Nata gjysmëfinale e “The Voice of 
Albania 5”, gara mes 4 konkurrentëve 

Nata gjysmëfinale e “The Voice of <br />Albania 5”, gara mes 4 konkurrentëve 
Sot në mbrëmje pritet nata gjysmëfinale e showt të talenteve “The Voice of Albana 5”. Ka qenë një nga edicionet më me shumë të papritura, me formula të reja gare e sidomos me konkurrentë të fortë. Kanë qenë vetë katër trajnerët Sidrit Bejleri, Alma Bektashi, Genc Salihu e më e reja Jonida Maliqi, që e kanë theksuar fort faktin se këtë vit, për habinë e tyre, tamam kur frikeshin se mos në të pestin vit talentet do të kishin mbaruar, ndodhi krejt e kundërta.

Nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia erdhën zëra shumë të mirë, që krijuan skuadra të forta e që i vunë jo pak në vështirësi katër trajnerët.

Por pas sitës së tyre të imët, javën e kaluar ishin votat e publikut që dhanë verdiktin: në gjysmëfinale kaluan Tiri Gjoci dhe Lorenc Hasrama nga skuadra e Sidritit, Elbunit Krasniqi nga skuadra e Gencit, Ina Torba nga skuadra e Almës, duke lënë për herë të parë një trajner pa konkurrentë në një gjysmëfinale, risk që i takoi Jonida Maliqit.

Po cilët janë katër zërat më të mirë të mbetur?

konkurrentet

konkurrentet

konkurrentet

konkurrentet
 
Elbunit Krasniqi
Djali shtatlartë me flokë të gjata, që për momentin ka braktisur auditorët e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, për të rendur pas pasionit të tij të fortë, muzikës, është kthyer në personazh. Jo vetëm për shkak të zërit e stilit të tij që aq shumë ia kanë preferuar, por edhe për shkak të natyrës. Krejt i qetë e i shtruar, ai ka kaluar me durim e këmbëngulje të fortë faza shumë të vështira, është përballur me konkurrentë e zëra shumë të mirë, për të arritur më në fund deri afër finales. 22-vjeçari ka surprizuar publikun, sidomos atë të Kosovës, që nuk e kishte njohur kurrë më parë, por edhe veten e të afërmit. Sepse ai është djali që nuk e ka shfaqur kurrë zërin e tij, veçse në shtëpi. U desh një “Voice” e pak guxim që Elbuniti të vinte si një dhuratë për Genc Salihun.
 
Ina Torba
Ajo nuk ka shumë ndryshim nga moshatarët e saj. E lindur në Dibër dhe e zhvendosur në Tiranë, 24-vjeçarja Ina Torba është studente për inxhineri ndërtimi, por edhe punon në një call center dhe ka pasion muzikën. Deri këtu është krejt e ngjashme me shumë të rinj të moshës së saj, që ëndërrojnë një profesion dhe kanë pasionet e tyre. Vetëm se ndryshe nga shumë prej tyre, ajo ka një zë aq të fuqishëm sa e ngre skenën peshë. E ka treguar këtë që në audicionet e fshehura, duke shkaktuar një luftë të vërtetë mes trajnerësh, që donin ta rrëmbenin kush e kush më parë, e deri një javë më parë, duke rrëmbyer votat e publikut në një duel aspak të lehtë me Ernesën, një tjetër zë shumë i fuqishëm. Ina është e vetmja konkurrente që përfaqëson skuadrën e Alma Bektashit.
 
Tiri Gjoci
Tiri, ndryshe nga shumë konkurrentë të druajtur që pritën me ankth shtypjen e butonëve të famshëm, nuk i kishte emocionet e herës së parë. Sepse skenën e ka provuar kaq e kaq herë. Prej vitesh ka një grup të tijin muzikor, ka marrë pjesë në shumë koncerte e festivale dhe studion në Akademinë e Arteve për Muzikologji. Por i duhej një tjetër njohje, më e fuqishme dhe më e menjëhershme, për veten dhe për grupin e tij. Ndaj edhe garoi si i barabarët mes të barabartëve, duke sfiduar gjithë rivalët një e nga një, e duke arritur deri në fund si një nga dy përfaqësuesit e skuadrës së Sidrit Bejlerit. 22-vjeçari nga Kavaja ka bërë rrugë të gjatë drejt njohjes. Dhe ja ku është afër fundit të një aventure të vërtetë, duke shpresuar finale e madhe.
 
Lorenc Hasrama
Është vetëm 18 vjeç, por në pozita krejt të njëjta me tre konkurrentët e tjerë, që i kanë kaluar të njëzetat. Pasi ka arritur i sigurt deri në këtë fazë, tanimë lufton për finalen, duke shfrytëzuar mirë armët e tij më të forta: eksperiencën e deritanishme me grupin e tij muzikor, zërin e veçantë që aq shumë ia kanë vlerësuar, lirshmërinë  dhe aftësinë për të zotëruar emocionet që sapo shkel në skenë. Nuk është rastësisht në atë skenë. Prindërit e kanë drejtuar që në fillim fare drejt muzikës. Ai studion në Liceun Artistik për violë dhe pak nga pak është duke krijuar profilin e tij artistik. Ka edhe një fazë të fundit për të arritur aty ku do. Të paktën tani për tani. Sepse Lorenci është djalë me ambicie të forta.

Redaksia Online
Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri