TIRANE - Pas shkarkimit të 3 ushtarakëve të lartë të Forcave të Armatosura shqiptare duhet të fshihet një përplasje lidhur me modernizimin e strukturës së mbrojtjes së vendit. Këtë e ka thënë në një bisedë me agjencinë “Nova” një burim i NATO-s, që ka kërkuar të mos i përmendej emri.

Sipas tij shkarkimet janë bërë pas “një procesi të gjatë ndryshimi që ka hasur në rezistencë të fuqishme nga ana e një grupi pushteti, të krijuar brenda Forcave të Armatosura shqiptare. Gjeneralët e sapolarguar “nuk e kanë gëlltitur kurrë faktin që, në vend të tyre u caktua në krye të Shtabit të Përgjithshëm një ushtarak më i ri, Xhemal Gjunkshi, njeri i afërt me ministrin e Mbrojtjes Arben Imami”.

Në fund të majit, ministri shkarkoi zëvendësshefin e Shtabit të ushtrisë Sandër Lleshi, komandantin e forcave ajrore Dhori Spirollari dhe një komandant rajoni Abaz Lleshi. Të tre ata e cilësuan vendimin e marrë si “të paligjshëm” dhe ngritën akuza të rënda kundër ministrit të Mbrojtjes e shefit të Shtabit Xhemal Gjunkshi.

“Sipas mendimit tonë, kjo lëvizje duhet të jetë si përgjigje e një serie problemesh të rënda që ekzistojnë në gjirin e ushtrisë sonë dhe që ne i kemi ngritur në rrugë zyrtare”, kanë pohuar në një letër të hapur të tre ushtarakët e lartë, sipas së cilës FA rrezikojnë të gërryhen nga fenomene shqetësuese.

“Shqetësimet tona janë ngritur në rrugë zyrtare nëpërmjet një letre dërguar mars presidentit Bujar Nishani, kryeministrit Sali Berisha, ministrit të Mbrojtjes Arben Imami dhe shefit të Shtabit Xhemal Gjunkshi, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, theksuan tre gjeneralët.

Ish-zëvendësshefi i Shtabit Lleshi ka vënë në dukje edhe faktin që shumë “oficerë të kualifikuar” janë nxjerrë para kohe në pension e ka kritikuar mënyrën se si është proceduar me emërimet. “Gjithshka kryhet në bazë të vendimeve personale të ministrit dhe të shefit të Shtabit.

Janë bërë emërime pa kriter profesional, struktura të fryra dhe të paefektshme, ndërkohë që, nga ana tjetër, një numër në rritje oficerësh kariere kërkojnë të largohen nga ushtria”. Ministria është përgjigur, duke deklaruar se “gjithshka është kryer në bazë të rregullave”, sa u përket shkarkimeve të ushtarakëve të lartë.

Sipas burimit të NATO, një grup i vogël ushtarakësh të lartë që janë pranë ministrit duhet të synojnë të “reformojnë nga brenda, dhe në kuptimin e mentalitetit, FASH me një perspektivë më moderne dhe të përshtatshme ndaj standardeve të NATO-s”.

Para disa javësh, Imami foli në Këshillin e Atlantikut në Bruksel e këto ditë në Tiranë po zhvillohen mbledhje të rëndësisshme të aleancës atlantikase. Sipas burimit këto dëshmojnë për mbështetjen që gëzon ministri nga Aleanca.

Ndërkohë që në Shqipëri vijojnë debatet në lidhje me shkarkimin e tre gjeneralëve, të cilët kanë kërkuar motivimin e largimit të tyre nga detyra. Politika është shprehur me tone tëg ashpra, duke e krahasuar një lëvizje të tillë me atë të vitit 1996-1997 kur ushtria i vendos përballë protestuesve dhe më pas u shkatërruar për tre ditë.


(Bruksel, 3 qershor/Agjencia NOVA/, Foto: Dhori Spirollari, Sandër Lleshi, Abaz Lleshi, tre gjeneralët e shkarkuar)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 04.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)