Pas shumë peripecive, sidomos pas deklaratve të Conte-s se nuk e kishtë më grupin, Napoli është rikthyer të fitojë. Kampionët e Seria A, pas barazimit me Como-n dhe humbjes me Bologna-n, ia dolën të mposhtin 3-1 Atalanta-n. Në stadiumin Maradona diferencën e bëri braziliani David Neres, i cili realizoi dy gola shumë shpejt.

Po në pjesën e parë, për herë të parë që pas transferimit te Napoli, Noa Lang gjeti rrugën e rrjetës, duke realizuar me kokë. Në pjesën e dytë të besuarit e Palladino-s u përpoqën të reagonin, po vetëm sa ngushtuan diferencat me golin e bukur të Scamaca-s.

Fiorentina dhe Juventusi nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1, që nuk kënaqi asnjë nga palët. Në Artemio Franchi ‘zonja e vjetër’ ishte më kërkuese, ndërsa pati pretendime të mëdha për një penallti të Vlahovic, që fillimisht u akordua në fushë dhe më pas u anulua me VAR. Megjithatë pas këtij episodi Kostic do të realizonte mjaft bukur nga jashtë zone. Në vijim Fiorentina iu përgjigj me një gol spektakolar të Mandragora-s, duke vulosur edhe rezultatin përfundimtar të sfidës.

Në Premier League pas Liverpool-it edhe Manchester City pësoi disfatë këtë javë. Të besuarit e Guardiolës u mposhtën 2-1 nga Newcastle teksa Barnes realizoi të dy golat për vendasit. Ruben Dias barazoi përkohësisht, por që nuk ishte e mjaftueshme për të dalë me pikë nga kjo transfertë, teksa tani mund të pëfitojë Arsenali.