikimit. Ndeshjet e parë gjysmëfinale do luhen më 2 maj.
Përgatiti: Andi Kapxhiu