NATO dhe BE përforcojnë kontingjentet në Kosovë para zgjedhjeve të 9 shkurtit

NATO dhe BE përforcojnë kontingjentet në Kosovë para zgjedhjeve të 9 shkurtit

Pjesëtarë italianë të KFOR-it

NATO dhe Bashkimi Evropian po dërgojnë burime në Kosovë për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit.

Aleanca ushtarake perëndimore e NATO-s tha se ka dërguar në Kosovë edhe 200 ushtarë shtesë italianë për të forcuar misionin e saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, i cili tani ka afër 4.000 trupa nga 50.000 sa kishte më 1999, kur ushtarët e këtij misioni u dislokuan në vend.

KFOR-i tha se po përforcon praninë në Kosovë dhe brigada italiane e këmbësorisë “Sassari” do të kryejë “një sërë aktivitetesh, së bashku me trupat e KFOR-it”.

Kjo forcë “do të dislokohet në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të situatës së sigurisë, përfshirë edhe gjatë periudhës së zgjedhjeve”, tha KFOR-i.

Ditë më parë, shqetësime për periudhën zgjedhore në Kosovë shprehu edhe shefi i NATO-s, Mark Rutte. Ai deklaroi se është në kontakt me Kosovën dhe Serbinë, që të sigurohet që të mos ketë destabilizim gjatë zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të monitorohen po ashtu nga Bashkimi Evropian, i cili ka njoftuar për një mision prej 100 vëzhguesish.

Nathalie Loiseau, anëtarja franceze e Parlamentit Evropian, do të udhëheqë misionin e bllokut evropian për monitorimin e zgjedhjeve. Ajo ka deklaruar se ky mision vë në pah “mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Kosovën për të forcuar edhe më tej qeverisjen e saj demokratike”.

Ajo tha se votimet e 9 shkurtit do të tregojnë “pluralitetin e peizazhit politik të Kosovës”.

Ky do të jetë misioni i shtatë vëzhgues i BE-së për zgjedhjet në Kosovë.

Fushata zgjedhore, e cila nisi më 11 janar, sipas organizatave joqeveritare në Kosovë që e monitorojnë këtë proces, po karakterizohet me gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes mbi baza politike.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit garojnë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur.

Katër kandidatët për kryeministër – Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – ditët e para të fushatës i kanë përqendruar energjitë te politikat e brendshme dhe te akuzat ndaj njëri-tjetrit.

Këto zgjedhje shihen nga shumë si test për fuqinë e kryeministrit Albin Kurti dhe të partisë së tij, teksa tensionet janë të larta me minoritetin serb dhe me Serbinë fqinje.

Asnjëri nga ta nuk ka përmendur si zotim kryesor normalizimin e raporteve me Serbinë.

Së fundi janë rritur tensionet për shkak të disa veprimeve të ndërmarra nga autoritetet e Kosovës në komunat ku jetojnë serbët. Më 15 janar, u mbyllën institucione serbe në dhjetë komuna të Kosovës, pasi autoritetet në Prishtinë thanë se ato ishin institucione ilegale.

Megjithatë, mbyllja e disa komunave paralele të Serbisë, si dhe zyrave postare e tatimore në dhjetë komuna në jug të Ibrit, u përshkrua me kundërthënie.

Kjo, pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë deklaroi po më 15 janar se nuk kishte autorizuar Policinë e Kosovës për kryerjen e këtij operacioni, pasi nuk kishte ndonjë kërkesë zytare.

Mbyllja e institucioneve të tilla nga autoritetet e Kosovës ka nisur që në fillim të vitit 2024.

Përveç organeve të përkohshme komunale dhe ndërmarrjeve të tyre publike, janë mbyllur edhe Posta e Serbisë në veri, Banka Postare Kursimorë, Thesari i Bankës Kombëtare, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Rrethi Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe të tjera. Kryesisht kanë vazhduar të funksionojnë vetëm institucionet arsimore dhe shëndetësore, të cilat në zonat serbe gjithashtu punojnë në sistemin serb.

Serbët në veriun e Kosovës gëzojnë mbështetjen e Beogradit, i cili ka financuar strukturat paralele atje, por edhe ka mbështetur qytetarët serbë përmes pensioneve apo edhe shtesave të tjera.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kundërshtuar shumë nga veprimet e Prishtinës në veriun e Kosovës, sikurse edhe Bashkimi Evropian, duke i vlerësuar si veprime të paakordinuara.

Blloku evropian u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të normalizojnë raportet në kuadër të dialogut të Brukselit, duke thënë se normalizimi është kusht për avancimin e shteteve drejt integrimeve evropiane./REL

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 18 Janar, 08:40

    A duhen bërë publik emrat e politikaneve që kanë përdorur Sky Ecc?



×

Lajmi i fundit

Ben Andoni: Mungesa e debatit të politikës, ironi zgjedhore

Ben Andoni: Mungesa e debatit të politikës, ironi zgjedhore